ORA I
– Zaharia 11:10-13, Galatianëve 6:14-18, Mattheu 27:1-56.

NGA LIBRI I PROFETIT ZAHARIA 11:10-13.

Mora pastaj shkopin tim “Hir” dhe e theva, për të shfuqizuar besëlidhjen që kisha lidhur me gjithë popujt. Po atë ditë ai u shfuqizua. Kështu delet më të mjera të kopesë që po më shikonin, e kuptuan se ajo ishte fjala e Zotit. Atëherë u thashë atyre: “Po t’ju duket e drejtë, më jepni pagën time; në se jo, lëreni”. Kështu ata e peshuan pagën time: tridhjetë sikla argjendi. Por Zoti më tha: “Hidhja poçarit çmimin madhështor me të cilin ata më vlerësuan”. Atëherë i mora tridhjetë siklat prej argjendi dhe i hodha në shtëpinë e Zotit për poçarin.

 

* * * * *

NGA LETRA DREJTUAR GALATIANËVE 6:14-18.

Por për mua qoftë larg të mburrem, veç për kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të të cilit bota është kryqëzuar tek unë, edhe unë tek bota. Sepse në Krishtin Jisu as rrethprerja ka fuqi, as parrethprerja, por krijimi i ri. Edhe për të gjithë sa ecin sipas këtij rregulli, paqe e përdëllim qoftë mbi ta, dhe mbi Izraelin e Perëndisë.

Tani e tutje askush le të mos më shqetësojë; sepse unë mbaj shenjat e Zotit Jisu në trupin tim.
Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me frymën tuaj, o vëllezër. Amin.

* * * * *

NGA UNGJILLI I MATTHEUT 27:1-56.

Edhe si u gdhi, gjithë kryepriftërinjtë edhe pleqtë e popullit morën vendim në këshillë kundër Jisuit, që ta vrasin atë. Edhe si e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan te Pont Pilati, qeveritari.

Atëherë, kur pa Juda, ai që e dorëzoi, se u dënua, u pendua, edhe ktheu të tridhjetë argjendet te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë, duke thënë: Mëkatova që dorëzova gjak të pafajshëm. Edhe ata thanë: Ç’punë kemi ne? Shikoje vetë. Edhe ai, si hodhi argjendet në tempull, iku dhe shkoi e u var.

Edhe kryepriftërinjtë si morën argjendet, thanë: Nuk është e udhës t’i vemë ato në arkën e tempullit, sepse janë çmim gjaku. Edhe si bënë këshillë, blenë me to arën e poçarit, për të varrosur të huajt. Prandaj ajo arë u quajt Arë Gjaku, deri sot. Atëherë u përmbush ç’është thënë me anë të profetit Jeremia, që thotë: “Edhe morën të tridhjetë argjendet, çmimin e atij që u çmua, siç u vlerësua nga të bijtë e Izraelit, dhe i dhanë në arën e poçarit, siç më porositi Zoti”.

Edhe Jisui ndenji përpara qeveritarit; edhe qeveritari e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe Jisui i tha: Ti po thua. Edhe kur akuzohej nga kryepriftërinjtë edhe nga pleqtë, nuk përgjigjej fare. Atëherë Pilati i thotë: Nuk dëgjon sa dëshmojnë kundër teje? Po ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, aq sa qeveritari çuditej fort.

Edhe qeveritari kishte zakon për të kremte t’i lëshonte popullit një të burgosur, atë që të donin ata. Dhe atëherë kishin një të burgosur me emër, që quhej Baraba. Ndërsa ata pra ishin mbledhur, Pilati u tha atyre: Cilin doni t’ju lëshoj juve? Barabën apo Jisuin që quhet Krisht. Sepse e dinte se e dorëzuan nga smira.

Edhe ndërsa ai po rrinte mbi fronin e gjyqit, gruaja e tij dërgoi një njeri tek ai, e i tha: Ti mos i bëj gjë atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për atë.

Edhe kryepriftërinjtë e pleqtë u mbushën mendjen turmave që të kërkojnë Barabën, edhe Jisuin ta vrasin. Edhe qeveritari u përgjigj e u tha atyre: Cilin nga të dy doni t’ju lëshoj juve? Edhe ata thanë: Barabën. Pilati u thotë atyre: Ç’ta bëj pra Jisuin që quhet Krisht? Të gjithë i thonë: Le të kryqëzohet. Edhe qeveritari tha: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata bërtitnin më tepër, duke thënë: Le të kryqëzohet. Edhe Pilati, si pa se s’ka dobi, po më tepër bëhet trazirë, mori ujë e lau duart përpara turmës, duke thënë: I pafajshëm jam nga gjaku i këtij të drejti. Ju keni për të parë. Edhe gjithë populli u përgjigj e tha: Gjaku i tij qoftë mbi ne, edhe mbi bijtë tanë.

