APOSTULLI – Veprat e Apostujve 8:5-17.

Edhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikonte atyre Krishtin. Edhe turmat me një zemër u vinin veshin atyre që thoshte Filipi, sepse dëgjonin e shihnin çuditë që bënte. Sepse prej shumë vetash që kishin frymë të ndyra dilnin këto duke thërritur me zë të madh; edhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan. Edhe u bë gëzim i madh në atë qytet.

Edhe ishte prej kohësh në atë qytet një njeri që quhej Simon, i cili bënte magji dhe e linte pa mend popullin e Samarisë, duke thënë për veten e tij se është një njeri i madh, të cilit të gjithë, i madh e i vogël, i vinin veshin, e thoshin: Ky është fuqia e madhe e Perëndisë. Edhe i vinin veshin, sepse mjaft kohë i kishte lënë pa mend me magjitë. Po kur i besuan Filipit që jepte lajmin e mirë për punët e mbretërisë së Perëndisë dhe për emrin e Jisu Krishtit, pagëzoheshin burra e gra. Po edhe Simoni vetë besoi, edhe si u pagëzua, rrinte bashkë me Filipin, edhe duke parë se bëheshin çudira të mëdha mahnitej.

Edhe apostujt që ishin në Jerusalem, kur dëgjuan se Samaria e pranoi fjalën e Perëndisë, dërguan tek ata Pjetrin dhe Joanin, të cilët zbritën e u lutën për ata, që të marrin Frymë të Shenjtë, sepse ende s’kishte zbritur as mbi ndonjë nga ata, po vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jisu. Atëherë vinin duart mbi ata dhe merrnin Frymë të Shenjtë.