“Në Shqipëri, ajo që ndjeva fillimisht ishte një dhimbje e madhe dhe m’u krijua një ndjesi vuajtjeje për sa kishin ndodhur, ngjarje që ne i kishim ndjekur nga jashtë vendit thjesht si spektatorë”.

Në një intervistë që zbulon shumë të vërteta, kreu i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastasi, pohon për Agjencinë e Lajmeve të Athinës dhe të Maqedonisë, punën e tij të palodhur, me synimin, përpjekjet dhe mundin e madh për të ringritur Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kjo vepër daton në qershor të vitit 1992, kur Fortlumturia e Tij u zgjodh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, dhe vazhdon të jetë edhe sot. ALA-MA e takoi në Larisë, ku bashkia e qytetit e nderoi për veprën e tij kolosale shpirtërore e sociale, për urat e dashurisë dhe të solidaritetit që ka ngritur.

Kryepiskopi Anastas Jannullatos, që ka studiuar në Greqi dhe në Gjermani, siç thotë edhe vetë, e ka pasur perspektivë të punonte në vendin tonë dhe në Afrikë. Në janar të vitit 1991, ndërkohë që ishte profesor i Universitetit të Athinës dhe Mëkëmbës i Mitropolisë së Shenjtë të Irinupolit në Afrikën Lindore, mori nga Patriarkana Ekumenike një telefonatë ku i bënin të ditur se ishte zgjedhur Ekzark Patriarkal në Shqipëri, për të parë nga afër se çfarë kishte mbetur në këtë vend nga Orthodhoksia, e cila ishte shpërbërë pas 23 vitesh të persekutimit më të egër ateist në botë.

“Kurrë nuk e kisha menduar diçka të tillë. Por iu binda kërkesës së Fronit Ekumenik dhe e pranova këtë detyrë të panjohur deri më atëherë” – deklaron për ALA-MA, duke theksuar se iu deshën gjashtë muaj që autoritetet shqiptare t’i jepnin vizën. Një vit më vonë, tashmë në pozitën e kreut të Kishës, gjendet brenda një ambienti të vështirë.

 

Shqipëria postkomuniste

 

Kryepiskopi Anastas shpalos situatën e atëhershme, të cilën u thirr për ta zgjidhur dhe realitetin e errët në Shqipërinë e vitit 1992. “Kemi pasur edhe në kohë të tjera persekutim të fesë, por ajo që kishte ndodhur në Shqipëri ishte diçka unike: Kisha ishte shpërbërë krejtësisht. Fenomene të ngjashme nuk kemi hasur në historinë e njerëzimit. Nuk ka shtet tjetër që të jetë shpallur me kushtetutë ateist. Enver Hoxha donte që edhe në këtë fushë të ishte origjinal. Pjesa më e madhe e kishave u shembën ose u shndërruan në stalla, depo gruri, kovaçhana, kinema etj.

Të gjithë klerikët u detyruan të braktisnin veprën e tyre. Më e keqja nuk ishte se u shkatërruan kishat, por sepse persekutorët u përpoqën të çrrënjosnin besimin nga zemrat e njerëzve. Arsimi u kthye në mënyrë sistematike në arsim ateist, nga vitet e shkollës fillore e deri tek ato universitare. Persekutimi i pamëshirshëm e çoi vendin në rënie shpirtërore. Siç shkruan Dostojevksi: “Nëse nuk ka Perëndi, të gjitha lejohen”.

 

Shpresa rilindi

 

Me besimin e madh se shpresa do të rilindte përsëri, Fortlumturia mbërriti në Shqipëri në moshën 62-vjeçare, pa e njohur gjuhën shqipe. “Në këtë vend e kishin kryqëzuar dhe e kishin varrosur Krishtin për 23 vite, por më në fund Krishti u Ngjall”, thekson dhe vazhdon duke thënë se fjalët e para që ai mësoi në shqip ishte pikërisht kjo përshëndetje paskale.

“Kur mbërritëm në Kishën e rrënuar Katedrale të Ungjillëzimit, e cila në vitet e regjimit ishte shndërruar në palestër, pyeta se si thuhet “Kristos Anesti!” në shqip dhe kërkova që secili të merrte nga një qiri. Kur i ndezën, thirra: “Krishti u Ngjall!”. Me shumë mallëngjim e lot, njerëzit e paktë të pranishëm u përgjigjën: “Vërtet u Ngjall!”. Shpresa u ringjall. Lindi perspektiva për të ardhmen. E tërë vepra jonë gjatë këtyre viteve u krye në mes të reve, rrebesheve dhe vështirësive të shumëllojshme. “Krishti u Ngjall!” përcaktoi ritmin e gjithë ecurisë sonë”, – thekson ai për Agjencinë tonë të Lajmeve.

