APOSTULLI – Veprat e Apostujve 10:34-43.
Atëherë Pjetri hapi gojën e tha: Me të vërtetë po e marr vesh se Perëndia s’mban anë njeriu; po në çdo komb ai që ka frikë prej tij dhe punon drejtësi, është i mirëpritur tek ai.
Fjalën që u dërgoi bijve të Izraelit duke ungjillëzuar paqe me anë të Jisu Krishtit, ky është Zoti i të gjithëve, këtë fjalë ju e dini, që u përhap nëpër gjithë Judenë, duke nisur nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Joani; si vajosi Perëndia Jisuin nga Nazareti me Frymë të Shenjtë e me fuqi, i cili përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar gjithë ata që mundoheshin prej djallit; sepse Perëndia ishte bashkë me të, edhe ne jemi dëshmitarë për gjithë ato që bëri edhe në dhe të Judenjve edhe në Jerusalem; të cilin e vranë duke e varur mbi dru; këtë Perëndia e ngjalli të tretën ditë, edhe e bëri atë të duket, jo në gjithë popullin, po në dëshmitarët e parazgjedhur prej Perëndisë, do me thënë tek ne që hëngrëm e pimë bashkë me të, pasi u ngjall prej së vdekurish; edhe na porositi ne të predikojmë në popull e të dëshmojmë se ai është ai që qe urdhëruar prej Perëndisë gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve.
Për këtë dëshmojnë gjithë profetët, se me anë të emrit të tij do të marrë ndjesë mëkatesh kushdo që i beson atij.