APOSTULLI – 1 Korinthianëve 12:27-13:8.
Edhe ju jeni trupi i Krishtit, edhe gjymtyrë të veçanta. Edhe Perëndia vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj ata që bëjnë mrekulli, pastaj ata që kanë dhunti shërimesh, ndihmëtarë, kujdestarë, ata që kanë larmi gjuhësh. A mos janë të gjithë apostuj? A mos janë të gjithë profetë? A mos janë të gjithë mësues? A mos bëjnë çudira të gjithë? A mos kanë të gjithë dhunti shërimesh? A mos flasin gjuhëra të gjithë? A mos përkthejnë të gjithë?
Por dëshironi me zell dhuntitë më të mira; edhe do t’ ju tregoj juve një udhë shumë më të lartë.
Në folça gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, e të mos kem dashuri, jam si bakër që kumbon, a si çembal që tringëllon. Edhe në paça profeci, edhe të di gjithë fshehtësitë edhe çdo dituri, edhe në paça gjithë besën sa të tund nga vendi male, e dashuri të mos kem, s’jam asgjë. Edhe në ndafsha gjithë gjënë time për të ushqyer të vobektët, edhe në dhënça trupin tim që të digjet, e dashuri të mos kem, s’më bën as fare dobi.
Dashuria është zemërgjerë edhe bën të mira; dashuria s’ka smirë; dashuria nuk kërkon të duket, nuk mbahet me të madh, nuk sillet vrazhdë, nuk kërkon të sajat, nuk zemërohet, nuk mendon të ligën; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet për të vërtetën. Të gjitha i mban, të gjitha i beson, të gjitha i shpreson, të gjitha i duron.
Dashuria kurrë nuk bie poshtë. Po të tjerat, qofshin profeci, do të mbarojnë; qofshin gjuhë, do të pushojnë; qoftë dituri, do të humbasë.