UNGJILLI – Mattheu 20:17-28.

Edhe Jisui, duke u ngjitur në Jerusalem, mori me vete të dymbëdhjetë nxënësit mënjanë në udhë, edhe u tha: Ja tek po ngjitemi në Jerusalem, edhe i Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve; edhe do ta dënojnë me vdekje; edhe do t’ia dorëzojnë kombeve që ta përqeshin e ta fshikullojë e ta kryqëzojnë; edhe të tretën ditë do të ngjallet.
Atëherë i erdhi pranë e ëma e bijve të Zevedheut bashkë me të bijtë, duke iu falur e duke kërkuar diçka nga ai. Edhe ai i tha: Ç’do? Ajo i thotë: Thuaj të rrinë këta të dy bijtë e mi, njëri në të djathtën tënde e njëri në të majtën, në mbretërinë tënde. Po Jisui u përgjigj e tha: Nuk dini se ç’kërkoni. A mund të pini kupën, që do të pi unë, apo të pagëzoheni me pagëzimin që do të pagëzohem unë?
Ata i thonë: Mundemi. Edhe ai u thotë: Kupën time do ta pini, edhe me pagëzimin që pagëzohem unë do të pagëzoheni; por të rrini në të djathtën time dhe në të majtën time, nuk është në dorën time ta jap, por do t’u jepet atyre që u është bërë gati nga Ati im.
Edhe të dhjetët, kur dëgjuan, u zemëruan për të dy vëllezërit. Po Jisui pasi i thirri pranë, tha: E dini se të parët e kombeve me forcë i zotërojnë ata, edhe të mëdhenjtë fort i shtypin. Po kështu nuk do të jetë ndër ju; por kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj; Edhe kush të dojë të jetë i parë ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj, ashtu si Biri i njeriut nuk erdhi që të shërbehet, po që të shërbejë, edhe të japë jetën e tij shpërblim për shumë vetë.