APOSTULLI – 2 Korinthianëve 9:12-10:7.
Sepse kryerja e këtij shërbimi jo vetëm plotëson nevojat e shenjtëve, po edhe tepron me shumë falënderime për Perëndinë, sepse duke provuar këtë shërbim, ata lavdërojnë Perëndinë për bindjen e rrëfimit tuaj në ungjillin e Krishtit, edhe për bujarinë me të cilën u ndihmoni atyre dhe të gjithëve. Dhe lutjet e tyre për ju, janë plot me dashuri për ju, për hirin e shumtë të Perëndisë mbi ju. Dhe hir i qoftë Perëndisë për dhuratën e tij të patregueshme.
Edhe vetë unë Pavli ju lutem nëpërmjet butësisë e ëmbëlsië së Krishtit, unë i cili faqe jush jam i përulur, e nga larg i guximshëm ndaj jush; edhe ju lutem, që, kur të jem i pranishëm, të mos marr guxim me besimin, me të cilin mendoj të jem i guximshëm kundër disave, të cilët na llogarisin sikur ecim sipas mishit. Sepse, ndonëse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit.
Sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, po të forta prej Perëndisë për të shembur fortesa; sepse shembim mendime dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë, dhe robërojmë çdo mendim që t’i bindet Krishtit; edhe jemi gati të marrim shpagim për çdo mosbindje, kur bindja juaj të bëhet e plotë.
Ju shihni ende ato që duken në sipërfaqe. Nëse ndonjë beson në vetvete se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetvetja, se, siç është ai i Krishtit, kështu edhe ne jemi të Krishtit.