Atëherë u lëshoi atyre Barabën. Dhe Jisuin, si e fshikulloi me shufër, e dorëzoi që të kryqëzohet.
Atëherë ushtarët e qeveritarit morën me vete Jisuin në pretore, edhe mblodhën mbi të gjithë kohortën e ushtarëve. Edhe e zhveshën, e i veshën atij një rrobë të kuqe. Edhe thurën një kurorë gjembash e ia vunë mbi krye, edhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; edhe ranë në gjunjë para tij, edhe e përqeshnin, duke thënë: Përshëndetje, o mbret i Judenjve. Edhe si e pështynë, morën kallamin e i binin kokës së tij. Edhe pasi e përqeshën, i zhveshën rrobën e kuqe, edhe i veshën rrobat e tij, edhe e çuan ta kryqëzojnë.

Edhe duke dalë, gjetën një njeri kireneas, që e kishte emrin Simon. Këtë e zunë angari që të ngrejë kryqin e atij. Edhe kur erdhën në një vend që quhet Golgota, që do të thotë Vendi i Kafkës, i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, si e provoi, nuk deshi të pinte.

Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short. Edhe duke ndenjur e ruanin atë atje. Edhe vunë të shkruar sipër kokës së tij shkakun e dënimit të tij: Ky është Jisui mbreti i Judenjve.

Atëherë kryqëzohen bashkë me të dy kusarë, një në anë të djathtë, edhe një në anë të majtë.
Dhe kalimtarët, e shanin atë duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ti që prish tempullin, edhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten tënde. Në je i Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi. Kështu edhe kryepriftërinjtë bashkë me shkruesit e pleqtë duke e përqeshur atë thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij nuk mund ta shpëtojë. Në është mbret i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe do t’i besojmë. Kishte besim në Perëndinë; le ta shpëtojë tani, në qoftë se e do; sepse tha se jam bir Perëndie. Gjithashtu edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të, e përqeshnin.

Edhe që nga ora e gjashtë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë.
Edhe rreth orës së nëntë Jisui thirri me zë të madh, duke thënë: “Eli, Eli lama sabakthani”, që do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?” Edhe disa nga ata që ishin atje, kur dëgjuan, thanë se ky po thërret Ilian. Edhe menjëherë vrapoi një nga ata, edhe mori një sfungjer, edhe e mbushi me uthull, edhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë. Edhe të tjerët thoshin: Le të shohim, në qoftë se vjen Ilia ta shpëtojë.

Edhe Jisui si thirri përsëri me zë të madh, dha shpirtin.
Edhe ja kurtina e tempullit tek u ça më dysh prej së larti deri poshtë; edhe toka u tund; edhe gurët plasën; edhe varret u hapën, edhe shumë trupa shenjtorësh që kishin fjetur u ngjallën, edhe dolën nga varret pas ngjalljes së tij, e hynë në qytetin e shenjtë, edhe iu shfaqën shumë vetëve.

Edhe kryeqindësi dhe ata që ishin bashkë me të duke ruajtur Jisuin, kur panë tërmetin dhe ato që ndodhën, u frikësuan fort, e thoshin: Me të vërtetë ky paska qenë bir Perëndie.

Edhe atje ishin shumë gra duke parë prej së largu, të cilat kishin shkuar prapa Jisuit nga Galileja, duke i shërbyer atij. Në mes tyre ishte Maria Magdalena, edhe Maria, e ëma e Jakovit dhe e Josiut, edhe e ëma e bijve të Zevedheut.

 

* * * * *

ORA III
– Isaia 50:4-11, Romakëve 5:6-10, Marku 15:16-41.

NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 50:4-11.

Zoti, Zoti, më ka dhënë gjuhën e dishepujve që të mund ta mbaj me fjalë të lodhurin; ai më zgjon çdo mëngjes; zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt. Zoti, Zoti, më ka hapur veshin dhe unë nuk kam qenë rebel, as jam tërhequr prapa. I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave. Por Zoti, Zoti, më ka ndihmuar, prandaj nuk qeshë hutuar; për këtë arsye e bëra fytyrën time si një strall dhe e di që nuk do të turpërohem.

Është afër ai që më justifikon; kush do të më kundërshtojë mua? Le të paraqitemi bashkë. Kush është kundërshtari im? Le të më afrohet mua. Ja, Zoti, Zoti, do të më ndihmojë; kush është ai që do të më dënojë? Ja, të gjithë ata do të konsumohen si një palë rroba, tenja do t’i brejë”. Kush prej jush ka frikë nga Zoti dhe dëgjon zërin e shërbëtorit të tij? Kush ecën në terr pa asnjë dritë, le të ketë besim në emrin e Zotit dhe të mbështehet te Perëndia i tij!

Ja, ju të gjithë që ndizni një zjarr, që rrethoheni me ura zjarri, shkoni në flakët e zjarrit tuaj dhe midis urave që keni ndezur! Nga dora ime do të keni këtë: ju do të lëngoni në vuajtje.

 

* * * * *

NGA LETRA DREJTUAR ROMAKËVE 5:6-10.

