– Dëshmorët Leonti, Ipati, Theodhuli –
Shën Leonti sherbente në ushtrinë romake gjatë mbretërimit të Vespasianit (rreth 69-79), dhe dallohej për trimërinë e tij. Në garnizon në Tripoli (Feniki), u shpërndau të varfërve të ardhura nga ushtria duke dënuar edhe idhujt. Këtë e mori vesh guvernatori i Fenikit Adriani, dhe dërgoi gjykatësin Ipati që ta kapnin Leontin. Kur arritën në afërsi të qytetit, Ipatin e zunë ethe të forta, dhe natën iu shfaq një engjëll që i tha: “Nëse do që të shërohesh, thirr tri herë Perëndinë e Leontit”, pastaj engjëlli u zhduk. Ipati bëri kështu dhe u lehtësua.
Të nesërmen, Ipati u kthye në qytet i shoqëruar nga ushtar Theodhuli. Takuan Leontin, i cili i përshëndeti dhe i ftoi në shtëpinë e tij. I priti me të gjitha të mirat dhe iu zbuloi se ishte ushtar i Krishtit. Ipati dhe Theodhuli i ranë në këmbë dhe iu përgjëruan t’i çlironte nga papastërtia e idhujtarisë që të bashkoheshin me Krishtin. Kur Leonti po lutej për ta, një re në qiell u shfaq dhe derdhte sipër tyre ujin e nevojshëm për pagëzim.
Ata u përgjigjën me guxim se tani i përkisnin ushtrisë së Mbretit qiellor. Atëherë Ipatin e varën në pemen e torturave dhe ja copëtuan trupin me thonjë hekuri. Theodhulin e shtrinë dhe e goditën pa mëshirë. Duke parë që shenjtorët nuk i nënshtronin dot me anë të torturave i nxorën përpara gjyqit dhe i dënuan me vdekje me prerje koke. Leontin e nxorën përsëri përpara gjykatës. U rrah egërsisht nga 4 ushtarë. Ia çorën trupin, e varën me kokë poshtë dhe e kamxhikuan. E çuan përsëri në burg. Një engjëll vinte dhe e ngushëllonte.
Të nesërmen e nxorën në shesh dhe e shtrinë në 4 shtylla, e goditën keq dhe shenjti dorëzoi shpirtin e tij te Perëndia. Trupin e tij e vendosën besimtarët në portin e Tripolit, dhe një kishë të madhe ndërtuan për nder të tij. Shën Leonti u bë martiri më i nderuar në Feniki dhe një nga më të njohurit në tërë Lindjen e krishterë.