APOSTULLI – Veprat e Apostujve 10:44-11:10.
Ndërsa Pjetri ishte duke folur këto fjalë, ra Fryma e Shenjtë mbi gjithë ata që dëgjonin fjalën. Edhe u mahnitën besimtarët që ishin prej rrethprerjes, sa kishin ardhur bashkë me Pjetrin, se edhe në kombet u derdhka Fryma e Shenjtë. Sepse i dëgjonin ata duke folur gjuhë, e duke madhëruar Perëndinë.
Atëherë Pjetri u përgjigj: Mos mundet uji të ndalojë ndonjë që të mos pagëzohen këta, të cilët morën Frymën e Shenjtë, si edhe ne? Edhe i urdhëroi ata të pagëzohen në emrin e Zotit. Atëherë iu lutën të qëndrojë pak ditë tek ata.
Edhe apostujt e vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe kombet pranuan fjalën e Perëndisë. Edhe kur u ngjit Pjetri në Jerusalem, haheshin me të ata që ishin prej rrethprerjes, duke thënë se hyre ndër njerëz të parrethprerë, e hëngre bashkë me ta.
Po Pjetri zuri e u tregoi atyre sa u bënë një nga një, duke thënë: Unë isha duke u lutur në qytetin e Jopës; edhe në ekstazë pashë një vegim, një enë që zbriste si një pëlhurë e madhe, e cila lidhur nga të katër cepat lëshohej poshtë nga qielli, dhe erdhi deri tek unë; në të cilën, kur hodha sytë, vura re e pashë shtazët e dheut katërkëmbëshe dhe bishat dhe zvarranikët dhe zogjtë e qiellit.
Edhe dëgjova një zë që më thoshte: Ngrihu Pjetër, ther e ha. Po unë thashë: Qoftë larg, o Zot! Se gjë e ndyrë a e papastër, kurrë s’ka hyrë në gojën time. Po zëri m’u përgjigj për së dyti nga qielli: Ato që ka pastruar Perëndia, ti mos i quaj të ndyra. Edhe kjo u bë tri herë; dhe përsëri u hoqën të gjitha lart në qiell.