– Oshënar Nifoni nga Lukova (Sarandë) –
Bir i një prifti shpresëtar, lindi më 1315 në fshatin Lukovë të Sarandës. Në moshën 10-vjeçare ia besojnë një xhaxhai të tij, vëlla i manastirit të afërt të Mesopotamit, një manastir bizantin perandorak me interes arkitektonik. Atje mësoi Shkrimet e Shenjta, u bë murg dhe (rreth vitit 1335) prift. Inteligjent, i kujdesshëm, pra, dhe shumë i ditur, aspiroi jetën eremite. Iku nga manastiri dhe mësoi në mënyrë të frytshme te një jeront i Sinait, i cili kishte ardhur në malin Giromero të Epirit. Shpejt arriti të recitonte të gjithë Psaltirin drejt me një këmbë! Për hir të qetësisë së skajshme, shkoi në Malin e Shenjtë, në “kathismën” e shën Petro Athonitit (12 qershor) në zonën e Lavrës, nën drejtimin e asketit Theognost.
Mbas 3 vjetësh, ai zbuloi se Nifoni ishte prift, kështu që oshënari iku, pasi jeronti i tij i sillej tashmë si vëlla. Në vazhdim u ushtrua në vende të ndryshme të Malit të Shenjtë, si: në Skitin e tanishëm të Shën Anës; më pas afër mikut të tij të ngushtë, shën Maksim Kafsokalivit (13 janar), biograf i parë i të cilit është Nifoni; më pas në shpellën në breg të detit para Kafsokaliveve të sotme.
Për vite të tëra jetonte me bukë thatë që hante një herë në javë, ndërsa për njëfarë kohe kishte për dietë të vetme lakrat dhe jetonte në qiell të hapur pa banesë dhe pa strehë. U akuzua, pra, nga ziliqarë si i mashtruar (nga djalli), dhe u thirr për të ndërruar mënyrë jetese, kështu që u bind përulësisht. Referohen: parashikime ngjarjesh të largëta, shërime trupore dhe shpirtërore dhe mirëbërje të tjera.
Afër tij ishin tërhequr dikur shumë veta, por i la dhe iku për të mos e shpërndarë vëmendjen. Vetëm dy murgj murgëruan bashkë me të, patriotët e tij Marko dhe Gavriil. E paranjohu fjetjen e tij, gjatë së cilës fytyra e tij shekullore shkëlqeu si diell (E diel 14. 6. 1411).
Nifon, greqisht do të thotë: i gatshëm, i kthjellët.