APOSTULLI – Veprat e Apostujve 14:20-15:14.
Po kur e qarkuan nxënësit, u ngrit e hyri në qytet, dhe të nesërmen doli bashkë me Varnavën në Dervë.
Edhe pasi predikuan ungjillin në atë qytet dhe bënë mjaft nxënës, u kthyen në Listër e në Ikoni e në Antioki, duke forcuar shpirtrat e nxënësve, e duke i nxitur ata të qëndrojnë në besim, edhe se me shumë shtrëngime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. Edhe si u dorëzuan atyre pleq në çdo kishë, edhe u lutën me agjërime, i lanë te Zoti që i kishin besuar. Edhe si shkuan nëpër Pisidi, erdhën në Pamfili; edhe si folën fjalën në Pergë, zbritën në Atali. Edhe së andejmi lundruan për në Antioki, atje ku ishin dhënë në hirin e Perëndisë për punën që mbaruan.
Edhe si erdhën, mblodhën kishën, dhe u treguan atyre sa bëri Perëndia me anë të tyre, edhe se hapi në kombet derën e besimit. Edhe ndenjën atje shumë kohë bashkë me nxënësit.
Edhe ca veta që zbritën nga Judea mësonin vëllezërit se në mos u rrethprefshi sipas zakonit të Moisiut, nuk mund të shpëtoni. Po pasi Pavli dhe Varnava u qëndruan kundër dhe u hëngrën jo pak me fjalë me ata, vendosën që Pavli e Varnava dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten tek apostujt dhe te pleqtë në Jerusalem për këtë çështje.
Ata pra si u përcollën nga kisha, shkonin nëpër Finikë e nëpër Samari, duke treguar kthimin e kombeve; dhe u sillnin gëzim të madh gjithë vëllezërve. Edhe kur erdhën në Jerusalem, u pritën prej kishës e prej apostujve e prej pleqve, edhe njoftuan për gjithë sa bëri Perëndia me anë të tyre. Po u ngritën disa nga sekti i Farisenjve që kishin besuar, e thoshin se duhet t’i rrethpresim ata e t’i porositim të ruajnë ligjin e Moisiut.
Edhe u mblodhën apostujt e pleqtë të shikojnë për këtë çështje.
Edhe pasi u bënë shumë diskutime, u ngrit Pjetri, e u tha atyre: O burra vëllezër, ju e dini se që në ditët e lashta Perëndia në mes tonë zgjodhi që me anë të gojës sime të dëgjojnë kombet fjalën e ungjillit dhe të besojnë. Edhe zemërnjohësi Perëndi dha dëshmi tek ata, duke u dhënë atyre Frymën e Shenjtë sikurse edhe neve. Edhe nuk bëri ndonjë dallim në mes tonë e atyre, duke pastruar zemrat e tyre me anë të besimit. Tani pra përse ngisni Perëndinë, e kërkoni të vini mbi qafën e nxënësve një zgjedhë, të cilën as etërit tanë as ne nuk mundëm ta mbajmë? Po me anë të hirit të Zotit Jisu Krisht besojmë se do të shpëtojmë, sikurse edhe ata.
Edhe gjithë populli heshti dhe dëgjonin Varnavën e Pavlin që tregonin sa shenja e çudira bëri Perëndia me anë të tyre në mes kombeve.
Edhe si pushuan ata, u përgjigj Jakovi, duke thënë: O burra vëllezër, pa më dëgjoni. Simeoni shpjegoi me çfarë mënyre Perëndia të parën herë hodhi sytë mbi kombet, që të marrë prej tyre një popull për emrin e tij.