– Dëshmore Ariadhni –
* * * * *
– Oshënar Evmeni i Kretës –
* * * * *
– Oshënar Romili në Ravenicë –
Shën Romili lindi rreth vitit 1300 në qytetin e Vidinit, në brigjet e Danubit, nga prindër shpresëtarë. I ati ishte me origjinë greke dhe nëna me origjinë bullgare. Mori emrin Rajko dhe që në rini shfaqi një dashuri të madhe për studim. I habiste prindërit me inteligjencën dhe urtësinë që kishte.
Kundër dëshirës së prindërve, ai u largua fshehurazi nga atdheu për t’u bërë murg në një manastir të krahinës së Tirnovos. Pas një periudhe si rishtar, mori skimën murgërore në emrin e Romanoit dhe kreu me shpresëtari detyrën e kujdestarit të kishës. Ishte pikërisht koha kur aty erdhën nga Mali i Shenjtë shën Grigor Sinaiti dhe nxënësit e tij. Pasi mësoi për doktorin e lutjes së zemrës dhe të jetës hezikaste, Romanoi mori lejen të shkonte dhe të jetonte në drejtimin e shën Grigorit, bashkë me një vëlla tjetër, Hilarionin.
Duke pasur një fizik të fortë, Romanoi kryente punët më të vështira dhe tregonte bindje absolute ndaj shën Grigorit. Për më tepër iu ngarkua detyra e përkujdesjes për të sëmurët dhe në veçanti për një plak zemërak, shëndeti i të cilit kërkonte në çdo kohë peshk të freskët. Romanoi tregoi ndaj tij durim të madh në të gjitha provat, duke shkuar edhe në mes të dimrit në një lumë aty pranë, të mbuluar nga akulli, për të peshkuar.
Nga këto virtyte, Romanoi u bë me të vërtetë një martir i vullnetshëm, që sakrifikonte shpirtin e tij në çdo rast për hir të dashurisë për të afërmin. Kur plaku vdiq, i ndjekur pak më vonë edhe nga shën Grigori, ai u vendos bashkë me Hilarionin në drejtimin e një ati tjetër shpirtëror. Por kjo për pak kohë, sepse kusarët që ndodheshin me shumicë në atë krahinë i detyruan të shkojnë në rrethinat e Stara Zagoras. Romanoi mori atëherë Hilarionin, që ishte më i vjetër në moshë, si atin e tij në Krishtin dhe meqë mbreti bullgar, Aleksandri, i kishte dëbuar kusarët, ata u kthyen në manastirin e shën Grigorit, për të komunikuar gjatë gjithë kohës me Perëndinë me anë të lutjes së zemrës. Virtytet që kishte fituar tashmë si një natyrë e tij e dytë dhe lutja e vazhdueshme bënë që ai të merrte një hir të madh e në veçanti dallohej për virtytin e lotëve të vazhdueshëm.
U vesh me skimën e madhe murgërore me emrin Romil dhe mori bekimin nga Hilarioni që të bënte një jetë krejtësisht si eremit. Por meqë turqit kishin pushtuar krahinën duke bërë shkatërrime të pallogaritshme, Romili iku në Malin e Shenjtë dhe bashkë me nxënësin e tij, Grigorin, u vendos në afërsi të Lavrës. Etërve të Malit të Shenjtë u ranë shpejt në sy virtytet e tij dhe i bënin vizita të shpeshta për përfitim shpirtëror. Por kjo shërbeu si shkak që ai të largohej në një qeli të largët në pjerrësitë e Athosit. Lufta e turqve kundër serbëve dhe bullgarëve, vrasja e dhespotit Joan Uglesha, nxitën një numër të madh murgjish që të largoheshin nga Mali i Shenjtë, pas pushtimit të tij nga otomanët.
Shën Romili i ndoqi dhe shkuan në Vlorë, në Shqipëri ku kaloi disa kohë duke rregulluar zakonet dhe duke mësuar banorët e krahinës, të cilët ishin larguar shumë nga Krishti. I etur për vetmi, ai shkoi pastaj në Serbi, afër manastirit të Ravanicës.
Disa kohë më vonë fjeti në paqe, duke e lënë atje trupin, i cili lëshonte erë të mrekullueshme për të shëruar të sëmurët që i afroheshin me besë.