Profeti Osia. Oshënar dëshmor Andrea në Krisi. Anargjendët Kozma e Damian, arabë dhe tre vëllezërit e tyre dëshmorë; Leonti, Anthimi dhe Efprepi (Eftropi).
Profeti Osia
Profeti i shenjtë Osia (Hosea), biri i Berit, ishte nga fisi i Izaharit dhe jetoi gjatë mbretërimit të Jeroboamit, biri i Joas dhe të pasuesve të tij, mbretër të mbretërisë skizmatike të Izraelit (ose të Samarisë, rreth 734 para Kr.). Ashtu si edhe shumë profetë të tjerë, Osia nuk ishte vetëm interpretues i mesazheve të Perëndisë për popullin e tij, por përmes jetës së tij na zbulon misteret e planeve të Perëndisë.
Në fakt, Zoti e porositi të martohej me një grua të përdalë, e cila ishte jobesnike, ashtu si populli i Izraelit nuk ishte besnik në besëlidhjen hyjnore që kishte bërë me Zotin, por ishte dhënë pas idhujtarisë.
Me tone drithëruese, Osia shpreh në profecinë e tij dashurinë e zhgënjyer të Zotit dhe kërcënimet e ndëshkimeve të tmerrshme që e presin popullin kurorëshkelës: invazioni i huaj dhe internimi. Ndonëse Perëndia ndëshkon për shpëtim, ai e do popullin që e zgjodhi për “të shfryrë zemërimin e tij të zjarrtë” (Osia 11.9). Perëndia do ta udhëheqë përsëri popullin e tij në shkretëtirë (d.m.th. në internim), si dhe në kohën e daljes nga Egjipti (Osia 2.16), që “ta tërheqë e të flasë në zemrën e tij”, dhe që në pendim e lot, gruaja të kthehet përgjithmonë drejt Dhëndrit të saj hyjnor e të gëzohet përjetësisht me paqen, dhembshurinë dhe dashurinë e tij.
Atëherë Perëndia do t’i thotë Kishës: “ti je populli im”, dhe ajo do t’i thotë: “Perëndia im!” (Osia 2.20). Ky pajtim i Perëndisë me popullin e tij do të realizohet atëherë kur Krishti të vijë, siç pohon edhe Osia, t’i çlirojë njerëzit nga pushteti i vdekjes dhe kur të thërresim në dritën e agimit të Pashkës: “Vdekja u përpi nga fitorja. Ku është, o vdekje, thumbi yt? Ku është, o had, fitorja jote?” (Osia 13.14 & I Kor. 15.55).
Pasi kreu misionin që Perëndia i besoi, Osia fjeti në paqe dhe u varros në tokën e etërve të tij. Në paraqitjen fizike ngjasonte me Joakimin, atin e Hyjlindëses, dhe më shumë me Josifin, kujdestarin e saj.
* * * * *
Anargjendët Kozma e Damian, arabë, dhe tre vëllezërit e tyre dëshmorë:
Leonti, Anthimi dhe Eftropi.
Duhet të dimë se Kisha feston tre çifte shenjtorësh Anargjendë me emrin Kozma e Damian. Të parët kremtohen më 1 nëntor dhe vinin nga Azia e Vogël, bij të gruas së devotshme Theodhota. Fjetën në paqe dhe u varrosën në Feremas.
Të dytët kremtohen më 1 korrik dhe ishin romakë. Këta i vrau me gurë zotëria i tyre që ishte i keq dhe xheloz.
Sa për shenjtorët që festojmë sot, janë arabë. Njihnin shkencën e mjekësisë dhe shkonin qytet më qytet, fshat më fshat për të shëruar falas të sëmurët që takonin, duke shpallur edhe ardhjen e Krishtit, mjekut të vërtetë të shpirtrave dhe trupave.
Kur Diokleciani dhe Maksimiani (284-305) nisën persekutimin e tyre kundër të krishterëve, anargjendët, së bashku me tre vëllezërit e tyre Leontin, Anthimin dhe Efprepin(Eftropi), u kthyen në një qytet të Likisë me emrin Egje dhe u paraqitën para qeveritarit për të rrëfyer besimin e tyre te Krishti. Ua lidhën duart dhe këmbët dhe i hodhën në det. Por një engjëll i Perëndisë i ruajti të paprekur dhe i nxori në breg. Katilët i kapën përsëri dhe i hodhën në një furrë të zjarrtë, por përsëri pa sukses. Së fundi, i kryqëzuan dhe ua prenë kokat.