UNGJILLI – Llukai 9:7-11.

Edhe Herod tetrarku dëgjoi gjithë ato që bëheshin prej atij; edhe mahnitej, sepse disa thoshin se Joani është ngjallur prej së vdekurish. Edhe disa, se Ilia u shfaq; edhe të tjerë, se është ngjallur ndonjë prej profetëve të moçëm.
Edhe Herodi tha: Joanit unë i preva kryet; po ky, për të cilin dëgjoj të këtilla punë, cili është? Edhe kërkonte ta shihte.
Edhe apostujt si u kthyen, i treguan Jisuit gjithë sa bënë; edhe ai i mori me vete dhe u hoq veçan në një vend të shkretë të një qyteti që quhej Betsaida.
Edhe turmat kur e morën vesh, i shkuan pas; edhe ai si i priti, u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe ata që kishin nevojë për shërim i shëroi.