– Etërit e Sinodit IV Ekumenik –

Sinodi IV Ekumenik mblodhi në Kalqedoni më 451, 630 Etër të ardhur kryesisht nga dioqezat e Lindjes. Në krye të tyre ishte shën Anatoli i Konstandinopojës (3 korrik), të dërguarit e papës së Romës, shën Leontit, Maksimi i Antiokisë dhe shën Juvenali i Jerusalemit (2 korrik). Kjo asamble, më e madhja që Kisha kishte njohur deri më atëherë, u mblodh nga perandorët e perëndishëm Markiani dhe Pulkeria (17 shkurt), që të vendosej paqja dhe uniteti, të cilat ishin cenuar asokohe që me sinodin e rremë të Efesit (449) dhe që të dënohej herezia e Eftiqit.
Pas Sinodit III Ekumenik, partizanët e Shkollës teologjike të Aleksandrisë dhe të Antiokisë nuk kishin arritur në një mendje për formulën e besës për sa i përket bashkimit në Krishtin të dy natyrave, ajo hyjnore dhe njerëzore. Eftiqi, i cili ishte arkimandrit në Konstandinopojë, kishte qenë bashkëpunëtor i shën Kirilit. Në dëshirën e tij për të çrrënjosur çdo gjurmë nestoriane, duke mbështetur argumentet e këtij doktori të madh të besimit, ai thoshte se të dyja natyrat, ajo hyjnore dhe njerëzore, nuk mund të dalloheshin njëra nga tjetra pas Mishërimit, dhe se natyra njerëzore e Krishtit, në një farë mënyre, ishte “përthithur” nga natyra hyjnore. Ndërsa Nestori kishte ndarë të dyja natyrat, Eftiki, që për shkak të krenarisë ishte privuar nga njohja e drejtë e së Vërtetës, e cila është “udha mbretërore” mes dy ekstremeve, ra në herezinë e kundërt dhe fliste për “përzierje” dhe “shkrirje” të të dyja natyrave në një të vetme: natyra hyjnore. Në këtë konceptim, të quajtur monofizizëm strikt , si rrjedhim dilte që Shpëtimtari nuk është vërtet i së njëjtës natyrë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë, ose që nuk u kungua me natyrën tonë njerëzore.
Kur Eftiki i Dhorileos kuptoi te mendimet e Eftikit herezinë që hidhte poshtë tërë misterin e Shpëtimit, u mblodh një sinod në Konstandinopojë, nën drejtimin e shën Flavianit, i cili dënoi arkimandritin (448). Por falë mbështetjes së oborrit, heretiku arriti ta kthente situatën në anën e tij, dhe pas ndërhyrjes së dhunshme të kryepiskopit të Aleksandrisë, Dioskori, gjatë “Hajdutëria e Efesit” (449), ai u shfajësua, dhe shën Flaviani u shkarkua në mënyrë të padrejtë dhe vdiq pak pas keqtrajtimeve që i bënë.
Pas vdekjes së Theodhosit II, i cili kishte mbështetur Eftikin, Markiani dhe Pulkeria u ftuan nga papa shën Leon dhe nga të gjithë orthodhoksët që të ndreqte padrejtësinë dhe të vendoste paqen me anën e një Sinodi Ekumenik. Fillimisht u thirrën në Nikea, në shtator 451, Etërit u transferuan në Kalqedoni, në bazilikën e Shën Efimias (11 korrik). Gjatë gjashtëmbëdhjetë sesionesh, që nga 8 tetori deri në 1 nëntor, ata punuan fillimisht për të dënuar Hajdutërinë e Efesit, të shkarkonin përgjegjësit, Eftikin dhe Dioskorit, dhe për rehabilitimin pas vdekjes së Flavianit; pastaj përsëritën sërish dënimin e Nestorit, i cili ishte dënuar më përpara nga Sinodi i Efesit dhe u përpoqën të rrëzonin monofizizmin e Eftikit. Duke përdorur të njëjtën metodë pajtimi dhe sinteze si ajo e shën Kirilit dhe e Joanit të Antiokisë (433), ata arritën të harmonizonin pikëpamjet respektive të Aleksandrisë, të Antiokisë dhe të Romës, dhe plotësuan veprën e Sinodit të Tretë Ekumenik duke përkufizuar në mënyrë të saktë dogmën e Personit të Krishtit Shpëtimtar (dogmë kristologjike).
