– Apostulli – Romakëve 15:7-16.
Prandaj pranoni njëri-tjetrin, siç ju pranoi edhe Krishti për lavdi të Perëndisë. Edhe them se Jisu Krishti u bë shërbëtor i rrethprerjes për të vërtetën e Perëndisë, që të vërtetojë premtimet e bëra etërve; edhe që të lavdërojnë kombet Perëndinë për përdëllimin e tij, siç është shkruar: “Për këtë do të të lavdëroj ndër kombe, dhe në emrin tënd do të psal”.
Edhe përsëri thotë: “Gëzohuni, o kombe, bashkë me popullin e tij”. Edhe përsëri: “Lavdëroni Zotin, gjithë kombet, edhe lavdërojeni atë, gjithë popujt”. Edhe përsëri Isaia thotë: “Do të jetë rrënja e Jeseut” dhe “Ai që do të ngrihet të mbretërojë mbi kombet, tek ai do të shpresojnë kombet”.
Edhe Perëndia i shpresës ju mbushtë me çdo lloj gëzimi e paqeje me anë të besimit, që të teproni në shpresë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Po edhe unë vetë, o vëllezër, jam i bindur për ju, se edhe ju jeni plot me mirësi, plot me çdo dituri, edhe se mund të këshilloni njëri-tjetrin.
Po ju shkrova juve disi më me guxim, që t’ju kujtoj për hirin që m’u dha nga Perëndia, që të jem shërbëtor i Jisu Krishtit në kombet, duke kryer veprën e shenjtë të ungjillit të Perëndisë, që të bëhet dhurata e kombeve e mirëpritur dhe e shenjtëruar me anë të Frymës së Shenjtë.