APOSTULLI – 1 Korinthianëve 14:20-25.
O vëllezër, mos u bëni fëmijë nga mendja; po bëhuni foshnjë për të keqen, edhe të përsosur nga mendja. Sepse në ligj është shkruar: “Se me të tjera gjuhë, e me të tjera buzë do t’i flas këtij populli; po as kështu nuk do të më dëgjojnë”, thotë Zoti. Prandaj gjuhët janë shenjë jo për ata që besojnë, po për jobesimtarët; edhe profecia jo për ata që nuk besojnë, po për ata që besojnë.
Në u mbledhtë pra gjithë kisha në një vend, edhe të gjithë të flasin gjuhë të panjohura, e të hyjnë njerëz të paditur ose jobesimtarë, a nuk do të thonë se jeni të shkalluar? Po në profetizofshin të gjithë dhe të hyjë një jobesimtar ose i paditur, ky qortohet prej të gjithëve, e gjykohet prej të gjithëve. Edhe kështu të fshehtat e zemrës së tij shfaqen; edhe kështu do të bjerë me faqe përmbys, e do t’i falet Perëndisë, duke predikuar se Perëndia me të vërtetë qenka ndërmjet jush.