Anargjendët Kozma e Damian nga Azia. Dëshmorët e rinj Jakovi (nga Vithkuqi), Dionisi dhe Jakovi. Dëshmoret Kiriana dhe Juliana nga Kilikia. Oshënare Theolipti. Oshënar dëshmor i ri Jakovi (nga Korça) dhe nxënësit e tij.

* * * * *

Anargjendët Kozma e Damian, nga Azia

Shenjtorët Kozma dhe Damian ishin nga Azia. Prindërit e tyre ishin një model i përkryer i bashkëshortëve të krishterë. Kur mamaja e tyre, Theodota, mbeti e ve, ia kushtoi të gjithë jetën edukimit të krishterë të fëmijëve, Kozmait dhe Damianit.
Të dy vëllezërit dalloheshin për zgjuarsinë e tyre dhe studiuan shumë shkenca, veçanërisht shkencën e mjekësisë dhe përkushtimin human.
Shëronin sëmundje të ndryshme pa marrë asnjë shpërblim dhe për këtë u quajtën anargjendë. Të shumtë ishin ata të sëmurë të cilët, pasi gjenin shërim, dëshironin të falënderonin shenjtorët por ata nuk i pranonin shumë nderimet e njerëzve dhe u përgjigjeshin atyre duke përdorur fjalët e Shkrimit të Shenjtë: “Bekimi dhe lavdia, urtësia dhe falënderimi, nderimi, fuqia dhe forca janë tek Perëndia ynë në jetë të jetëve”.
Kështu me përulësi anargjendët Kozma dhe Damian i shërbyen të tjerëve gjatë gjithë jetës së tyre. Ndërruan jetë në paqe dhe u varrosën në vendin e quajtur Ferema.

* * * * *

Dëshmoret Kiriana dhe Juliana nga Kilikia.

Këto dy shenjtore u martirizuan në kohën e Dioklecianit (rreth vitit 305). Kiriana ishte nga Tarsi i Kilikisë dhe Juliana nga qyteti Roso i së njëjtës krahinë.
Me urdhër të Markianit, guvernatorit të Kilikisë, i kapën dhe kërkuan që ato t’u sakrifikonin idhujve. Por shenjtoret kundërshtuan me trimëri, prandaj e morën Kirianën, ia qethën kokën dhe vetullat dhe pastaj e hipën të zhveshur mbi gomar, duke e detyruar t’i binte katër herë përqark qytetit të Tarsit.
Nga pas e ndiqte një turmë fëmijësh, të cilët e godisnin me shkopinj dhe e përqeshnin, gjë që nxiste talljen e popullit dhe të ushtarëve. Por, në mënyrë të mistershme, e mbuluar nga veli i hirit, shenjtorja nuk ndjeu turp.
Pas kësaj e çuan në Roso, dhe e dogjën në zjarr bashkë me Julianën.