Omologjet Pavli i Konstandinopojës. Omologjet Leonardi në Noblak. Oshënar Llukai në Sicili.

* * * * *

Omologjet Pavli i Konstandinopojës.

Lindi në Selanik në fillim të shekullit të 4-t. Kur u mblodh Sinodi i Parë i Nikeas, ai ishte ende adoleshent, por më vonë u rendit në radhët e klerikëve të Kishës së Konstandinopojës. Dallohej për pastërtinë e jetës së tij, për butësinë dhe për mësimin e shkëlqyer të besimit orthodhoks. Prandaj, edhe pse në moshë të re, u dorëzua dhjak e më pas prift nga patriarku Aleksandër. E donin tërë besimtarët e kryeqytetit, prandaj e bënë kryepiskop më 340, pas fjetjes së Aleksandrit, i cili e kishte caktuar si pasues. Zgjedhja e tij nxiti urrejtjen e arianëve, të cilët filluan të shpifnin për të te perandori Konstanc.

Në atë kohë perandori ndodhej në Antioki, por u kthye si i tërbuar në kryeqytet kur mësoi për dorëzimin e të riut orthodhoks. Mblodhi një këshill episkopësh arianë, i cili e shkarkoi Pavlin nga funksionet dhe vendosën në vend të tij episkopin e Nikomedisë, Efsevin, një nga krerët e herezisë. Atëherë arianizmi dukej se po triumfonte, përderisa perandori dhe kryepiskopi i Konstandinopojës ishin partizanë të tij të flaktë. Me të mbërritur, Efsevi filloi të dëbonte mbrojtësit e Sinodit të Nikeas.

Megjithatë, Perëndia nuk e braktisi Kishën e tij: Efsevi vdiq pas një viti dhe orthodhoksët e qytetit kërkuan kthimin e Pavlit, i cili ishte strehuar në Romë tek papa orthodhoks Juli, bashkë me shën Athanasin e Aleksandrisë, i cili edhe ai ishte internuar për emrin e Krishtit. Por, kur erdhi në fron, rrëfyesi i shenjtë e gjeti veten mes trazirash popullore, sepse edhe arianët kishin zgjedhur e dorëzuar një tjetër episkop si pasues të Efsevit, heretikun Makedoni, i cili mbështeste blasfeminë kundër hyjnisë së Shpirtit të Shenjtë, ndërkohë që Ariosi ishte kundër hyjnisë së Fjalës. Kur perandori i mësoi këto, i dha urdhër Hermogjenit, komandantit të ushtrisë së Thrakës, të hynte me trupat e tij në kryeqytet dhe ta dëbonin sërish me dhunë Pavlin. Por populli ngriti krye, pati përleshje të përgjakshme nëpër rrugë dhe vetë Hermogjeni mbeti viktimë e zemërimit të turmës.

Kryengritësit, pasi e vranë, e hoqën zvarrë trupin e tij dhe e dogjën.

Ata e vendosën Pavlin në fron, por për pak kohë, sepse perandori erdhi në Bizant, dëboi Pavlin, dhe e detyroi sërish të gjente strehim në Romë. Ai e derdhi zemërimin edhe mbi Makedonin, duke e akuzuar se ishte shkaku i trazirave. Në Perëndim, Pavli pati mbështetjen e perandorit Konstant në Treves dhe, falë letrave qortuese që papa u drejtonte episkopëve të Lindjes për qëndrimin që mbajtën ndaj shën Athanasit dhe ndaj tij, Pavli mundi të rifitonte vendin e tij mes gëzimit të popullit. Por Konstanci, që nuk e pushonte luftën e tij kundër besimit orthodhoks, ngarkoi prefektin Filip ta dëbonte prapë Pavlin nga qyteti e të vinte Makedonin, por pa u përsëritur trazirat e shkaktuara nga ndërhyrja e Hermogjenit. Ndaj Filipi përdori një dredhi për të tërhequr shën Pavlin te godina e banjave, me pretekstin për ta nderuar, dhe e dërgoi fshehtazi në internim në Selanik. Prej andej episkopi fatkeq shkoi sërish në Romë.

Më 347, me rastin e Sinodit të Sardikës, Athanasi dhe Pavli mundën të ringjiteshin në fronin episkopal. Për tre vjet Kisha e Konstandinopojës njohu, rreth bariut të saj, paqe dhe sigurinë e Orthodhoksisë. Por zgjati pak, sepse më 350 kont Magnenci u ngrit kundër perandorit orthodhoks të Perëndimit, Konstantit, dhe u shpall perandor nga trupat e tij.

Pretendimet e tij për një perandori universale detyruan edhe perandorin tjetër, Konstancin, të niste një luftë kundër tij dhe, pas fushatave të vështira, perandori heretik u nis për në Lion dhe, për përfitimin e tij, bëri unifikimin e perandorisë. Ekuilibri që ishte vendosur deri atëherë nga prania e një perandori orthodhoks në Perëndim ishte prishur. Kontanci mundi të riniste lirshëm persekutimet kundër mbrojtësve të hyjnisë së Birit të Perëndisë. Kapi Pavlin e shenjtë dhe e lidhi me zinxhirë të rëndë. E çoi në fillim në Singar, pastaj në Emesa e më pas në Kukuzë, në Armeninë e largët. Dhe atje, kur po kremtonte Liturgjinë Hyjnore, episkopi i shenjtë u sulmua nga arianët, të cilët e mbytën me omoforin e tij (mes 351 dhe 357).