 

Mozaiku i një realiteti ballkanik

 

Realiteti në Shqipëri përcakton edhe veçantinë e Kishës, të cilën Bariu duhej ta administronte për të ndërtuar ura dashurie, solidariteti dhe perspektive. Përtej faktit se “Kisha e Shqipërisë ishte tërësisht e shpërbërë, ajo përbënte një mozaik të realitetit ballkanik”, thotë Kryepiskopi Anastas dhe parashtron veçantitë e ambientit, brenda të cilit u përpoq të transmetonte mesazhin e Ungjillit.

“Një veçanti e kësaj Kishe është se nuk ka pasur njëtrajtësi sa i takon përkatësisë etnike. Është diçka që nuk kuptohet lehtë. Anëtarët e saj janë shqiptarë, grekë, sllavë, vllehë (nga këta të fundit disa lidhen me Greqinë dhe disa të tjerë me Rumaninë, ndërsa një grup tjetër është asimiluar në shoqërinë e vendit) etj. Prej çastit të parë u përpoqëm të jemi të gjithë të bashkuar. Theksova në mënyrë simbolike: Të gjitha pemët e pyllit janë të lira të zhvillohen nën Diellin e Drejtësisë. Gjithashtu i pranuam edhe ata që donin të ndiqnin Kalendarin e Vjetër. Jemi një mozaik i realitetit ballkanik”.

 

Roli në shoqëri

 

Me parimin bazik se “çdo person njerëzor është ikonë e Perëndisë, pra një person i respektuar”, Kryepiskopi Anastas i respekton të gjitha besimet fetare dhe ka shtrirë dorën e bashkëpunimit e respektit për të gjitha komunitetet fetare.

Siç na shpjegon ai, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk përbën shumicën e popullsisë në vend, si në vende të tjera të Gadishullit Ballkanik, por nuk është as edhe një pakicë e kufizuar, si në qendra të tjera të Patriarkanave të vjetra dhe thekson:

“Jemi rreth 20-22% e popullsisë së vendit. Kemi rol të rëndësishëm në shoqëri. Njëkohësisht ekzistojnë edhe ata, të cilët shqetësohen për këtë rol. Që në momentet e para u përpoqëm të kultivonim mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Çdo person njerëzor është për ne i respektuar. Të gjithë njerëzit janë krijesa të Perëndisë. Bindjet e ndryshme fetare janë zgjedhja e tyre dhe çështje e lirisë vetjake. Ne i respektojmë, i duam dhe bashkëpunojmë me ta”.

 

Dialogu i jetës me komunitetet e tjera fetare

 

Kryepiskopi thekson në mënyrë të veçantë se “fjala tolerancë ka diçka arrogante brenda vetes”, ndërkohë që me vendosmëri e rrjedhshëm shprehet: “Synojmë marrëdhënie harmonike të mirëkuptimit dhe të bashkekzistencës. Tjetri mund të jetë i ndryshëm, por nuk do të thotë se është kundërshtar apo armik. Ruajmë marrëdhënie të mira me Komunitetin Mysliman Sunit, me Komunitetin e Bektashinjve, me Katolikët dhe Protestantët në Shqipëri. Jemi në një “dialog jete”. Është më se e qartë se nuk bëjmë asnjë lëshim në idetë, në bindjet tona. Jemi ajo që jemi, por nuk kemi marrëdhënie konfliktuale”.

 

Një dritare e hapur për shoqërinë dhe kulturën

 

Kompleksi i Kishës Katedrale, që i është përkushtuar Ngjalljes së Krishtit dhe mbizotëron në qendër të Tiranës, shënon rilindjen e Kishës Orthodhokse, ndërsa njëkohësisht përbën një vatër për përhapjen e kulturës, “një dritare të hapur për shoqërinë”, siç përsërit Kryepiskopi. Në ambientet poshtë Kishës Katedrale është ndërtuar Qendra Kulturore, e cila i mban dyert hapur për aktivitete të shumëllojta. “Ne jemi një komunitet i hapur, që nuk shqetësohemi dhe as kemi frikë. Rrezatojmë besim, dashuri dhe shpresë. I shikojmë njerëzit me respekt, pa frikë dhe shqetësim”.

Ecuria e mundimshme për ringritjen nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë shfaqet e pikturuar në murin lindor të paraklisit të Kishës Katedrale, që i është kushtuar Lindjes së Krishtit. Artisti Kristo Papanikolau, një bashkudhëtar i Kryepiskopit për 18 vite, veç ikonografisë, guxon të skicojë në ikona edhe skena nga rruga për ringjalljen e Kishës në fshatra dhe në qytete të Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve.

