– Etërit e Sinodit të Dytë Ekumenik –
Vendimi i Sinodit të Nikeas nuk u pranua gjithanshmërisht në Kishë për një kohë të gjatë. Kundërshtimi vazhdoi për shumë dekada. Sinode të shumtë u mbajtën në vende të ndryshme, të cilët formuluan pohime të ndryshme të besimit. Partia ariane fitoi mbështetjen perandorake dhe mbrojtësit e besimit të Nikeas u persekutuan shumë. Turbullirat vazhduan deri në 381 kur, në një sinod në Konstandinopojë, i njohur tani si Sinodi i Dytë Ekumenik, vendimi fillestar i Nikeas u riafirmua dhe u shpall hyjnia e Shpirtit të Shenjtë. Pohimi i kombinuar i këtyre dy sinodeve përbën Simbolin e Besimit, Besoren e Kishës Orthodhokse.
Ky Sinod i shenjtë e i madh, i cili u thirr nga perandor Theodhosi i madh që kur hyri në Konstandinopojë, mblodhi në periudhën maj – korrik 381, njëqind e pesëdhjetë episkopë të Lindjes, fillimisht nën kryesinë e shën Meletit të Antiokisë (12 shkurt), kampionit të madh të Orthodhoksisë, të cilin perandori e nderonte në mënyrë të veçantë. Pas vdekjes së tij të papritur, disa ditë pas çeljes së sesioneve, dhe pas varrimit të tij, në të cilin mori pjesë perandori dhe të gjithë Etërit, u zgjodh shën Grigor Theologu, i cili u fronëzua kryepiskop i Konstandinopojës, për të kryesuar debatet. Por, meqenëse episkopët nuk arritën të binin dakord se kush do ta pasonte Meletin në fronin e Antiokisë, Grigori, i cili u akuzua se ishte transferuar në Konstandinopojë duke thyer Kanunet e shenjta, u tërhoq (25 janar). Atëherë zgjodhën shën Nektarin (11 tetor) për ta pasuar, si në fronin patriarkal dhe në kryesinë e sinodit.
Ndër Etërit e shenjtë që shkëlqyen në këtë Sinod, ishte shën Kirilli i Jerusalemit (18 mars), shën Amfiloku i Ikoniumit (23 nëntor), dhe dy vëllezërit e shën Vasilit: shën Petro i Sevastisë dhe shën Grigori i Nisës (10 janar). Ky ishte frymëzuesi i vërtetë i debateve, i cili shpalosi veprat e të vëllait (1 janar), aq sa mund të thuhet se nëpërmjet vëllezërve dhe dishepujve të tij, shën Vasili, që tashmë kishte dy vjet që kishte fjetur, ishte i pranishëm me shpirt në këtë Sinod, i cili shënoi edhe kurorëzimin e punëve të tij, si në planin teologjik, ashtu edhe në nivelin e organizimit kishtar.
Të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, ata shpallën të njëjtën natyrë Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, duke i dhënë fund arianizmit, i cili e kishte ndarë mizorisht Lindjen për më tepër se pesëdhjetë vjet. I dënuan me anatemë partizanët e Makedonit, Pnevmatomakët, të cilët i kishin bashkangjitur Personit të Shpirtit të Shenjtë blasfemitë e Ariosit për hyjninë e Birit, dhe rrëzuan tërë heretikët e tjerë: Savelin, Markelin e Angjirës, Fotin e Smirnës, Evnomin, Aikin, Pavlin e Samosatës, Apolinarin (Kanoni 1). Ata konfirmuan pa dykuptimshmëri besimin në Trininë e Shenjtë e të pandarë: Atë, Bir dhe Shpirt i Shenjtë, tre Persona hyjnorë, të bashkësubstancshëm dhe të dallueshëm, dhe në Mishërimin e Birit të Perëndisë, përcaktuar nga Etërit e Sinodit të Parë Ekumenik, pastaj ata plotësuan dhe vulosën përfundimisht Simbolin e Besës (Kredon), të cilin ia transmetuan Kishës si përkufizimin e përsosur të misterit të Shpëtimit.
Kjo shprehje madhore dhe e matur e doktrinës së krishterë u konfirmua nga të gjitha Sinodet Ekumenike të mëpasshme dhe u konsiderua si kriteri i parrëzueshëm i besës orthodhokse, e patjetërsueshme gjatë shekujve. Duke u recituar përditë nga besimtarët , ky “Himn hyjnor i shpresëtarisë orthodhokse, vulosur nga hiri i Shpirtit” i bën pjesëmarrës të besimit të Etërve të shenjtë, trashëgimtarë të Apostujve, dhe tërë Kishën e mban në unitet dhe mirëkuptim.
Para se Etërit të ndaheshin, ata nxorën shtatë Kanone që paraqitnin rregulla disiplinore për marrëdhëniet e Kishave lokale, duke deklaruar në veçanti se episkopi i Konstandinopojës, Roma e Re dhe selia e administratës perandorake, do të ketë parësinë e nderit pas episkopit të Romës (Kanoni 3).
Më 30 korrik 381, perandori Theodhos shpalli një edikt që ratifikonte veprën e Sinodit, urdhëronte të quheshin orthodhoksë vetëm ata që ishin në kungim me Etërit, dhe kishat që mbaheshin peng nga heretikët duhet t’u ktheheshin orthodhoksëve.
* * * * *
– Dëshmor Joan Vladimiri –
Lindi në fshatin Vladimir (nga del dhe emri i tij) të Krajës, në Malin e Zi afër Shkodrës, dhe u bë mbret. Ishte i drejtë dhe i pastër në moral dhe ndihmoi në shtrirjen e Orthodhoksisë. Njëherë, kur udhëtonte në shtetin e tij me gjeneralët, dalloi në një pyll afër Elbasanit një shqiponjë. Shqiponja kishte në krahët e saj një kryq të ndritshëm, të cilin e lëshoi në tokë para se të fluturonte dhe të zhdukej.
Monarku mori kryqin me devotshmëri e frikë dhe e vendosi në një kishë, që ngriti në vend më vonë. Bashkëshortja e tij e përkushtuar, Kozare, ishte motra e carit Bullgar, Vladisllavit (1015 -1018). Ai, për të zotëruar mbretërinë e Joanit, e ftoi në kryeqytetin e tij, Ohrin, mbasi iu betua në Ungjill dhe në një kryq druri shumë të respektuar të shenjtit se nuk do t’i bënte keq. Ai u bind, ndërkaq tinëzari e goditi fort me shpatë në qafë, por më kot. Atëherë Joani tolerant i dha kryqin duke i thënë: “E tradhtove. Por merre këtë dhe do të më vrasësh”.
Më pas këshilloi shoqëruesit e tij të mbrojnë Orthodhoksinë, të qeverisin drejt popullin dhe të mos marrin hak për vrasjen e tij që të mos derdhet gjak “vëllazëror” pra, duhej të ishte bullgar, pasi e dimë se nuk ishte shqiptar, por i deshi shqiptarët tej mase.
Vladisllavi me të vërtetë i preu kokën, ndërkaq “martiri” mori kokën e tij në duar. Kalëroi kështu deri në kishën e ngritur prej tij në Elbasan, në të cilën edhe u varros më 22.5.1015. Kozarja mbeti për gjithë jetën në një godinë që ndërtoi përbri kishës. Kompleksi u zhvillua në manastir, i cili u shkatërrua dhe u ringrit në mënyrë të përsëritur.
Vladimir, rusisht do të thotë zotëruesi i paqes (ose i botës).