UNGJILLI – Llukai 4:38-44

Edhe Jisui si u ngrit prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit, edhe të vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të mëdha; edhe iu lutën për të. Edhe si qëndroi mbi të, i qortoi ethet, edhe e lanë; edhe ajo menjëherë u ngrit e u shërbente. Edhe kur po perëndonte dielli, gjithë sa kishin të sëmurë prej çdo lloj lëngatash, i prunë tek ai; edhe ai duke vënë duart mbi secilin prej tyre, i shëroi ata. Edhe prej shumë vetëve dilnin edhe demonë duke klithur e duke thënë se ti je Krishti, i biri i Perëndisë. Edhe ai duke i qortuar s’i linte të flitnin, sepse e njihnin se ai ishte Krishti.
Edhe si u bë ditë, doli e shkoi në një vend të shkretë; edhe turmat e kërkonin atë, edhe erdhën deri aty; edhe e mbanin, që të mos ikte prej tyre. Po ai u tha atyre, se edhe nëpër qytetet e tjera duhet të ungjillëzoj mbretërinë e Perëndisë; sepse për këtë jam dërguar. Edhe predikonte nëpër sinagogat e Galilesë.