– Anargjendët Kozma e Damian, romakë –

Kemi tri çifte shenjtorësh, vëllezër që mbartin të njëjtat emra. Që të gjashtë ishin mjekë dhe shëronin nëpërmjet shkencës, por më tepër nëpërmjet forcës së Krishtit, pothuajse çdo sëmundje njerëzore, por edhe kafshësh. Prandaj nderohen si mbrojtës të mjekëve. Mrekullitë që bënin pa marrë para (pa argjend), i jepnin besueshmëri predikimit të tyre për përhapjen e Krishterimit. Fama e tyre u përhap shpejt kudo, ndërsa mrekullitë pasuan edhe pas vdekjes së tyre.

Dyshja e parë (1 korrik) ishin romakë. Disa idhujtarë smirëzinj shpifën kundër tyre te perandor Karini (283-285), se mrekullitë që ata bënin ishin rezultat i magjisë. Shkuan te mbreti pa i ftuar, i cili, kur i kërcënonte, iu kthye qafa mbrapsht! Shenjtët e shëruan, pra u bë i krishterë, si dhe shumë të tjerë. Por mësuesi i tyre në mjekësi i kishte smirë, prandaj, pasi komplotoi me nxënësit e tij, i ngjitën në mal gjoja për të mbledhur barëra. Atje i vranë duke i goditur me gurë.

Dyshja e dytë ishin arabë dhe kishin edhe vëllezër të tjerë, Leontin, Anthimin, Efprepin (ose Eftropin) që i festojnë bashkë me Kozmain dhe Damianin (17 tetor). Në kohën e Dioklecianit (284-305) idhujtarët e Kilikisë, në juglindje të Azisë së Vogël, i rrahën të gjithë, i hodhën në det të lidhur me gurë dhe pastaj në furrë. Meqenëse ata shpëtonin në mënyrë të mbinatyrshme, i mbërthyen në kryqe dhe iu prenë kokat.

Anargjendët (anargjirët) e fundit (1 nëntor) ishin me origjinë nga Azia. U edukuan me shpresëtari nga prindërit e tyre, në veçanti nga e ëma e tyre, shën Theodhota (2 janar), që ngeli herët e ve. Pas fjetjes së saj vepruan me frytshmëri dhe u prehën në paqe.