Shërbesa e Ujit të bekuar në qytetin e Elbasanit u zhvillua në kishën e Shën Nikollës. Ajo u kryesua nga  Episkopi i Krujës Hirësi Andoni dhe bashkëmeshuan me të klerikët e këtij qyteti  Atë Stavri Çipi, Atë Jani Ranxha, Atë Joan Gjica dhe dhjakon Petro Halili.
    Mjaft besimtarë kishin ardhur të merrnin pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm të kësaj feste zotërore të pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht prej Shën Joanit në Lumin e Jordanit.
    Në fund të Liturgjisë Hyjnore u bë Bekimi i Madh i ujit dhe nën tingujt e përlëshores së Ujit të Bekuar “Në Jordan kur pagëzoheshe o Zot”,  kleri dhe besimtarët të drejtuar nga Episkop Andoni u drejtuan në kompleksin e pishinave të qytetit e cila ndodhet pranë kishës për të kryer ritin e hedhjes së Kryqit në ujë. Kryqi u kap nga një i ri dhe më pas besimtarët u drejtuan për në kishën e qytetit për të marrë ujin e bekuar dhe për ta mbajtur atë nëpër shtëpitë e tyre.
Joan Meni