Oshënar Simeoni, Theologu i Ri.

Lindi në vitin 957 në Paflagoni të Azisë së Vogël. Prindërit e tij të shquar, Vasil dhe Evgjeni (në vend tjetër: Theofano) e dërguan në moshë të re pranë xhaxhait të tij oborrtar në Konstandinopojë që të studionte dhe të shquhej. U bë oficer i rangut të lartë, edhe pse këtë gjë nuk e kishte dhe aq qejf, sepse ishte njohur me Simeon Shpresëtarin, një murg të Manastirit të Studitit. Pasi kishte parë dy vegime, u shkëput krejtësisht nga bota dhe në moshën 27-vjeçare hyri si praktikant në Manastirin e Studitit. Pas një viti u vendos në Manastirin fqinj të Shën Mamas, ku u dorëzua murg (987).
Po atë vit, pas vdekjes së igumenit Andon, u zgjodh pasardhës i tij dhe u dorëzua prift. Shenjtëria (bëri edhe mrekulli), dhuntia didaktike, mençuria e tij, shumë shpejt e bënë manastirin deri atëherë të parëndësishëm, një qendër mbarëkristiane. Ringjalli nga harresa “Teorinë” dhe jetën mistike të Etërve të vjetër dhe këmbënguli për mundësinë për të parë Perëndinë, për shkëlqimin e “Dritës së pakrijuar”. Ai dallonte tre stade të hyjnizimit: praktikën (përpjekje për virtytin), dijen (e Perëndisë) dhe theologjinë (teori, pamje e mistereve hyjnorë). Në vitin 1012 ai la drejtimin e vëllazërisë dhe iu përkushtua jetës izikaste (të qetësisë dhe heshtjes) dhe të shkruarit.
U internua (1019 ose 1020), sepse nderonte si shenjtor jerontin e tij, tashmë të fjetur, Simeon Shpresëtarin. U thirr përsëri shumë shpejt, por ai nuk donte të braktiste manastirin e ri të Shën Marinës që kishte ngritur në vendin e internimit. Fjeti në vitin 1035. Përvoja direkte personale e Perëndisë dhe shkrimet e tij të shkëlqyera (“Himne të dashurive hyjnore”, “Kapitale”, Vepra katekiste, letra, shkrime kundërshtuese) i dhanë atij titullin “Theolog” – pas apostullit Joan (26 shtator) dhe Grigor nazianzinit (25 janar). Ai kremtohet më 12 tetor, ngaqë data e saktë e përkujtimit të tij (12 mars) bie nën hijen e Kreshmës së Madhe.

* * * * *

Dëshmorët Taraku, Provi, Androniku.

Këta martirë të shenjtë jetuan gjatë kohës së Dioklecianit dhe qeveritarit Flavian (rreth 304). Qytetar romak dhe ushtar, Taraku ishte tashmë i moshuar. Atdheu i tij ishte Klaudiopolis në Isavri. Provi ishte qytetar i qytetit të Sidesë në Pamfili dhe Androniku vinte nga një familje fisnike e Efesit.
Kur i zbuluan se ishin të krishterë, i çuan në Pompeipolis në Kiliki, pastaj i paraqitën në gjykatën e qeveritarit Numerian Maksimi, në Tars, më pas në Mopsuest, pastaj për herë të tretë në qytetin e Anazarbës. Kërcënimet e gjykatësit nuk patën efekt para qëndrimit të Tarakut, ndaj ia thyen nofullat me gurë, pa pasur mëshirë për moshën e tij. Kur erdhi rradha e Provit, ai i tha Maksimit që të mos e merrte në pyetje kot, por ta kalonte direkt në tortura. E goditën mizorisht me kamxhikë lëkure demash, dhe Provi i kërkoi gjykatësit që të kishte mëshirë jo për të, por për veten e tij. I tha këto fjalë: “Ky gjak është vaj dhe parfum për mua, me të cilin vajosem me gëzim për beteja të reja!”. Androniku ishte më i riu dhe dëshmoi se do të vuante për të fituar jetën e përjetshme, prandaj e varën në një shtyllë; ia prenë këmbët me lima të holla, pastaj ia dogjën brinjët dhe mbi plagët i hodhën kripë.
Disa ditë më vonë, i nxorën përsëri para gjykatësit. Tarakun e varën me kokë poshtë mbi zjarr. Pastaj i derdhën narden përzier me uthull e kripë në vrimat e hundëve. Para se ta fusnin sërish në burg, Provi u tall me idhujt dhe idhujtarët, kështu ata e vunë mbi skara hekuri të skuqur në zjarr pastaj, si ia shkulën lëkurën e kokës, mbi të i vunë thëngjij të ndezur dhe ia prenë gjuhën. U përpoqën ta provonin përsëri me Andronikun, i cili nuk reshti së talluri me ta. Kur me dhunë i futën në gojë mishra të flijuara dhe verë, shenjti përqeshi marrëzinë e magjistratit që mendonte se e kishte bindur, duke shpallur se për të krishterët vetëm apostazia (mohimi) e vullnetshme është njollë dhe humbje.
Përfundimisht, pas marrjes në pyetje për herë të tretë, Maksimi organizoi lojëra me bisha dhe gladiatorë, duke parashikuar ekzekutimin e tre martirëve si një spektakël. Për shkak të keqtrajtimeve shenjtorët nuk mundën të ecnin, por i çuan në arenë dhe i hodhën te bishat e egra, të cilat kishin ngrënë shumë njerëz më përpara. Nuk ndodhi ashtu siç pritej; një ari i tmerrshëm erdhi dhe lëpinte me qetësi plagët e Andronikut, sikur ta ngushëllonte, dhe një luaneshë luante me Tarakun. I tërbuar nga këto pamje që sollën admirimin e turmës, qeveritari Maksim urdhëroi të priteshin copa-copa tre atletët e Krishtit nga gladiatorët në mes të amfiteatrit. Kur erdhi nata, fal ndërhyrjes së Perëndisë, të krishterë të devotshëm i gënjyen rojat dhe varrosën ç’kishte mbetur nga trupat e tre martirëve në një shpellë në mal.