– Dëshmor i ri Kristo nga Preveza –

Ishte djalë i ri 20 vjeç, bir i Prevezës. Shërbente në një anije tregtare. Në 5 gusht 1668 u ndodh në ishullin Ko, në detin Egje dhe shkoi për t’u rrëfyer përpara se të kungohej. Në rrëfim e sipër u gjend i thjeshtë, shpresëtar dhe i pastër si në trup, ashtu edhe në gojë, sipas kritereve të asaj kohe, që ishin shumë të rrepta.
Një jeniçer shau besimin tonë. Shenjti, i mbushur me zell hyjnor, iu kthye me të njëjtën përgjigje. Atëherë turqit e arrestuan dhe i kërkuan që të mohonte Krishtin. Kjo ishte mundësia e vetme që t’i falnin jetën për atë veprim që kishte bërë. Në vend të përgjigjes së pritshme nga ata, Kristoja i pështyu! Nuk e kishte Krishtin si një plaçkë për t’u tregtuar. Në këtë moment turqit iu vërsulën sipër dhe e therën.
Trupin e tij e lanë që ta hanin qentë dhe shpendët grabitqarë. Qëndroi 30 ditë i pavarrosur, por as u qelb dhe as u cenua nga qentë dhe shpendët.
Të krishterët e kuptuan mirë se çfarë lavdie kishte marrë në Qiell. E varrosën fshehtas pasi mbajtën disa pjesë të vogla për bekim. Atëherë, me këto pjesë u bënë mrekulli, u dëbuan demonë dhe shumë të tjera.
Martiri i ri nderohet kryesisht në Prevezë.

* * * *

– Hierodëshmor Fabiani i Romës –

Shën Fabiani ishte një laik i krishterë i përshpirtshëm, që jetonte në Romë në kohën e shërbimit episkopal të shën Anterit (236). Pak pas vdekjes së papës, ai mbërriti nga fshati, në kohën kur besimtarët me klerin po kryenin zgjedhjen e pasuesit të tij. Kur po thërrisnin emrat e njerëzve të famshëm, për shkak të një veprimi të Përkujdesjes Hyjnore, një pëllumb zbriti nga qielli dhe qëndroi mbi kryet e Fabianit. Populli pa në këtë shenjën e zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, njësoj si ajo e Zotit në Jordan dhe thirri “I denjë!”.
Megjithëse kundërshtoi, u fronëzua në fronin episkopal. Për 14 vite e qeverisi Kishën e Romës me shumë urtësi, në një kohë relativisht të qetë. Kjo e lejoi të riorganizonte jetën e Kishës, të nderonte martirët e shenjtë dhe të qëndronte vigjilent për ruajtjen e besimit. Ishte një nga viktimat e para të persekutimit të Decit (250) dhe u varros pranë paraardhësit të tij në varrezën e Kalistit.