– Apostulli – Romakëve 9:6-19.

Dhe nuk është se ka rënë poshtë fjala e Perëndisë. Sepse të gjithë sa janë prej Izraelit, këta nuk janë Izrael; as ngaqë janë farë e Abrahamit, janë të gjithë bij të tij; por “në Isaakun do të quhet fara jote”. Domethënë, bijtë e mishit, nuk janë këta bij të Perëndisë; po bijtë e premtimit llogariten për farë.

Sepse fjala e premtimit është kjo: “Në këtë kohë do të vij, edhe Sara do të ketë bir”. Edhe jo vetëm kjo, po edhe Rebeka kur u gjend me barrë prej një burri, prej Isaakut atit tonë; sepse para se të lindnin djemtë, edhe para se të bënin ndonjë vepër të mirë a të ligë, që të mbetet urdhri i parë i Perëndisë që është sipas zgjedhjes, jo prej veprash, po prej atij që thërret, iu tha asaj: “Se më i madhi do t’i shërbejë më të voglit”, siç është shkruar “Jakovin e desha, po Esaun e urreva”. Ç’të themi pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Qoftë larg.

Sepse Moisiut i thotë: “Do të përdëllej atë që të përdëllej, edhe do të më dhimbet për atë që të më dhimbet”. Kështu pra kjo nuk është prej atij që do, as prej atij që vrapon, po prej Perëndisë që përdëllen. Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: “Se për këtë të ngrita, që të tregoj në ty fuqinë time, edhe që të rrëfehet emri im në gjithë dhenë”. Atë pra që do ta përdëllejë, e përdëllen; edhe atë që do ta ashpërsojë, e ashpërson. Do të më thuash pra: Përse më qorton? Cili mund të rrijë kundër vullnetit të tij?