UNGJILLI – Joani 16:15-23.

Gjithë sa ka Ati, janë të miat; prandaj thashë, se do të marrë prej simes, edhe do t’jua tregojë juve.Edhe pak, dhe nuk do të më shihni; edhe përsëri edhe pak, e do të më shihni; sepse unë po shkoj tek Ati.

Atëherë disa nga nxënësit e tij i thanë njëri-tjetrit: Ç’është kjo që na thotë: Edhe pak, edhe nuk do të më shihni; edhe përsëri edhe pak, e do të më shihni? Dhe se unë shkoj tek Ati? Thoshin pra: Ç’është kjo që thotë: Edhe pak? Nuk dimë se çfarë flet.

Jisui pra kuptoi se donin ta pyesin, dhe u tha atyre: Për këtë diskutoni njëri me tjetrin, se thashë: Edhe pak, edhe nuk do të më shihni, edhe përsëri, edhe pak, e do të më shihni?
Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ju do të qani e do të vajtoni, por bota do të gëzohet dhe ju do të hidhëroheni, po hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim. Gruaja, kur lind, ka hidhërim, se i erdhi ora; por si të lindë foshnjen, s’kujton më shtrëngimin, nga gëzimi se lindi një njeri në botë.

Edhe ju pra tani keni hidhërim; po përsëri do t’ju shoh, edhe zemra juaj do të gëzohet, edhe asnjë nuk e ngre gëzimin tuaj prej jush. Edhe në atë ditë nuk do të më pyetni për asgjë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se sa t’i kërkoni Atit në emrin tim, do t’jua japë juve.