– Apostulli – 1 Korinthianëve 15:29-38.

Sepse ç’do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit, në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ngjallen? Përse atëherë pagëzohen për të vdekurit? Përse atëherë jemi nën rrezik në çdo orë? Përditë vdes, bëj be në mburrjen që kam për ju në Jisu Krishtin, Zotin tonë. Nëse si njeri luftova me bisha në Efes, ç’dobi kam, në qoftë se nuk ngjallen të vdekurit? “Le të hamë e le të pimë, sepse nesër do të vdesim.”
Mos u gënjeni; sepse “Shoqëri të këqija prishin zakone të mira”. Zgjohuni në të drejtën dhe mos mëkatoni; sepse disa nga ju nuk njohin Perëndinë; për turpin tuaj po jua them këtë.
Po do të thotë ndonjë: Si ngjallen të vdekurit? Edhe me çfarë trupi vijnë? I marrë, ajo që mbjell ti, nuk merr jetë, në mos vdektë. Edhe atë që mbjell, nuk mbjell atë trupin që do të bëhet, po një kokërr të zhveshur, si të qëllojë, a gruri a ndonjë tjetër gjëje nga të tjerat. Po Perëndia i jep trup si të dojë, edhe gjithësecilës nga farat trupin e saj të veçantë.