Pasi ekzaminuan argumentet e Eftikit, në bazë të Shkrimeve të Shenjta dhe të vendimeve të Sinodeve më të mëparshme, Etërit e shtrinë anatemën mbi këdo që do të shtonte ose të hiqte çfarëdo te të Tri Sinodet Ekumenikë të parë, dhe duke u bazuar në letrën e shën Leonit drejtuar Flavianit , të cilin e përshëndetën si kolonën e Orthodhoksisë, ata hartuan një përkufizim të besës, i cili u lexua solemnisht, në prani të perandorit, gjatë sesionit të gjashtë, më 22 tetor:
“Duke ndjekur Etërit e shenjtë, të gjithë unanimisht rrëfejmë një të vetëm dhe Bir Zotin tonë Jisu Krisht, të njëjtin të përkryer në hyjninë e tij dhe të njëjtin të përsosur në njerishmërinë e tij, të njëjtin Perëndi me të vërtetë dhe njeri me të vërtetë, që ka shpirt të arsyeshëm dhe trup, të bashkësubstancshëm me Atin sipas hyjnisë së tij, dhe i njëjti i bashkësubstacshëm me ne sipas njerishmërisë, i ngjashëm në gjithçka me ne, përveç mëkatit; që lindi prej Atit para shekujve sipas hyjnisë, dhe i njëjti në kohët e fundit, që lindi prej Virgjëreshës Mari, Nëna e Perëndisë, për shpëtimin tonë, sipas njerishmërisë: një i vetëm dhe i njëjti Krisht, Bir, Zot, i Vetëmlindur, i njohur në dy natyra, pa përzierje, pa ndryshim, pa përçarje, pa ndarje , ku dallimi i natyrave nuk u fshirë absolutisht për shkak të bashkimit, por veçantia e çdonjërës u ruajt duke takuar tjetrën në një person unik dhe hipostazë unike: një Krisht i vetëm dhe i njëjtë, i cili u nda, nuk u përça në dy persona, por që është i vetmi dhe i njëjti Zot Jisu Krisht, Biri i Vetëm, Perëndi Fjalë, sikundër profetët e dikurshëm e shpallën, si Jisu Krishti vetë na mësoi dhe ashtu si Simboli i Etërve na e transmetoi.”
Pyetjes së perandorit të gjithë i thirrën: “Të gjithë besojmë kështu. Një besim të vetëm, një gjykim të vetëm. Të gjithë kemi të njëjtat ndjenja. Të gjithë nënshkruam unanimisht. Të gjithë jemi orthodhoksë. Kjo është besa e Etërve. Kjo është besa e Apostujve. Ky besim shpëtoi botën. (…) Perëndia do t’i japë paqen mbretërisë suaj: Markiani, Konstandini i ri! Pulkeria, Elena e re! Ju jeni pishtarët e besës orthodhokse! Jeta juaj është siguria e të gjithëve. Besa juaj është lavdia e Kishave!”
Me këtë përkufizim të besës, unike në thellësinë dhe saktësinë e saj, Etërit e shenjtë, në Personin unik të Fjalës së Perëndisë . Falë besimit të Kalqedonisë, i cili u saktësua më pas nga Etërit si shën Maksim Konfesori dhe shën Joan Damaskinoi, ne, Orthodhoksët, kuptojmë se duke jetuar më Krishtin Perëndi-njeri, vetëm atëherë mund të bashkohemi me Perëndinë, të hyjnizohemi, pa e humbur identitetin tonë të natyrshëm. Bashkimi pa ngatërrim i hyjnisë dhe i njerishmërisë në Krishtin, sipas hipostazës, bëhet bashkim pa ngatërrim i të dyja natyrave, sipas hirit të Shpirtit të Shenjtë, te të krishterët. Qëllimi i Kishës që është Krishti Perëndi-njeri, vazhduar mes nesh deri në fundin e jetëve – është që të na udhëheqë deri në masën e plotësisë së Krishtit (Ef. 4.13), d.m.th. në “hyjnjerëzimin” e plotë. Gjithçka niset dhe kthehet te Personi i Shpëtimtarit, gjithçka atje është “hyjnore-njerëzore”: dogma, m orali, asketizmi dhe lutja, liturgjia, arti i ikonës, muzika. Gjithçka atje është njerëzore, e ndjeshme dhe historike, dhe në të njëjtën kohë plotësisht e hyjnizuar nga energjia e Shpirtit të Shenjtë, në atë mënyrë që vërtet Krishti “jeton” në çdonjërën nga gjymtyrët e Tij dhe në manifestimet e Trupit të tij mistik. Perëndi-njeriu i përkufizuar nga Sinodi i Kalqedonisë është pra për ne të krishterët orthodhoksë, “vlera supreme dhe kriteri i fundit i së vërtetës” , pasi në Të dhe përmes Tij shkojmë te Perëndia dhe birësohemi prej Tij.