* * * * *

Oshënar Llukai në Sicili.

I lumuri Lluka vinte nga qyteti i Taorminas në Sicili. Që fëmijë, e kishte zakon të shkonte sistematikisht në shtëpinë e Perëndisë, jo vetëm për të dëgjuar fjalët e frymëzuara, por dhe për t’i zbatuar.

Në moshën 18-vjeçare prindërit donin ta martonin, por zemrën e tij e kishte rrëmbyer dashuria për Perëndinë dhe virgjërinë, prandaj një natë u arratis dhe u strehua në mal, në një vend ku mund të shkoje me vështirësi. Qëndroi atje për 40 ditë në mes të bishave të egra, pa ushqim. U gjykua i denjë për vizionin e një engjëlli të Perëndisë, i cili i tregoi udhën e tij. Zbriti nga mali dhe shkoi në një manastir diku aty afër dhe mori skimën engjëllore. Që atëherë u ushtrua ashpër: për 18 muaj hante një herë në tri-katër ditë, pak bukë dhe ujë dhe refuzonte çdo ngushëllim për trupin e tij të vdekshëm.

U largua nga ky manastir dhe bashkë me një murg tjetër u nis në shkretinë e shpateve të qeta të Etnës. Si ushqim kishte barishtet që gjente aty-këtu në mal. Flinte pak, mbante një veshje kurdoherë dhe ecte këmbëzbathur. I ishte dhënë kanon të mos dilte nga qelia para se të kishte mbaruar së thëni Psaltirin. Kur e mbaronte, lexonte Orën III, pastaj niste punën e dorës deri në Orën VI. Pas kësaj merrte vaktin e tij të pakët, shoqëruar me lutje. Pastaj vazhdonte programin duke shenjtëruar ditë dhe natë me lutjen e pandërprerë. Nga betejat e tij asketike, u bë i denjë nga Perëndia për dhuratën e mrekullueshme të Hirit.

Perëndia i kishte falur një pjesëmarrje të tillë në Shpirtin e Tij të Shenjtë, sa depërtonte në pasazhet e vështira të Shkrimit të Shenjtë për t’i shpjeguar. Disa çuditeshin me të dhe thoshin: “Si i njeh shkrimet pa qenë i mësuar më përpara?” (Joan 7.15). Kush mund të përshkruante përulësinë e tij pa shtirje, dashurinë e tij të thellë për tërë njerëzit dhe thesaret e dallueshmërisë së tij?

Pas një zbulimi, u nis për të qëndruar në një vend më të afërt dhe mori në drejtimin e tij 12 dishepuj. Për nevojat e komunitetit, bëri një udhëtim në Bizant, përgjatë të cilit vizitoi manastire të ndryshme të kryeqytetit dhe takoi shumë etër shpirtërorë.

Në kthim, zbriti deri në Korinth dhe ndenji në një fshat të vogël, ku pas 7 muajsh, në moshën 40-vjeçare, dorëzoi shpirtin te Perëndia. Menjëherë filluan të ndodhnin shumë mrekulli dhe nga varri i shenjtit buroi miro.

* * * * *

Omologjet Leonardi në Noblak.

 

Rridhte nga një familje fisnikësh frankë, dhe ishte pjesëtar i oborrit të mbretit pagan Klovisi I. Një herë, mbretëresha i tha me shaka që t’i lutej Perëndisë së tij për të ndaluar sulmet e ushtrive pushtuese. Me lutjet e Leonardit, beteja mori një kthesë të papritur dhe Klovisi doli fitimtar. Nëpërmjet kësaj mrekullie, mbreti dhe mijëra qytetarë të tjerë u pagëzuan.

Pas kësaj ngjarjeje, Leonardi iu përkushtua lutjes dhe predikimit. Etja për të njohur Perëndinë dhe për të jetuar me Të sa vinte e rritej, derisa u tërhoq në një manastir në Orlean në Francë. Kohë më vonë, duke dëshiruar vetmi më të thellë, u tërhoq në një pyll, duke kthyer në besim shumë nga ata që hasi rrugës.

Ushqehej me barna, fruta që gjente, dhe pinte ujë nga përrenjtë. Ndërtoi një paraklis të vogël, por meqë numri i atyre që donin të jetonin pranë tij, sa vinte e rritej, ndërtoi një manastir pranë qelisë së vet. Leonardi dallohej për mëshirën e madhe që kishte për të burgosurit, dhe të shumtë ishin ata që i ktheu në besim.

Pas fjetjes së shenjtorit, fama e tij u përhap dhe u ndërtuan shumë kisha në nder të tij. Në një qytet të vogël të Bavarisë, ka rreth 4000 dëshmi të ndihmave falë ndërmjetimeve të shenjtorit.