APOSTULLI – 1 Timotheut 3:13-4:5.

Sepse ata që kanë shërbyer mirë, fitojnë shkallë të mirë për veten e tyre, edhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jisu.
Këto po të shkruaj, duke shpresuar të vij për së shpejti tek ti, dhe në u vonofsha, që të dish si duhet të sillesh në shtëpi të Perëndisë, e cila është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla edhe mbështetja e së vërtetës.
Dhe pa asnjë kundërshtim i madh është misteri i besimit. Perëndia u shfaq në mish, u drejtësua në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër kombe, u besua në botë, u ngrit lart me lavdi.
Edhe Fryma thotë qartë se në kohët e mëpasme disa do të mohojnë besimin, e do t’u mbajnë vesh frymëve mashtruese, edhe mësimeve të demonëve, që flasin gënjeshtra me hipokrizi, që e kanë ndërgjegjen e tyre të djegur, të cilët ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të largohen besimtarët nga ushqimet, të cilat Perëndia i ka krijuar, që t’i marrin me falënderime besimtarët edhe ata që kanë njohur të vërtetën. Sepse çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe nuk ka gjë për të hedhur tej, po të merret me falënderime; sepse shenjtërohet me fjalën e Perëndisë e me lutje.