Dëshmorët Nazari, Gjervasi, Protasi, Kelsi.

Shën Nazari jetoi nën mbretërimin e perandorit Neron (rreth viteve 54 dhe 68) në një familje të pasur e fisnike të Romës. Babai i tij Afrikani dhe nëna Perpetua ishin kthyer në besim nga apostulli i shenjtë Petro. Nazari u pagëzua nga pasuesi i apostull Petros në fronin episkopal, nga shën Lini. Kur arriti në moshën 20-vjeçare, përshkoi tërë qytetet e Italisë që të përhapte Lajmin e Mirë. Solli në besën e vërtetë shumë paganë dhe i pagëzoi.
Dhjetë vjet më vonë, ndërsa kalonte në qytetin e Piaçencës, njohu shën Gjervasin dhe shën Protasin, të cilët i kishte burgosur qeveritari Anulinus, ndërkohë që për ta, fama si çudibërës dhe apostuj të guximshëm të Krishtit, ishte përhapur në tërë Italinë. Puthën njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë dhe u përgatitën së bashku për martirizim.
Kur qeveritari mori vesh se Nazari ishte në atë qytet, urdhëroi ta rrihnin dhe ta dëbonin nga qyteti. Shenjti u nis për në Gali. Arriti në qytetin Simiez. Atje u mblodhën shumë njerëz rreth tij, madje një grua u afrua me fëmijën e saj tre vjeç dhe e la në këmbët e tij duke i thirrur: “Merre me vete këtë fëmijë. Le të të ndjekë atje ku të shkosh, që të gjykohet i denjë për t’u shfaqur pranë fronit të Krishtit”. Nazari e mori me vete, e pagëzoi me emrin Kelsi dhe të dy u nisën për shpalljen e Ungjillit në qytete të tjera të Galisë.
Kur u kapën nga guvernatori Dinobaus, Nazarit iu desh t’u përgjigjej pyetjeve mbi identitetin e tij dhe të fëmijës, ndaj tha: “Jam romak nga origjina, por i krishterë dhe adhuroj të Kryqëzuarin”. Magjistrati mizor e rrëmbeu fëmijën dhe e rrahu pa pikë mëshire. Por fëmija belbëzoi dhe tha këto fjalë të mençura: “Perëndia që adhuroj do të të gjykojë për këtë, o gjykatës i padrejtë”. Nazari dhe Kelsi shpëtuan nga mbështetja e gruas së guvernatorit, e cila kishte pasur një vizion të tmerrshëm në lidhje me ta.
Më vonë u nisën për në Trevë, shpallën Krishtin dhe i hodhën poshtë idhujt. Përsëri i zunë robër, i çuan në Romë me urdhër të perandorit Neron, atje i morën në pyetje dhe i hodhën në liqen. Edhe prej andej shpëtuan dhe mundën të vazhdonin misionin e tyre qytet më qytet derisa arritën në Milano. Atje gjetën Gjervasin dhe Protasin, të cilët përgatiteshin të përballeshin me provën e fundit, me martirizimin. Të gjithë ishin mbushur me gëzimin e takimit me Zotin, duke u kunguar (duke marrë pjesë) me pësimin e Tij. Megjithëse ishte i vogël, Kelsi nuk ishte më pak gati se të tjerët për të duruar mundimet për dashurinë e Krishtit.
Që të katërt ecën drejt vendit të ekzekutimit dhe fytyrat u shndrisnin, sikur shkonin për gosti. Ua prenë kokat. Kelsi ishte 9 vjeç e 7 muaj kur ia prenë kokën. Lipsanet e tyre të shenjta u gjetën gjatë qeverisjes së perandorit Theodhos (379-395) nga shën Ambrozi, dhe kryejnë shumë mrekulli në qytetin e Milanos, ku edhe nderohen.