Tri javë para Kreshmës së Madhe, e cila është periudha përgatitore për ngjarjen kryesore kishtare që është Pashka e Madhe, hyjmë në periudhën parapërgatitore të parakreshmës. Kisha njeh mungesën tonë të përqendrimit dhe kujdesin tonë të madh për gjërat tokësore dhe na thërret të mendojmë mbi kuptimin e ngjarjes që vjen dhe të përgatitemi për të. Kështu, pra, përpara se të hyjmë në periudhën e Kreshmës, na është dhënë mundësia për të përgatitur veten tonë. Kjo përgatitje përfshin katër të diela – që janë tre javë. Çdonjëra prej këtyre të dielave i është kushtuar disa aspekteve thelbësore.
Këtë periudhë parapërgatitore si edhe atë të Kreshmës e quajmë periudhë e Triodit, emërtuar kështu prej librit liturgjik “Triodi” që përdoret intensivisht dhe vetëm gjatë kësaj periudhe.
Në kalendarin kishtar e diela e parë, me të cilën fillon periudha e Triodit, i dedikohet paravolisë së Taksambledhësit (Tagrambledhësit) dhe Fariseut. Kjo e diel pason me të dielën e Djalit Plangprishës, të dielën e Gjyqit të Fundit, të dielën e Faljes, të dielat e Kreshmës (I – e Orthodhoksisë, II – e Grigor Pallamait, III – e Faljes së Kryqit, IV – e Joanit të Shkallës, V – e Marisë së Egjiptit, VI – e Dafinave).
Triodi si libri liturgjik i kësaj periudhe kreshmore është kryesisht libër himnografik, që përmban shërbesat e gjashtë javëve të Kreshmës së Madhe (të Dyzetditëshit të Madh) dhe të Javës së Madhe deri në Mbrëmësoren e së Shtunës së Madhe dhe të pjesës së parë të Panihidhës së Pashkës. Tek Triodi, ashtu si tek Mujoret (librat e të kremteve të çdo muaji), janë trupëzuar leximet e Dhiatës së Vjetër të kësaj periudhe prej Librit të Profetëve dhe sinaksarët e të dielave dhe të ditëve të shënuara të kësaj periudhe (E Shtuna e Shpirtrave, Kanoni i Madh, Himni Akathist, e Shtuna e Llazarit dhe e ditëve të Javës së Madhe).
Triodi mori emrin prej elementit më mbizotërues dhe më mbresëlënës të shërbesave të përditshme të Kreshmës së Madhe, nga triodet, d.m.th. tri odet (tri këngët) (katër për të shtunat), të cilat janë vepra të himnografëve studitë Theodhorit dhe Josifit.
Kisha, me anë të periudhës së Triodit, na ndihmon dhe na jep mundësinë për pendimin e vërtetë, për njohjen e mëkateve tona, për dëshirën dhe vullnetin për tu kthyer tek Ati ynë qiellor, si edhe na mëson sesi duhet të jetojmë një jetë të pëlqyer në sytë e Perëndisë dhe të mundemi të fitojmë jetën e përjetshme.
Shërbesat ditore gjatë periudhës agjëruese të Kreshmës karakterizohen nga melodi të veçanta kreshmore të një karakteri pendimtar. Dyert e Bukura mbahen të mbyllura, për të treguar ndarjen e njeriut prej Mbretërisë së Perëndisë nga shkaku i mëkatit. Veshjet e Kishës janë të errëta, zakonisht në ngjyrë vjollcë. Gjithashtu edhe troparet ditorë kanë një karakter lutës, duke i kërkuar Perëndisë, me ndërmjetimet e shenjtorëve, të na mëshirojë ne mëkatarët.
Në Shërbesën e Mëngjesit (Mëngjesoret) Aliluiat e gjata zëvendësojnë psalmin Perëndia është Zoti… Psalmodia është e zgjeruar. Himnologjia i referohet përpjekjeve kreshmore. Në Shërbesat e Mbrëmjes (Mbrëmësoret) kemi si shtesë lexime të Shkrimit të Shenjtë prej Gjenezës dhe Fjalëve të Urta dhe në Shërbesën e Orës së Gjashtë prej Profetit Isaia. Këndimet e Apostullit dhe Ungjillit nuk bëhen, meqenëse nuk bëhen Liturgji (Mesha) Hyjnore. Gjatë gjithë Kreshmës, në të gjitha shërbesat thuhet Lutja e Shën Efrem Sirianit. Në këtë lutje i kërkohen Perëndisë veçanërisht ato virtyte, të cilat janë të nevojshme për jetën e krishterë.
Shërbesa e Mbrëmësores që fillon periudhën e Kreshmës, quhet Mbrëmësorja e Faljes. Të krishterët në këtë shërbesë, i kërkojnë falje njëri-tjetrit për çdo faj të bërë me dashje apo pa dashje. Në shërbesat e Pasdarkës të javës së parë të kreshmës këndohet Kanoni i Shën Andreas së Kretës, që përbëhet nga disa seri vargjesh pendimtarë, të bazuar në temat biblike.
Gjatë pesë javëve të para të Kreshmës, të premten në mbrëmje këndohet Himni Akathist, në nderim të Hyjlindëses.
Gjithashtu të mërkurave edhe të premteve kryhet Liturgjia Hyjnore e Dhuratave të Parashenjtëruara. Liturgjia e të Parashenjtëruarave është shërbesë me strukturë mjaft të studiuar, që kombinon Shërbesën e Mbrëmësores me mësimdhënien dhe me Kungatën hyjnore brenda kuadrit mjaft shpirtëror të Kreshmës së Madhe. Quhet e të Parashenjtëruarave, sepse të Shenjtat janë Shenjtëruar të dielën gjatë Liturgjisë Hyjnore dhe të mërkurën dhe të premten nuk kryhet shenjtërimi i dhuratave. Kjo Liturgji jep raste të shkëlqyera mësimdhënieje në tema kryesisht interpretuese të fragmenteve të Dhiatës së Vjetër dhe përbën një kujtesë praktike për pjesëmarrje më të shpeshtë në Kungatën hyjnore, sipas qëllimit të Kishës dhe mësimdhënies së Etërve.
E Shtuna e parë e Kreshmës së Madhe i kushtohet kujtimit të Shën Theodhor Tironit. E dyta, e treta dhe e katërta quhen Të Shtunat e Shpirtrave, meqenëse i janë kushtuar kujtimit të të vdekurve. Mesha Hyjnore e të Shtunës së Pestë bëhet për nderim të Hyjlindëses. Gjatë të Shtunave të Shpirtrave himnet liturgjike luten universalisht për gjithë të fjeturit dhe gjatë Mëngjesoreve për të vdekurit, të quajtura parastasis ose panihidha, të vdekurit përmenden me emra. Në Meshën Hyjnore janë shtuar litani dhe lutje dhe këndimet nga Shkrimi i Shenjtë iu referohen të vdekurve dhe shpëtimit të tyre prej Krishtit.
E gjithë kjo përpjekje gjatë gjithë kësaj periudhe që shpjeguam më lart do të finalizohet në festën e festave, Ngjalljen e Krishtit, Pashkë e Madhe.
Kreshmë të mbarë!