– Lartësimi i Kryqit të Nderuar (Stavros) –
Në kohën që përgatitej të shkonte në Romë e të luftonte kundër rivalit të tij, Maksentit, Konstandini i Madh pa një natë shenjën e Kryqit jetëbërës t’i shfaqej në formë të shndritshme në qiell të rrethuar nga këto fjalë: “Me këtë shenjë do të fitosh”. I zbukuroi armatimet me shenjën e kryqit dhe korri fitore brilante, gjë që i lejoi të merrte pushtetin mbi gjithë perandorinë romake dhe të siguronte triumfin e Krishterimit.
Në vitin e njëzetë të mbretërimit të tij, Konstandini dërgoi nënën e tij Elena në Jerusalem, që të nderonte Vendet e Shenjta, të gjente vendin e Varrit të Shenjtë dhe të Kryqit, pasi punimet për zgjerimin e qytetit nga Adriani i kishin fshehur nën rrënoja. Me ndihmën e traditave gojore, shën Elena gjeti të tre kryqet, dy të kusarëve dhe Kryqin e Zotit, si dhe tri gozhdë që kishin mbërthyer gjithashtu trupin e Zotit. Por nuk mundi dot të dallonte se cili ishte Kryqi i Zotit.
Shërimi i një gruaje që ishte në prag të vdekjes me anën e Kryqit të Zotit bëri që patriarku i Jerusalemit ta dallonte nga dy të tjerët. Atëherë ai hipi mbi amvonën e kishës, dhe e lartësoi Kryqin para të gjithëve, ndërsa turma thërriste: “Mëshiro, o Zot!” Që nga kjo ditë, Etërit e Shenjtë vendosën ta kremtonin çdo vit Lartësimin e Kryqit të Nderuar në të gjitha kishat, jo vetëm në kujtim të kësaj ngjarjeje, por për të treguar se nga instrument turpi që ishte, Kryqi u bë lavdia dhe gëzimi ynë.
Duke kujtuar atë çka bëri patriarku dhe duke e lartësuar Kryqin në katër anët e horizontit me thirrjen “Mëshiro, o Zot”, të krishterët tregojnë sot se duke u ngjitur në Kryq, Krishti ka pajtuar me veten e Tij gjithçka, ka bashkuar të gjithë krijesën në tërë lartësinë dhe thellësinë e saj në trupin e Tij, që ne të shkojmë nëpërmjet Tij tek Ati. Kjo ditë është një ditë kreshme. Edhe nëse festa bie të dielën, do të mbahet kreshmë, por përdorim vaj dhe verë.
* * * * *
– Etërit e Sinodit VI Ekumenik –
Sinodi i Gjashtë u mbajt në Konstandinopojë, në pallatin mbretëror, me urdhër të perandorit Konstandin IV Pogonati, nga viti 680 deri më 681. Në krye të Etërve të Shenjtë ishte Gjergji, Patriarku i Konstandinopojës. Papa i Romës, Agathoni, kishte dërguar tre përfaqësues. Dhe patriarkët e Aleksandrisë e të Jerusalemit kishin dërguar përfaqësues.
Tre episkopë perëndimorë që po vizitonin qytetin në atë kohë, iu bashkuan 170 Etërve, të cilët në prani të perandorit dhe gjatë 18 sesioneve dënuan doktrinën monothelite, gjithashtu përjashtuan Sergjin, Pirron, Petron, Pavlin, patriarkë të Konstandinopojës; Makarin, patriarkun e Aleksandrisë; Honorin, papën e Romës, Stefanin, Polikronin dhe Theodhorin, episkopët e Fanarit, dhe të gjithë ata që e shpallnin Krishtin se kishte vetëm një vullnet dhe një energji natyrore.
Në sajë të luftës dhe mësimit të Etërve të mëdhenj rrëfyes të besimit, Sofronit të Jerusalemit dhe Maksim Konfesorit, ata shpallën se vullneti apo energjia i referohet gjithmonë natyrës dhe jo personit, dhe si pasojë Krishti është një Person hyjnor dhe njerëzor dhe tek Ai ka dy vullnete ose energji të natyrshme, njëra hyjnore dhe tjetra njerëzore, të bashkuara pa u përzier.