– E Diela e të Paralizuarit –

E Diela III pas Pashkës i kushtohet shërimit të të paralizuarit prej Krishtit (Joani 5). Ky njeri u shërua nga Krishti ndërsa po priste që dikush ta zbriste në pellgun e ujit. Nëpërmjet Pagëzimit në Kishë, ne gjithashtu jemi shëruar dhe shpëtuar nga Krishti për jetën e amëshuar. Kështu, kjo ngjarje na tregon se edhe ne së bashku me ulokun duhet që “të mos mëkatojmë më që të mos na bëhet ndonjë gjë më e keqe” (Joani 5:14).

 

* * * * *

– Miroprurëse Maria e Kleopës –

Maria, gruaja e Kleopës, ishte një nga gratë e shenjta që i shërbenin Jisuit gjatë misionit të Tij publik, nga Galileja në Jerusalem. Ajo e shoqëroi deri në Kalvar, duke vajtuar pranë Kryqit, bashkë me Hyjlindësen dhe shën Maria Magdalenën, ndërsa apostujt u larguan. Të tretën ditë, në të gdhirë, bashkë me Miroprurëset e tjera shkoi te varri me aroma. Kështu u bë dëshmitare e Ngjalljes dhe shkoi t’ua shpallte edhe apostujve.

 

* * * * *

– Oshënar Mihaili i Sinadhës –

Ishte nga Sinadha e Frigjisë, braktisi atdheun për të shkuar në Konstandinopojë, ku lidhi aq shumë miqësi shpirtërore me shën Theofilaktin, saqë i shikonin si një njeri të vetëm. Të dy miqtë u bënë murgj në manastirin që ndodhej në Bosfor. Përparuan shpejt në virtyt, përulësi dhe në gëzim të përhershëm të shpirtit. Shën Terezi që kishte themeluar këtë manastir, duke parë arritjet e tyre, i dorëzoi peshkopë: Theofilaktin, mitropolit të Nikomedisë dhe Mihailin, peshkop të Sinadhës (rreth 784). Ai shpallte drejt fjalën e së vërtetës si me mësimet e tij, ashtu edhe me jetën. Ishte i butë, i duruar, i mëshirshëm, nuk zemërohej, drejtonte kisha e manastire dhe themeloi shtëpi pritjeje e bamirësie. Mori pjesë në Sinodin e shtatë të Nikeas (787), ku mbështeti doktrinën orthodhokse për nderimin e ikonave të shenjta.

Më 806 shenjti kryesoi një përfaqësi të dërguar nga perandori Niqifor pranë Kalifit Harun-Al-Rashid. Atje dëshmoi për paqen dhe frymën e pajtimit. Gjithashtu, në vjeshtën e vitit 811 u dërgua në Romë që t’i paraqiste papës letrat sinodike dhe të siguronte një mbështetje në çështjen e mbrojtjes së ikonave të shenjta. Një vit më vonë u prit nga Karli i Madh dhe mori një traktat paqeje.

Pas dy vjetësh mbretërimi, perandori i ri, Leoni V Armeni (813-820), filloi persekutimin kundër ikonave. Mihaili bashkë me Efthimin e Sardës, Josifin e Selanikut, Emilianin e Kizikës dhe Theofilaktin e Nikomedisë ishin të gatshëm për të derdhur edhe gjakun e tyre në mbrojtje të besimit të vërtetë. U paraqitën para sovranit dhe u përpoqën ta bindnin me argumente nga Etërit dhe me mbështetjen e Kishës së Romës. Por më kot. Tirani i verbuar i ndaloi dhe i internoi larg njëri-tjetrit, duke u ndaluar dhe korrespodencat. Shën Mihaili u dërgua në Evdhoki në Frigji, ku qëndroi më shumë se dhjetë vjet. Vuajti shumë duke u lutur për persekutorët. Nuk pushoi së mbrojturi besimin orthodhoks dhe ndihmonte fatkeqët, nuk e la asketizmin dhe agripninë. Kryente shumë mrekulli si për njerëz, ashtu edhe për kafshë shtëpiake; arriti të zbuste e të kthente në besim banorët e kësaj krahine të veçuar.

Kur perandori e mori vesh këtë, vendosi ta largonte nga Frigjia. Duke u endur sa andej-këtej, njeriu i Zotit arriti në një vend plot minj që shkatërronin të korrat. U shpjegoi njerëzve se kjo është dërguar nga Zoti si ndëshkim për mëkatet e tyre, ndaj dhe i këshilloi të kreshmonin tri ditë dhe të pendoheshin. Ky afat kaloi dhe shenjti i mblodhi të gjithë në fushë. Në kohën që populli thërriste: “Mëshiro, o Zot”, shenjti qëndronte në gjunjë dhe lutej për ta me sy dhe duar drejtuar nga qielli. S’kaloi shumë dhe një tërmet tronditi gjithë zonën dhe minjtë u larguan.

Pas kësaj ndodhie shkoi në Eurantisia, ku banorët i kërkuan ndihmë t’i lutej Perëndisë që t’i shpëtonte nga karkalecat që shkatërronin kulturat dhe pemët frutore. Shenjti u lut natën dhe të nesërmen kryesoi një procesion, ku bashkë me popullin psalnin: “Mëshiro, o Zot”. Karkalecat u bashkuan si një re e dendur e errët dhe u zhdukën në lartësi. Vazhdonte të endej sa në një vend në tjetrin dhe përfundimisht u gjend në Konstandinopojë ku kaloi disa kohë në burg, por përsëri u internua në brigjet e liqenit të Nikomidisë. Megjithëse i dërrmuar nga sprovat dhe në moshë të thyer, nuk pushoi së luturi për perandorin, për paqen e Kishës, shpëtimin e botës dhe bollëkun e frutave të tokës.

Të Hënën e Pentikostisë së vitit 826, pas një dreke me shën Theodhor Studitin, mikun e tij të ngushtë, u sëmur dhe zuri shtratin. Të nesërmen Theodhori e gjeti mes dhimbjesh dhe ditën e tretë, të Mërkurën e Pentikostisë, shenjti dha frymën e fundit në prani të mikut dhe bashkëluftëtarit pas 40 vjetësh peshkop. “Trupi i tij pa jetë”, shkruan Thedhori “pamja e një engjëlli rrezatonte dritë hyjnore”. Lipsani i tij i çmuar i është dhuruar Lavrës së Madhe të Shën Athanasit në Malin e Shenjtë nga perandori Vasili II dhe nga vëllai i tij, Kostandini VIII. Nderohet edhe në ditët tona, ku kryen mrekulli të shumta, veçanërisht mbron bimët nga keqbërësit.