– Jetëndërrimi i Apostull e Ungjillor Joan Theologut –
Shën Joani vinte nga një familje e varfër e Betsaidas. Ishe bir i Zevedheut, peshkatar, dhe i Salomesë, bijës së Josifit, të Fejuarit të Hyjlindëses. Në fakt, Josifi pati nga martesa e tij e parë katër djem: Jakovin, Joseun, Judën dhe Simonin (ose Simeonin); dhe tri bija: Esterin, Martën dhe Salomenë. Prandaj, sipas botës, Zoti ynë Jisu Krisht ishte ungji i shën Joan Theologut, meqë mund të quhet gjysmë vëlla i nënës së tij Salome. Joani ndihmonte të atin, Zevedheun, në peshkim bashkë me vëllain e tij, Jakovin, kur Zoti i thirri ta ndiqnin dhe të bëheshin peshkatarë njerëzish. Ai la çdo gjë në arë për të pasuar mësimin qiellor. E donte kaq shumë pastërtinë dhe asketizmin, më shumë se gjithë dishepujt e tjerë, sa u bë i denjë për titullin ‘i virgjër’. Dhe dashuria për Krishtin ishte e zjarrtë, sjellja e shkëlqyer sa, midis të gjithëve, u bë dishepulli shumë i dashur. Afërsia me Krishtin ishte po aq e madhe, ndaj ishte dhe një nga të tre dishepujt që u ngjit me Të në malin Thavor për të soditur hyjninë e Fjalës së tërëshkëlqyer në trupin e tij dhe për të dëgjuar zërin prej qiellit: “Ky është biri im i dashur, që e pëlqeva. Atë dëgjoni” (Matth. 17.5). Atë zgjodhi Mësuesi për t’u ulur pranë tij dhe për t’i rënë në kraharor gjatë Darkës Mistike (Jn. 13.23). Kur Krishti ra në duart e judenjve, Joani e ndoqi deri në oborrin e kryepriftit (Jn. 18.15). Kur Zotin e kryqëzuan, Ai qëndroi vetëm me Hyjlindësen në këmbët e Kryqit. Dhe atëherë Krishti tha këto fjalë: “Grua, ja yt bir”. Pastaj i tha Joanit: “Ja jot ëmë”. Dhe që atëherë, dishepulli i virgjër e mori Virgjëreshën në shtëpinë e vet (Jn. 19.27).
Kur u dha lajmi i Ngjalljes, Joani i doli përpara Petros duke vrapuar te varri. Ai hyri i pari dhe pa pëlhurat që preheshin në varr (Jn. 20.5-6). E pa Krishtin pas Ngjalljes dhe me dishepujt e tjerë morën prej Tij misionin të shkonin e të predikonin në mbarë botën Lajmin e Mirë kur hukati mbi ta dhe u dha dhuratën e Shpirtit të Shenjtë në formë flakësh zjarri ditën e Pentikostisë (Vep. 1-2). Ai mbeti i fundit në Jerusalem, bashkë me Hyjlindësen, për t’i shërbyer asaj deri në Fjetje.
Kur do të ndaheshin për të predikuar në tërë krahinat e botës, apostujt hodhën short. Joanit i ra ungjillëzimi i Azisë së Vogël, e cila në atë kohë ishte mbushur nga idhujtaritë dhe ishte dorëzuar në gabimet e paganëve. Kjo e fundit e hidhëroi pa masë Joanin, i cili duke qenë njeri, ende nuk e kishte vënë shpresën e tij te fuqia e pamposhtur e Perëndisë. Për ta pastruar këtë dobësi njerëzore, Perëndia i bëri të njohur se duhet t’i nënshtrohej provës së stuhisë dhe tërbimit të dallgëve për katër ditë, para se të arrinte në destinacion. Përgjatë furtunës, nxënësi i Joanit, Prohori, u rrëmbye nga dallgët dhe u gjend në brigjet e Seleucisë. Atje u akuzua për magji nga banorët e qytetit dhe si i dyshuar për grabitjen e parasë së anijes që u mbyt. Iu desh të arratisej dhe arriti për 40 ditë në një qytet të Azisë së Vogël, me emrin Marmariot, ku gjeti edhe mësuesin e tij, të cilin dallgët e kishin lënë po aty.
