APOSTULLI – Veprat e Apostujve 12:25-13:12.

Edhe Varnava e Sauli, u kthyen nga Jerusalemi, pasi mbaruan shërbesën, duke marrë me vete Joanin që mbiquhej Mark.
Edhe në kishën që ishte në Antioki ishin disa profetë e mësues, Varnava dhe Simeoni që quhej Nigjer, dhe Luçi Kireneasi, edhe Manaini që ishte rritur bashkë me Irod tetrarkun, edhe Sauli. Edhe ndërsa ata ishin duke i shërbyer Zotit e duke agjëruar, Fryma e Shenjtë tha: M’i ndani veç Varnavën dhe Saulin për atë punë që i kam thirrur ata. Atëherë si agjëruan e u lutën dhe vunë duart mbi ta, i lëshuan.

Këta pra pasi u dërguan nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Selefki, edhe prej andej lundruan për në Qipro. Edhe kur erdhën në Salaminë, predikuan fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e Judenjve; dhe kishin edhe Joanin ndihmës. Edhe si kaluan ujdhesën deri në Pafë, gjetën njëfarë magjistari profet të rremë Judeas, që e kishte emrin Barjisu, i cili ishte bashkë me guvernatorin Sergj Pavli, një burrë i mençur. Ky thërriti Varnavën dhe Saulin, dhe kërkoi të dëgjojë fjalën e Perëndisë. Po Elimas magjistari, se kështu përkthehet emri i tij, i kundërshtonte ata dhe kërkonte ta kthejë guvernatorin nga besimi.

Po Sauli, që quhej edhe Pavël, u mbush me Frymë të Shenjtë, e si hodhi sytë mbi të, tha: O ti që je plot me çdo mashtrim e me çdo farë intrige, bir i djallit, armiku i çdo drejtësie, a nuk do të pushosh së prishuri udhët e drejta të Zotit? Edhe tani ja dora e Zotit tek është mbi ty; edhe do të mbetesh i verbër, e nuk do të shohësh diellin deri në një kohë. Edhe përnjëherë ra mbi të një mjegull e errësirë, edhe duke ardhur rrotull kërkonte njerëz që ta hiqnin prej dore. Atëherë kur pa guvernatori se ç’u bë, besoi, edhe çuditej për mësimin e Zotit.