– Ungjilli – Mateu 14:35-15:11.
Edhe njerëzit e atij vendi, kur e njohën, dërguan nëpër gjithë ato anë dhe i prunë atij gjithë ata që kishin keq. Edhe i luteshin atij të preknin qoftë vetëm cepin e rrobës së tij. Edhe gjithë sa e prekën u shëruan.
Atëherë vijnë tek Jisui shkruesit dhe Farisenjtë nga Jerusalemi, e i thonë: Përse nxënësit e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse s’lajnë duart e tyre, kur hanë bukë. Po ai u përgjigj e u tha atyre: Përse edhe ju shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj?
Sepse Perëndia urdhëroi, duke thënë: “Ndero atin dhe nënën”, dhe: “Ai që flet keq për të atin ose për të ëmën le të vritet”. Po ju thoni, “Kush t’i thotë të atit apo së ëmës se çdo ndihmë që do të merrje prej meje është dhuratë për Perëndinë”, dhe kështu ai mund të mos nderojë më të atin apo të ëmën.
Dhe hodhët poshtë urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj. Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, duke thënë: “Ky popull më afrohet me gojën e tyre, edhe më nderon me buzët; por zemra e tyre është larg prej meje. Edhe kot më nderojnë, duke mësuar mësime që janë urdhërime njerëzish”.
Edhe si thirri pranë turmën, u tha: Dëgjoni edhe kuptoni. Ajo që hyn në gojë nuk e ndyn njeriun, por ç’del nga goja, kjo e ndyn njeriun.