APOSTULLI – Galatianëve 3:16-22.
Edhe premtimet iu thanë Abrahamit edhe farës së tij; nuk thotë: Edhe farave, si për shumë, po si për një: “Edhe farës sate”, që është Krishti.
Edhe këtë e them, se dhiatën që qe vërtetuar më përpara prej Perëndisë në Krishtin, ligji që u bë pas katërqind e tridhjetë vjetësh nuk e hedh poshtë që të prishë premtimin.
Sepse në qoftë se trashëgimi është prej ligji, nuk është më prej premtimi; po Perëndia ia fali këtë Abrahamit me anë të premtimit.
Përse pra u dha ligji? U shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte fara, së cilës i qe bërë premtimi; edhe ky ligj u urdhërua me anë të engjëjve me dorë ndërmjetësi.
Edhe ndërmjetësi nuk është vetëm i njërit; po Perëndia është një.
Ligji pra qenka kundër premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë!
Sepse në është dhënë ligj që mund të japë jetë, atëherë drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.
Por shkrimi i mbylli të gjitha nën mëkat, që t’u jepet premtimi prej besimit në Jisu Krishtin atyre që besojnë.