I ndritshëm, i mbushur me hirin hyjnor dukej manastiri i shenjtë i Hierodëshmorit Kozma, në ditën kur Kisha Orthodhokse  kremton kujtimin e tij. Një festë e veçantë me një madhështi unike. Besimtarë të shumtë vendas, si dhe të tjerë pelegrinë të ardhur nga shteti fqinj, Greqia, iu falën me shpresëtari dhe kërkuan nxehtësisht ndërmjetimet e shenjtit. Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës Imzot Ignati. Bashkëmeshoi me të Episkopi i Amantias, Imzot Nathanaili, si dhe shumë arkimandritë dhe priftërinj të tjerë. Predikimi i ditës, i përgatitur nga Imzot Ignati, iu dedikua jetëshkrimit të Shën Kozmait të Etolisë.Në të u theksua:
    “Zoti bën mrekulli me shenjtorët e tij që janë në tokë.” (Psalm. 15: 3)
    Shen Kozmai i Etolisë, hierodëshmori i lumtur dhe i barabartë me apostujt, jetoi dhe veproi gjatë shekullit të 18. Është nga shenjtorët e Kishës që quhen dëshmorë të rinj dhe u shfaqën në vitet e perandorisë Otomane. Figura si shen Kozmai i Etolisë rrallë shfaqen në paraskenën e historisë njerëzore. Ata, me shembullin, mësimdhënien dhe sakrificën e tyre, mbajtën të gjallë besën orthodhokse të të krishterëve të skllavëruar të Lindjes. Një referim i shkurtër në fjalën, jetën dhe veprën e Shenjtorit ka shumë të na mësojë dhe të na ndërtojë shpirtërisht.
    Atdheu i Shenjtorit ishte një fshat i vogël dhe i parëndësishëm – Megalo Dhentro – jashtë Thermos të Etoloakarnanisë. Prindërit e tij ishin shpresëtar dhe e rritën me “edukatën dhe këshillat më Zotin”. Emri i tij i pagëzimit ishte Kostas dhe mbiemri i tij Anifandis. Që në vogëli tregonte një prirje të madhe ndaj besës dhe ndaj shkrimeve. Në shkolla të dëgjuara, nga mësues të urtë, mësoi shkrimet e hirshme dhe klasikët grekë. Mbas përfundimit të studimeve u emërua mësues. Kur më pas u ngrit në Malin e Shenjtë shkolla e shumë famshme Athonjadha, la profesionin e mësuesit dhe u regjistrua atje, ku mori mësime më të larta nga pedagogë të dëgjuar. Njëkohësisht, si bletë punëtore, iu kushtua studimit të Shkrimit të Shenjtë dhe Etërve të Kishës. Ngaqë dëshiroi të ndjekë jetën murgjërore shkoi dhe u ushtrua si asket në manastirin e shen Filotheut në Malin e Shenjtë dhe mori emrin Kozma. Më pas u hirotonis edhe në prift.
    Por, në manastir, mbas 20 vjetësh ushtrimi, nuk qetësohej. Mendimi, se vëllezërit e tij në botë ishin skllevër dhe vuanin, e torturonte dhe mendonte të dalë nga Mali i Shenjtë dhe të punoj për këtë qellim, ndoshta dhe jo në favor të interesit të tij shpirtëror. Shkëndija u ndez brenda tij kur lexoi fjalët e shen Pavlit drejtuar Korinthianëve: “Askush le të mos kërkojë të mirën e tij; po secili të tjetrit” (1 Kor. 10: 24), këto fjalë i “hanin zemrën, si mola drurin”. Sigurisht, besa e krishterë, që përbën mbështetjen e vetme të individëve dhe popujve, nuk ishte shuar krejt nga ndërgjegjet e rajave, por ishte dobësuar mjaft nën dhunën dhe mjetet çnjerëzore të pushtuesve. Kudo, dhe veçanërisht në krahinat malore, priftërinjtë ishin të rrallë. Njerëzit vdisnin pa u pagëzuar dhe pa u varrosur me shërbesat e kishës. Shkolla nuk ekzistonin. Padija dhe errësira mbizotëronte në shpirtrat e tyre.
    Shen Kozmai shkoi në Kostandinopojë, mori leje dhe bekim nga Patriku Ekumenik dhe në vitin 1760, në moshën 46 vjeçare, filloi veprën e tij misionare. Vetë shen Kozmai, në fjalimet e tij drejtuar popullit, fliste për arsyen që e detyroi të dalë nga manastiri: “lashë prokopin time dhe të mirën time dhe dola dhe eci nga njeri vend te tjetri dhe mësoj vëllezërit e mi”. Shen Kozmai bëri 4 udhëtime të mëdha në krahina të ndryshme të Greqisë. Vepër shumë e mundimshme për atë kohë. Shkoi në Thrakë, në Malin e Shenjtë, në Greqinë qendrore, në Akai, në Thesali, në Maqedoni, në Halqidhiqi, në Epir, në ishujt e detit Jon dhe të Mesdheut.
    Predikimi i tij kishte karakter fetar, moral dhe shoqëror. Dashuria ndaj Perëndisë dhe dashuria ndaj të afërmit ishin dy pikat kryesore rreth të cilave vërtitej predikimi i tij. Shpresëtaria ndaj Perëndisë duhej të shfaqej dhe me pushimin e së Dielës, të cilin hebrenjtë nuk e ruanin. Në një nga fjalimet e tij thotë si në vijim: “Duhet ta gëzojmë më tepër ditën e diel. Duhet të punojmë të gjashta ditët e javës për gjërat tokësore, të kota dhe të rreme dhe të dielën ta kemi pushim dhe të shkojmë në kishë dhe të mendojmë mëkatet tona, vdekjen, parajsën, shpirtin tonë, i cili është më i çmueshëm se gjithë bota dhe jo të hamë e të pimë shumë, as të punojmë e të bëjmë tregti ditën e diel. Fitimi i së dielës nuk është i bekuar. Unë ju këshilloj të ruani ditën e diel, e cila i është kushtuar Perëndisë. Dhe nëse rastis të shesësh ushqime ditën e diel, nga nevoja, fitimin që do marrësh të mos e përziesh me “portofolin” tënd, por jepe lëmoshë për të vobektët”.
    Veprimtaria e tij misionare zgjati 20 vjet. Shën Kozmain e respektonin shumë edhe turqit. Por, hebrenjtë e urrenin për vdekje. Hebrenjtë e Epirit shpifën për Shenjtorin tek autoritetet turke, se nxiste kryengritje. Dhanë para tek Kurt pashai i Beratit dhe kështu ia arritën vendimit për ekzekutimin e shenjtorit. Kur xhelatët turq e çuan në vendin e ekzekutimit, pranë lumit Seman, dhe e njoftuan për dënimin e tij, shen Kozmai u përgjunj dhe e falënderoi Perëndinë, që e denjësoi të pranojë sakrificën e tij. Pastaj u ngrit në këmbë, bekoi katër anët e horizontit, u lutë për gjithë të krishterët të ruajnë porositë e Perëndisë dhe uli kokën para xhelatëve që të kalojë laku në grykën e tij. E varën në pemë dhe kështu u martirizua në 24 Gusht të vitit 1779. Trupin e tij e hodhën në lumë dhe të krishterët e morën dhe e varrosën me shpresëtari në Kolkondas. Patriarkana Ekumenike më 20 Prill të vitit 1961 e renditi shën Kozman e Etolisë në Martirët e rinj. Me ndërmjetimet e tij, o Krisht Perëndi, mëshirona dhe shpëtona. Amin.”