UNGJILLI – Joani 9:39-10:9.
Pastaj Jisui tha: Unë për gjyq kam ardhur në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin, edhe të bëhen të verbër ata që shohin. Edhe sa prej Farisenjve ishin bashkë me të, i dëgjuan këto, edhe i thanë: Mos jemi edhe ne të verbër? Jisui u tha atyre: Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat; por tani thoni se shohim. Mëkati juaj pra mbetet.
Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që nuk hyn nga dera në oborrin e dhenve, po hipën nga tjetër vend, ai është vjedhës e kusar. Por ai që hyn nga dera, është bariu i dhenve. Këtij i hap derën portari; edhe dhentë dëgjojnë zërin e tij; edhe i thërret dhentë e veta me emër, edhe i nxjerr.
Edhe kur nxjerr dhentë e veta, shkon përpara tyre; edhe dhentë i shkojnë prapa, sepse e njohin zërin e tij. Ndërsa të huajit nuk do t’i shkojnë prapa, por do të ikin prej tij; sepse nuk e njohin zërin e të huajve.
Këtë paravoli u tha atyre Jisui, po ata nuk kuptuan çfarë ishin këto që u fliste atyre.
Jisui pra u tha atyre përsëri: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se unë jam dera e dhenve. Gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; po dhentë nuk i dëgjuan ata. Unë jam dera. Në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, edhe do të hyjë, edhe do të dalë, edhe do të gjejë kullotë.