APOSTULLI – Efesianëve 2:19-3:7.
Prandaj nuk jeni më të huaj e të jashtëm, por bashkëqytetarë të shenjtëve dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë; sepse u ndërtuat mbi themelin e apostujve e të profetëve, ku gur qosheje është vetë Jisu Krishti, në të cilin e gjithë ndërtesa e lidhur bashkë rritet në një tempull të shenjtë në Zotin, në të cilin edhe ju jeni ndërtuar së bashku për të qenë banesë e Perëndisë me anë të Frymës.
Prandaj unë, Pavli, i burgosuri i Krishtit Jisu për ju kombet edhe nëse dëgjuat ekonominë e hirit të Perëndisë që m’u dha për ju, se si me zbulesë ma bëri të njohur misterin, siç ju shkrova përpara me pak fjalë, prej të cilave duke i lexuar mund të kuptoni mendjen time në misterin e Krishtit, mister i cili në brezat e tjerë nuk iu bë i njohur bijve të njerëzve, siç iu zbulua tani apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve me anë të Frymës, që të jenë kombet bashkëtrashëgimtarë e një trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin me anë të ungjillit, të cilit unë iu bëra shërbëtor sipas dhuratës së hirit të Perëndisë, që m’u dha sipas veprimit të fuqisë së tij.