UNGJILLI – Joani 19:6-11, 13-20, 25-28, 30-35.
Kur e panë atë kryepriftërinjtë dhe shërbëtorët, bërtitën duke thënë: Kryqëzoje, kryqëzoje. Pilati u thotë atyre: Merreni ju atë, edhe kryqëzojeni; sepse unë nuk gjej faj tek ai. Judenjtë iu përgjigjën: Ne kemi ligj, edhe sipas ligjit tonë duhet të vdesë, sepse e bëri veten e tij Bir të Perëndisë.
Pilati, pra, kur dëgjoi këtë fjalë, u frikësua më tepër. Edhe përsëri hyri në pretore, edhe i thotë Jisuit: Nga je ti? Po Jisui nuk i dha përgjigje. Pilati pra i thotë: Mua nuk më flet? Nuk e di ti se kam pushtet të të kryqëzoj, edhe kam pushtet të të liroj? Jisui u përgjigj, Nuk do të kishe asnjë pushtet kundër meje, po të të mos ishte dhënë prej së larti; prandaj ai që më jep në duart e tua ka mëkat më të madh.
Pilati pra kur dëgjoi këtë fjalë, solli jashtë Jisuin, edhe u ul mbi fronin e gjykimit, në një vend të quajtur Gurshtruar, edhe hebraisht Gabbathà.
Edhe ishte dita e përgatitjes së pashkës, edhe rreth orës së gjashtë; edhe u thotë judenjve: Ja mbreti juaj. Por ata bërtitën: Ngrije, ngrije, kryqëzoje. Pilati u thotë atyre: Mbretin tuaj të kryqëzoj? Kryepriftërinjtë u përgjigjën: S’kemi tjetër mbret veç Cezarit. Atëherë pra ua dorëzoi atyre, që të kryqëzohet. Edhe ata morën Jisuin, edhe u nisën.
Edhe Jisui duke mbajtur kryqin e tij doli në vendin që quhet vendi i Kafkës, që hebraisht quhet Golgotha, ku e kryqëzuan atë dhe dy të tjerë bashkë me të, andej e këtej, edhe Jisuin në mes.
Pilati shkroi edhe një titull, dhe e vuri mbi kryq; dhe ishte shkruar: Jisu Nazaretasi mbreti i Judenjve. Edhe këtë titull e lexuan shumë prej Judenjve, sepse vendi ku u kryqëzua Jisui ishte afër qytetit; edhe ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.
Edhe pranë kryqit të Jisuit ishin duke ndenjur e ëma dhe e motra e së ëmës së tij, Maria e Klopait, edhe Maria Magdalena. Jisui pra kur pa të ëmën dhe nxënësin që donte duke ndenjur pranë, i thotë së ëmës: Grua, ja yt bir. Pastaj i thotë nxënësit: Ja jot ëmë. Edhe nxënësi që atëherë e mori në shtëpinë e tij.
Pas kësaj Jisui, duke ditur se tani mbaruan të gjitha, që të përmbushet Shkrimi, thotë: Kam etje.
Jisui pra kur mori uthullën, tha: Mbaroi, edhe uli kryet e dha shpirtin.
Judenjtë pra, për të mos mbetur trupat mbi kryq të shtunën, sepse ishte e premte, sepse ajo ditë e shtunë ishte e madhe, iu lutën Pilatit t’u thyhen kërcinjtë e këmbëve, edhe të ngrihen andej. Erdhën pra ushtarët dhe thyen kërcinjtë e të parit, edhe të tjetrit që u kryqëzua bashkë me të. Po kur erdhën tek Jisui dhe e panë se tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë. Por një nga ushtarët i shpoi brinjën me shtizë, edhe menjëherë doli gjak dhe ujë. Edhe ai që pa dëshmoi, edhe dëshmia e tij është e vërtetë, edhe ai e di se thotë të vërtetën, që të besoni edhe ju.