– Apostulli – 1 Korinthianëve 6:20-7:12.

U bletë me çmim; lavdëroni pra Perëndinë me trupin tuaj, edhe me shpirtin tuaj, që janë të Perëndisë.
Edhe për ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua. Po për shkak të kurvërive le të ketë secili gruan e tij, edhe secila le të ketë burrin e saj. Burri le t’i japë gruas dashurinë që i detyrohet; gjithashtu edhe gruaja burrit. Gruaja s’e urdhëron trupin e saj, po burri; gjithashtu edhe burri nuk e urdhëron trupin e tij, po gruaja. Mos i mungoni njëri-tjetrit, përveçse me marrëveshje të përkohshme, që të jepeni pas agjërimit e pas lutjes, edhe përsëri mblidhuni bashkë që të mos ju ngasë Satanai për mospërmbajtjen tuaj. Edhe këtë po e them si lëshim, jo si urdhër. Sepse dua që gjithë njerëzit të jenë si edhe vetja ime; po secili ka dhuratë të veçantë nga Perëndia, njëri kështu, e tjetri ashtu.
Edhe po u them të pamartuarve dhe të vejave, se është më mirë për ata, në mbetshin si edhe unë. Edhe po të mos përmbahen dot, le të martohen; sepse është më mirë të martohet njeriu se të digjet nga epshi.
Edhe të martuarit i porosis, jo unë, por Zoti, të mos ndahet gruaja nga burri. Po edhe në u ndaftë, le të mbetet e pamartuar, ose le të pajtohet me burrin e saj; edhe burri të mos e lërë gruan e tij. Edhe të tjerëve u them unë, jo Zoti, në ka ndonjë vëlla grua jobesimtare, edhe ajo dëshiron të rrojë bashkë me të, le të mos e lërë atë.