APOSTULLI – Efesianëve 5:25-33.
Ju burrat duajini gratë tuaja, siç deshi edhe Krishti kishën, edhe dha veten e tij për të, që ta shenjtërojë, duke e pastruar atë me larjen e ujit, me anë të fjalës; që ta nxjerrë atë përpara vetes kishë të lavdishme, pa pasur njollë, ose rrudhë, a ndonjë të tillë, por që të jetë e shenjtë e patëmetë.
Kështu e kanë për detyrë burrat të duan gratë e tyre, si trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten e tij. Sepse askush ndonjëherë s’e urreu trupin e tij, po e ushqen dhe e ngroh, sikurse edhe Zoti kishën. Sepse jemi pjesë të trupit të tij, prej mishit të tij dhe prej eshtrave të tij.
“Prandaj njeriu do të lerë të atin e të ëmën dhe do të ngjitet pas gruas së tij, edhe do të jenë të dy një mish.” Ky mister është i madh; por unë e them për Krishtin dhe për kishën.
Po edhe ju, secili veç e veç kështu le ta dojë gruan e tij si veten e tij; edhe gruaja le t’i druhet burrit.