Nga ky qytet, u kthyen në Efes, ku ranë në duart e një gruaje me emrin Romana, e fejuara e guvernatorit Privatus. Ajo i detyroi të shërbenin në kushte çnjerëzore në një banjë që i përkiste asaj, ku strehohej një demon. Atje e kishin zakon që tri herë në vit të hidhnin një djalë apo vajzë të re, si fli për demonin. Teksa punonin që prej tre muajsh, demoni kapi një farë Domnus, i afërt i Romanës, dhe e mbyti në banjë. I shtyrë prej padrones së tij, e cila e konsideronte shenjtin si magjistar, Joani e ngjalli me anë të lutjes. Duke përfituar nga admirimi që ngjalli te Romana dhe të afërmit e saj, ai i katekizoi, i pagëzoi dhe dëboi demonin me lutje.
Efesianët kishin devocion për perëndeshën Artemis, dhe në mënyrë periodike i celebronin festa të mëdha për ta nderuar. Një herë gjatë këtyre festave, Joani u ngjit mbi kodrën ku lartësohej statuja e madhe e Artemisit për të folur para turmës. Kur paganët e panë, u tërbuan dhe e qëlluan me gurë. Por me hirin e Perëndisë asnjë nga gurët nuk e preku shenjtin. Të gjithë ranë mbi statujën, e cila u bë copë nga vetë adhuruesit e saj. Të shurdhët për këto shenja të Perëndisë dhe për fjalimet e shën Joanit, ata donin ta vrisnin me gurë; por gurët u kthyen mbrapsht, dhe me lutjen e apostullit, toka u drodh papandehur dhe gëlltiti më shumë se dyqind mes tyre. Të tjerët erdhën më në fund në vete, e lutën shenjtin të ndërmjetonte që të gjenin mëshirë ata që vdiqën. Kur shën Joani ndërmjetoi për ata, atëherë dolën tërë të gëlltiturit prej tokës, e nderuan shenjtin dhe u pagëzuan.
Me shtimin e mrekullive të Joanit dhe me kthimin te Krishti, djalli që banonte në tempullin e Artemisit mori pamjen e një oficeri perandorak, i cili vajtonte se i kishin shpëtuar dy magët me pushtet të jashtëzakonshëm dhe premtonte shpërblim të madh për ata që do t’i gjenin që t’i dënonte me vdekje. Duke e pasur syrin e mendjes të ndriçuar prej Shpirtit të Shenjtë, Joani e kuptoi dredhinë e demonit. I fortë në fuqinë e Perëndisë, u dha vetë te paganët i shoqëruar nga Prohori. I kapën dhe i tërhoqën zvarrë deri në tempullin e Artemisës. Atje Joani iu lut Perëndisë që të shkatërrohej tempulli pa cenuar asnjë jetë njeriu. Sa u tha lutja, kulti pagan ra dhe Joani dëboi vetëm me një fjalë demonin që banonte atje për 249 vjet, dhe shumë paganë, të befasuar nga ngjarja, besuan te Krishti.
Fama e Joanit arriti deri te perandori Dometian, i cili dërgoi ta kapnin shenjtin. Kur e mori në pyetje, ai konstatoi se siguria që kishte shenjtori te Krishti ishte më e fortë se tërë fuqitë tokësore, e atëherë vendosi ta internonte në ishullin Patmos, duke menduar se kështu do të ulte ndikimin e tij. Gjatë udhëtimit të tij, Joani, i shoqëruar nga Prohori, tregoi dashamirësinë e Perëndisë ndaj njerëzve, shëroi nga dizenteria ushtarët e eskortës. Me të mbërritur në Patmos, ai shëroi Apolonidin nga një frymë e papastër, të birin e një Mironi, aristokrat i ishullit. Falë kësaj mrekullie dhe fjalës së shenjtit, e tërë shtëpia e tij besoi më Krishtin dhe u pagëzua; më vonë u pagëzua gjthashtu dhe guvernatori i ishullit.
Gjatë qëndrimit në Patmos, Joani mori një letër nga episkopi i Athinës, Dionis Areopagjiti, i cili atëherë ishte në moshën 99-vjeçare. Ndër të tjera lavdërime, ai e quante diell të Ungjillit dhe profetizonte çlirimin e tij të afërt. Në fakt, kur Trajani erdhi në fronin e Veronit (98), e thirri Joanin në Efes. Kjo shkaktoi dhimbje të madhe te banorët e Patmosit, të cilët nuk donin që ai të largohej prej tyre. Duke mos dashur t’i linte jetimë dhe duke i siguruar me shenjë hyjnore, u ngjit në mal bashkë me Prohorin dhe i drejtoi te Perëndia tërë fuqitë e shpirtit të tij. Papritur rrufe dhe vetëtima të frikshme çanë qiellin dhe thërrmuan malin. I çuditur, Prohori ra përtokë si i vdekur, ndërsa Joani rrinte i qetë në soditjen e vet: sepse “dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (I Jn. 4.18). Dëgjoi një zë bubullime të buçiste nga qiejt lart: “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi…” (Jn. 1.1).
