– Dëshmor Andrea Stratilati dhe 2593 dëshmorët –

Andrea bënte pjesë në ushtrinë perandorake, në kufijtë lindorë të Perandorisë, gjatë kohës së perandorit Maksimian Galeri (rreth 305); megjithëse ende nuk ishte i pagëzuar, shkëlqente përsëri si një trëndafil në mes të gjembave. Kryegjenerali Antioku, i famshëm për mizorinë e tij kundër të krishterëve, duhet t’i bënte ballë një inkursioni pers, ndaj u kujtua për Andrean dhe e caktoi në krye të kohortës.
Në çastin e nisjes, Andrea i nxiti njerëzit që e shoqëronin t’ia besonin veten Krishtit. Me emrin e Krishtit, ata i dëbuan forcat armike jashtë kufijve. Pas kësaj fitoreje ata vendosën të bëheshin të krishterë, por i denoncuan dhe i nxorën para gjyqit. Antioku dha urdhër ta shtrinin shenjtin në një shtrat me bronz që vlonte, por djegia nuk e preku. Ushtarët që e kishin shoqëruar u gozhduan në duar e në këmbë.
Kur gjenerali pa se mbetën të paprekur, i futi në burg. Nëse do ta ekzekutonin në sy të popullit, ai do të ngrihej në mbrojtje të Andreas, i cili ishte për ta një hero, ndaj menduan që ta hiqnin qafe fshehtazi me ndonjë dredhi, me qëllim që besimi i ri të mos përhapej në asnjë mënyrë në tërë ushtrinë. Antioku e liroi Andrean dhe u shtir se e la të lirë të ikte e të bënte çfarë të dëshironte. I lajmëruar nga Perëndia për këtë dredhi, ai shkoi në Tars me njerëzit e tij dhe i kërkoi episkopit Petro t’i pagëzonte.
Kur Antioku e mori vesh largimin e tij, ai i shkroi qeveritarit ushtarak të Sicilisë, Selefkit, që ta ndalonte sa më parë e ta vriste. Selefki shkoi në Tars, ndërkohë që Andrea dhe shokët e tij sapo ishin pagëzuar, ata përshkuan malin Taurus që t’u shpëtonin kurtheve. Morën drejtimin për në Melitinë të Armenisë. Por nga tradhtia e një farë Martini, Andrea dhe ushtarët u kapën kur po kalonin malin Taurus. Kur ushtarët u sulën mbi ta, Andrea i urdhëroi që duart t’i ngrenë për lutje dhe jo për të luftuar. Kur mbaroi lutjen, atë bashkë me shokët e tij i masakruan. Një burim shërues buroi në vendin ku shenjti derdhi gjakun. Petroja i Tarsit dhe Noni, episkop i Beris, të cilët kishin qenë të pranishëm në martirizimin e shenjtit, u kujdesën për lipsanin e tij.
Sinaksarët përmendin në 12 korrik, një tjetër Andrea Stratilati dhe shokët e tij Heraklio, Fausti dhe Minai (që kremtohen në 31 gusht). Por duhet të bëhet fjalë për të njëjtin shenjtor me atë që nderohet sot.
Në versione të tjera, shën Andrea ktheu në besim 1000 ushtarët e eskortës deri në kufijtë e vendit.