– Hierodëshmor Theodhoti –

U martirizua në vendin e tij Ankara, Azia e Vogël, ka gjasa gjatë perandorisë së Dioklecianit (284-305). Ishte shpresëtar, i martuar. Merrej me tregti drithërash dhe njëkohësisht bukëpjekës. Shpeshherë u shpërndante bukë të varfërve dhe të burgosurve të krishterë, të cilët i inkurajonte në besim. Kur arkondi spërkati ushqimet me verë nga flijime idhujsh, që të “ndoteshin” të gjithë, ai i furnizoi me bukë besimtarët dhe ata nuk u njollosën. Ai e kishte kthyer dyqanin në sallë mbledhjesh.

Njëherë gjeti në burg dhe hallën e vet, Tekusën, bashkë me 7 virgjëresha vendëse, Aleksandrinën (ose Aleksandrën), Klaudian, Fainen, Efrasinën, Matronën, Julian dhe Theodhotën (festohen më 18 maj). Meqenëse nuk u bënë flijime idhujve, i dorëzuan tek ushtarët që t’i çnderoheshin, por i shpëtoi ndihma hyjnore. Ato i hodhën në liqenin që ndodhej aty pranë të lidhura me gurë në qafë ku edhe dhanë shpirt. Tirani i pamëshirshëm urdhëroi që të mos varroseshin lipsanet e shenjta. Por shenjti i mblodhi bashkë me të krishterë të tjerë dhe i varrosi. Shenjtin e tradhtuan dhe e kapën. E rrahën egërsisht, e varën, e çorën, i hodhën në plagë uthull e kripë dhe më në fund ia prenë kokën. Lipsanet e nderuara të grave i zhvarrosën dhe i dogjën.

Titulli i sinaksarit më 18 maj flet për 7 vajza, por në tekst shkruhen 8. Pra, u supozua se Tekusa nuk është emër. Por mbiemër që do të thotë lindësja (e 7 virgjëreshave). Ekziston mundësia për një tjetër Efrasi martire që pason në sinaksar, e cila u mbyt gjithashtu, u fut gabimisht në grupin e 7 virgjëreshave, saqë u bënë 8; në një rast të tillë edhe Tekusa ishte e virgjër. Për shën Efrasinën, të dytën, nuk disponojmë të dhëna të tjera.

Gjithashtu, më 20 mars nderohen 7 martire virgjëresha në Amison (Azia e Vogël), Aleksandria, Klaudia, Efrasia, Matrona, Juliana, Efimia dhe Theodhosia (Theodhora). Megjithëse emrat ngjajnë shumë, duket se janë persona të tjerë, meqë ndryshon vendi, torturimi dhe mbarimi i tyre. Shën Theodhoti kremtohet përsëri më 18 maj së bashku me atletet e Krishtit, të cilat ai i varrosi.