Profesori i Akademisë së Arteve të Tiranës, z. Vladimir Myrtezai, në një artikull kritik të tijin i referohet pikërisht bukurisë së krijimit që flet në heshtje brenda paraklisit, ku artisti me shumë aftësi, duke shfrytëzuar ekuilibrat e ambientit dhe nëpërmjet artit të tij me vijëzat që krijojnë dritë-hije, ka kompozuar një vepër unikale. Paraklisi i Lindjes përbën arritje dhe një trashëgimi kulturore për popullin shqiptar, të dhuruar nga Kryepiskopi Anastas.

 

Problemet gjatë shërbesës

 

Në kushtet e vështira ku ndodhej Orthodhoksia, në një rënie të saj të thellë, Kryepiskopi Anastas, duke vënë në praktikë mendimin teologjik dhe përvojën hierapostolike të shekujve, veproi me vendosmëri duke ndërmarrë hapa në tri drejtime: a) në përdorimin e gjuhës amtare në adhurim, katekizëm dhe predikim; b) në dorëzimin e klerit vendas; c) në sigurimin e fondeve financiare. Për këtë ai flet në mënyrë më analitike: “Adhurimi kryhet në gjuhën shqipe. Në fshatrat greke, sigurisht, përdoret gjuha greke, në enoritë sllave adhurimi kryhet në sllavonisht etj.”. Paralelisht, gjatë 25 viteve të shërbesës së tij janë botuar në gjuhën shqipe gazeta mujore, revista, libra (160), që e kanë pasuruar më tej literaturën orthodhokse.

Për krijimin e klerit vendas, fillimisht erdhën në Shqipëri priftërinj nga Greqia dhe Amerika, për të ndihmuar Kryepiskopin Anastas në periudhën e parë të veprës së tij. U organizuan seminare, më vonë, hap pas hapi, u ngrit Akademia Teologjike. “Nuk pranova asnjë kandidat për priftërinë, që nuk kishte mbaruar shkollën e mesme dhe që nuk ishte i predispozuar për të vazhduar më tej studimet”, thekson Kryepiskopi dhe shton se deri më tani janë arsimuar dhe hirotonisur rreth 160 klerikë (nga të cilët 10 kanë ndërruar jetë). Gjithashtu janë hirotonisur episkopë me origjinë shqiptare, me një formim shumë të mirë në teologji.

Pavarësia ekonomike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka qenë puna më e vështirë. “Duhej të siguronim të ardhura të qëndrueshme nga burimet vendase. Si fillim nisëm të depozitonim nëpër banka dhe më pas të blinim prona të paluajtshme. Me kalimin e kohës, me ndihmën e Perëndisë, nëpërmjet donacioneve të ndryshme dhe me kredi bankare, realizuam ndërtimin e një hidrocentrali, të ardhurat e të cilit do të përdoren për përballimin e nevojave elementare në funksionimin e Kishës dhe do të sigurojnë vazhdimësinë e veprës arsimore e sociale të saj. Nuk janë vetëm klerikët me familjet e tyre, por edhe rreth 800 punonjës që ofrojnë aftësitë e tyre në 30 shkolla të të gjitha niveleve, në qendrat shëndetësore dhe në veprimtari të ndryshme sociale.

 

Vepra e dashurisë për të mirën e shoqërisë

 

Kryepiskopi Anastas foli në përgjithësi rreth sprovave të mëdha dhe përpjekjve për gjetjen e fondeve të nevojshme financiare për mundësimin e një vepre dashurie bamirëse e sociale në Shqipëri. “Gjendja ekonomike ishte e vështirë. Kisha ishte shumë e varfër. Tërë pasuria e saj ishte konfiskuar. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ndërtuam 150 kisha të reja, rikonstruktuam mbi 160 të tjera ekzistuese dhe restauruam mbi 60 monumente të kulturës. Në shumë raste na u desh të ndërtonim rrugë, ujësjellës, konvikte, klinika, shkolla të të gjitha niveleve. Të gjitha këto vepra janë shprehje e dashurisë për Perëndinë dhe njeriun. Lavdi Perëndisë, shumë dashamirës iu përgjigjën lutjeve tona për ndihmë ekonomike, njerëz nga Greqia, nga vende të ndryshme të Evropës, Amerika, Australia. Disa raste janë veçanërisht prekëse”.

Kryepiskopi Anastasi e mbyll duke thënë: “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, jo vetëm që u ringrit tërësisht me të gjitha strukturat kishtare, por njëkohësisht kontribuon në mënyrë të prekshme në ringritjen e vendit, si dhe në zhvillimin shpirtëror e social të Shqipërisë”.

 

 

18/06/2017

09:00 Agjencia e Lajmeve e Athinës dhe e Maqedonisë

Μ. Xhora

Janinë