Në sesionet e mëpasshëm, Etërit rregulluan çështjet e rregullit dhe të disiplinës kishtare, dhe nxorën me ligj 27 Kanune, të cilave iu shtua edhe një dekret që konfirmonte Kanunin e Tretë të Sinodit të Dytë Ekumenik dhe i jepte fronit të Konstandinopojës – si kryeqytet – rangun e dytë pas Romës dhe juridiksionin patriarkal mbi dioqezat e Azisë, të Pontit dhe të Thrakës, si dhe komunitetet e krishtera jashtë kufijve të Perandorisë.

* * * *

– Oshënar Pamvoi –

Oshënar Pamvoi ndriçoi në Nitri, në jug të Aleksandrisë. Të dhëna për të, në mënyrë më të zgjeruar, ekzistojnë në librin e Lavsaikut, Jerondikonit dhe Evergjetinosit. U luftua nga mendime blasfemie, por dëgjoi një zë, i cili e inkurajoi të mos dekurajohej, se ishte një kurth nga i ligu.
Për tre vjet lutej që të mos lavdërohej në tokë, por, sa më shumë lutej, aq më shumë Perëndia bënte që ai të lavdërohej. Oshënari ishte zbukurim i asketëve të malit të Nitrisë dhe gjithashtu bashkëkohës me shën Melaninë dhe shën Isidorin. Ishte i madh në gjithçka: në shpresëtari, në ligjëratë, në heshtje, në këshillë, në butësi, në rreptësi, në përvojë, në njohuri, në urtësi, në thjeshtësi dhe, në përgjithësi, kudo. Nxori nxënës të admirueshëm, si episkop Dioskorin, Amonanë dhe Joanin, nipin e Drakondit.
Njëherë, kur shën Melania (31 dhjetor) i dhuroi argjend të bollshëm atje në Nitri, ai e falënderoi, por ajo nuk arriti ta shihte, ndaj u mërzit e i tha: “Jeront, janë 150 kg!”. “E di Perëndia, bija ime…”, iu përgjigj ai, dhe urdhëroi ikonomin që ta ndante të gjithë argjendin në manastire të varfra, sepse vetë ai ushqehej me punëdoret që bënte.
Sa herë që i bënin pyetje në lidhje me Shkrimin e Shenjtë ose me tekste të tjera, përgjigjej pas shumë kohësh. Në meditim dhe saktësi ia kalonte edhe Andonit të Madh (17 janar), kështu që kurrë nuk pendohej për fjalët që kishte thënë. Këshillonte të ruhej e pastër dhe e pafajshme ndërgjegjja ndaj të afërmit. Theksonte bindjen dhe thjeshtësinë në veshje. I këshillonte laikët të puthnin duart e murgjve, sepse ato janë të shenjtëruara prej lutjeve dhe metanive.
Në Aleksandri, ku e ftoi Athanasi i Madh (18 janar), ai pa rastësisht një grua imorale, e cila ishte zbukuruar shumë nga pamja e jashtme, lotoi e tha: “Po unë a përpiqem t’i pëlqej Zotit kështu si kjo e gjora imoralëve?”.
Demonët, që t’i shkaktonin shpërqendrimin e mendjes, bënë dikur sikur po mundoheshin shumë të ngrinin një pupël. Oshënari qeshi kur i pa, ndërsa ata u gëzuan se menduan që e mundën. Por ai u sqaroi se qeshte me dobësinë e tyre.
Një ditë e vizitoi ava Piori (17 qershor), i cili, “që të mos i bëhej barrë”, kishte marrë ushqim me vete: pak bukë të tharë. Edhe oshënar Pamvoi, kur ia ktheu vizitën, mori me vete bukë të tharë, të cilën e kishte lagur. Edhe pse ishte gjithmonë i përmbajtur dhe ushtrohej ashpër, gëzonte shëndet të plotë dhe nuk u sëmur aspak në jetën e tij. Ishte kaq i përulur, saqë mendonte se nuk ishte as fillestar në virtyt.
Ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare (më 417 siç mendohet).Vdekja e tij ishte jo vetëm e qetë dhe pa dhimbje, por edhe e pëlqyeshme prej Atit qiellor. Pak para fjetjes së tij, i dhuroi si kujtim Paladit, shkrimtarit të Lavsaikut, një shportë, të cilën sapo e kishte thurur. E varrosën fëmijët e tij shpirtërorë, duke lavdëruar Perëndinë që i bëri të denjë të mësoheshin prej këtij asketi të madh.