– Hierodëshmor Dhorotheu i Tirës –

Meqë ishte i virtytshëm, i zgjuar dhe i urtë, u bë episkopi i Tirës në bregdetin verior të Palestinës, rreth vitit 303. Për shkak të përndjekjeve, u largua në Thrakë, nga ku u kthye pasi ato pushuan dhe e drejtoi dioqezën e tij në mënyrë të pëlqyeshme te Perëndia për mjaft dekada.

Si i ditur i Shkrimeve të Shenjta, u mor me hartimin e mjaft veprave të shkëlqyera në greqisht dhe latinisht, të cilat i dhanë famë: “U bë i madh për fjalët dhe njëkohësisht një shkrimtar tepër historik”. Në kohën e Julian Paravatit (361-363) iku përsëri në Thrakë që të shpëtonte nga përndjekjet. Por atje u kap dhe u evidentua si hierodëshmor: mbaroi gjatë torturave në moshën 107-vjeçare.

 

* * * * *

– Igori, mbret i Kievit –

Princi Igor lindi në vitin 1080. Trashëgoi nga i ati pozitën e princit dhe hipi në fron në vitin 1146, si princ i madh i Kievit.

Por banorët e Kievit, që nuk e donin dinastinë e Olgoviçëve, e dëbuan dhe, pasi e goditën, e mbyllën në burgun e Perejaslavit. I dërrmuar nga sëmundjet dhe fatkeqësitë, princi i braktisi të drejtat dinastike dhe kërkoi të merrte veshjen murgërore. E liruan prej burgut dhe u bë murg me Skimë të madhe në manastirin e Shën Theodhorit të Kievit.

Edhe pse u tërhoq në manastir, urrejtja e popullit vazhdoi ta përndiqte dhe një ditë, teksa po lutej para ikonës së Hyjlindëses, u vra në mënyrë brutale, pastaj turma e tërhoqi trupin e tij nëpër rrugët e Kievit (19 shtator 1147). Lipsanet e tij të shenjta u transferuan më 5 qershor 1150 në kishën e Metamorfozës së Çernigovit, ku kryen shumë mrekulli.