– Apostulli – 1 Korinthianëve 7:12-24.

Edhe të tjerëve u them unë, jo Zoti, në ka ndonjë vëlla grua jobesimtare, edhe ajo dëshiron të rrojë bashkë me të, le të mos e lërë atë. Edhe një grua që ka burrë jobesimtar, dhe ai dëshiron të rrojë bashkë me të, le të mos e lërë atë.
Sepse burri jobesimtar është i shenjtëruar me anë të gruas; dhe gruaja jobesimtare është e shenjtëruar me anë të burrit; sepse ndryshe bijtë tuaj do të ishin të papastër; kurse tani janë shenjtorë. Por në u ndaftë jobesimtari, le të ndahet. Vëllai a motra nuk janë të robëruar në të tilla raste; po Perëndia na ka thirrur në paqe.
Sepse ç’di ti, o grua, në ke për të shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, në ke për të shpëtuar gruan?
Po secili siç ia caktoi Perëndia, secili siç e thirri Zoti, kështu le të ecin; edhe kështu urdhëroj mbi të gjitha kishat. U thërrit i rrethprerë ndonjë në besim? Le të mos e fshehë rrethprerjen. I parrethprerë u thërrit ndonjë? Le të mos rrethpritet. Rrethprerja s’është gjë, edhe parrethprerja s’është gjë, po ruajtja e porosive të Perëndisë.
Gjithësecili në atë thirrje që u thërrit, në atë le të mbesë. U thërrite kur ishe skllav? Mos u shqetëso për këtë. Por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë përdore këtë. Sepse ai që u thirr në Zotin kur qe skllav, është i çliruar i Zotit; gjithashtu edhe ai që u thirr kur qe i lirë, është skllav i Krishtit.
Me çmim u bletë; mos u bëni skllevër njerëzish. Gjithësecili, o vëllezër, në atë që u thirr, në këtë le të mbetet ndaj Perëndisë.