Prohori shkroi këtë mesazh të shpëtimit, që iu zbulua Joanit ashtu si dikur Ligji Moisiut në malin Sina: jo më vetëm për popullin e hebrenjve, por për tërë anët e tokës.
Ishte pikërisht në Patmos kur një të diel ra në ekstazë dhe pa Krishtin t’i shfaqej me pamjen e një të riu, “fytyra e të cilit shkëlqente më shumë se dielli në shkëlqimin e tij”. Duke e siguruar, ai i tha Joanit: “Mos u frikëso, unë jam i pari dhe i fundit, edhe ai që rron; edhe qeshë i vdekur, edhe ja tek jam i gjallë në jetë të jetëve. Amin. Edhe kam çelësat e hadhit dhe të vdekjes. Shkruaj ato që pe, edhe ato që janë, edhe ato që do të bëhen pas këtyre” (Apok. 1.17 etj.) Pastaj, ai i zbuloi (Apokalips: zbulesë) në vizione madhështore se ç’do të ndodhë në fund të kohëve: do shtoheshin paudhësitë, ardhja e antikrishtit, beteja e tij kundër besnikëve dhe lufta e tij e fundit kundër Krishtit, i Cili do ta hedhë përfundimisht një herë e përgjithmonë në Ferr djallin dhe engjëjt e tij; ai soditi gjithashtu edhe tronditjet e botës, konsumimin e gjithçkaje nën zjarrin hyjnor dhe, në fund, triumfin e Birit të njeriut, ngjalljen e të gjithëve dhe Gjykimin e Fundit. Libri i Apokalipsit të shën Joanit është edhe libri i fundit i Shkrimit të Shenjtë, i cili përfundon me skenën sublime të ardhjes së Jerusalemit Qiellor, të Qytetit të Shenjtë e të përjetshëm, ku Perëndia do të banojë përgjithmonë me njerëzit, si Dhëndri i bashkuar me Nusen. I përsosur në të gjitha pjesët e tij, ky qytet i ngjante arit të kulluar që shëmbëllente me kristalin. Edhe themelet e murit të qytetit ishin zbukuruar me lloj-lloj gurësh të çmuar; dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë. “Edhe tempull nuk pashë në të, raporton shën Joani; sepse tempulli i atij është Zoti, Perëndia i Gjithëpushtetshëm, dhe Qengji. Edhe qyteti s’ka nevojë për diell, as për hënë, që të ndriçojnë në të; sepse lavdia e Perëndisë e ndriti atë, edhe drita i tij është Qengji” (Apok. 21. 22-24).
Pastaj, si mbylli librin e zbulimeve hyjnore, apostulli i dashur, i cili u gjykua i denjë të sodiste misteret e pakapshme, i ftoi besimtarët të prisnin në heshtje dhe lutje ardhjen e Zotit:
Apostulli jetoi në paqe ditët që i kishin mbetur nga jeta në Efes, duke i sjellë Krishtit një numër të madh paganësh. Ishte 56 vjeç kur doli nga Jerusalemi për të predikuar Ungjillin. Për nëntë vjet predikoi derisa e internuan. Ai kaloi 15 vjet në Patmos, dhe jetoi edhe 26 vjet pas kthimit të tij, kështu që numri i viteve të tij ishte 105 vjet e 7 muaj. Kur u njoftua nga Perëndia për largimin nga kjo jetë, i porositi dishepujt e tij t’i hapnin një gropë në rërë në formë kryqi. I puthi dhe i ngushëlloi të gjithë, u shtri në gropë; pastaj, pas lamtumirës së fundit, ata e mbuluan deri në fyt, dhe ia mbuluan fytyrën në çastin kur u ngrit dielli.
Kur u kthyen në qytet duke qarë, dishepujt e tjerë të shenjtit donin të shkonin në vendin ku e varrosën. Gërmuan vendin, por s’gjetën gjë. Sipas traditës së Etërve të shenjtë, shën Joani është ngjallur dhe ngjitur në qiell, sikundër Hyjlindësja, në përmbushje të fjalëve enigmatike të Zotit kur iu përgjigj Petros që e kishte pyetur për Joanin: “Nëse dua të mbesë ai deri sa të vij unë, ti ç’ke?” (Jn. 21.22). Me këtë ai nuk donte të thoshte se dishepulli i dashur nuk do të vdiste, por më tepër se për të ruhej një short i veçantë, që e vinte mënjanë deri në Ardhjen e tij.