Sepse kur ishim ne ende të sëmurë, Krishti vdiq në kohën e caktuar për të pabesët. Sepse vështirë edhe për një njeri të drejtë dikush do të vdesë; sepse për të mirin mbase edhe guxon ndonjë të vdesë. Po Perëndia tregon dashurinë e tij për ne, sepse ndërsa ne ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër pra, si dolëm të drejtë tani me anë të gjakut të tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. Sepse, në qoftë se kur ishim armiq u pajtuam me Perëndinë me anë të vdekjes së Birit të tij, shumë më tepër pasi u pajtuam do të shpëtojmë me anë të jetës së tij.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I MARKUT 15:16-41.

Dhe ushtarët e prunë brenda oborrit, që është pretorja, edhe mbledhin gjithë kohortën e ushtarëve. Edhe i veshin një rrobë të purpurt, edhe thurën një kurorë gjembash, e ia vënë rreth kokës. Edhe zunë ta përshëndesin: Gëzohu, o mbret i Judenjve. Edhe e goditnin në kokë me kallam, edhe e pështynin, edhe i binin në gjunjë e i faleshin. Edhe si e përqeshën, i zhveshën rrobën e purpurt, edhe i veshën rrobat e tij, edhe e çuan jashtë, që ta kryqëzojnë.

Edhe zënë angari, për të ngritur kryqin e atij, një farë Simon Kireneasi, të atin e Aleksandrit e të Rufit, i cili shkonte andej, duke ardhur nga ara. Edhe e sjellin në vendin Golgota, që e përkthyer do të thotë “Vendi i kafkës”.

Edhe i jepnin të pijë verë të përzier me smirnë; por ai nuk e mori.
Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short mbi to, ç’të marrë secili.
Edhe ishte ora e tretë, edhe e kryqëzuan.
Edhe mbishkrimi i shkakut të dënimit të tij ishte shkruar përsipër: Mbreti i Judenjve.
Edhe bashkë me atë kryqëzojnë dy kusarë, një nga e djathta, e një nga e majta e tij. Edhe u përmbush shkrimi që thotë: “Edhe me të paudhët u numërua”.

Edhe kalimtarët e shanin, duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ua, ti që prish tempullin, edhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten, edhe zbrit nga kryqi. Kështu edhe kryepriftërinjtë e përqeshnin në mes tyre bashkë me shkruesit, e thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij s’mund ta shpëtojë. Krishti, mbreti i Izraelit le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim dhe të besojmë. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin.

Edhe kur u bë ora e gjashtë, u bë një errësirë mbi gjithë dhenë, deri në orën e nëntë.
Edhe në të nëntën orë Jisui thirri me zë të madh, duke thënë: “Eloi, Eloi, lama Sabakthani?”, që e përkthyer do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?”. Edhe disa nga ata që ishin duke ndenjur atje, kur dëgjuan, thoshin: Ja tek po thërret Ilian. Edhe njëri vrapoi e mbushi një sfungjer me uthull, edhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë, duke thënë: Lëreni, le të shohim nëse vjen Ilia ta zbresë.

Edhe Jisui nxori zë të madh e dha shpirt.
Edhe kurtina e tempullit u ça më dysh, prej së larti deri poshtë.
Edhe kryeqindësi, që rrinte përballë atij, kur pa se dha shpirt duke thirrur kështu, tha: Me të vërtetë ky njeri paska qenë Bir Perëndie.

Ishin edhe gra duke parë prej së largu; ndër ato ishte edhe Maria Magdalena, edhe Maria, e ëma e Jakovit të vogël dhe e Josiut, edhe Saloma, të cilat, edhe kur ishte në Galile, i vinin pas, edhe i shërbenin; si dhe shumë të tjera që qenë ngjitur bashkë me të në Jerusalem.

 

* * * * *

ORA VI
– Isaia 52:13-54:1, Hebrenjve 2:11-18, Llukai 23:32-49.

NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 52:13-54:1.

Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë. Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut, kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar.

Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit? Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.

Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën. U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim? Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij.

Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

Ngazëllo, o shterpë, që nuk lindje; shpërthe në britma të larta gëzimi, ti që nuk provoje dhembjet e lindjes! Sepse fëmijët e së shkretës do të jenë më të shumtë se fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti.

 

* * * * *

NGA LETRA DREJTUAR HEBRENJVE 2:11-18.

Meqenëse edhe ai që shenjtëron edhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej njërit, shkak për të cilin nuk turpërohet t’i quajë ata vëllezër, duke thënë: “Do t’u rrëfej emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të kishës do të të lavdëroj”. Edhe prapë: “Unë do të kem shpresën time në atë”; dhe përsëri: “Ja unë, dhe djemtë që më dha Perëndia”. Edhe meqenëse djemtë kanë marrë pjesë prej mishi e gjaku, edhe ai gjithashtu u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të prishë me anë të vdekjes atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të shpëtojë të gjithë ata, të cilët nga frika e vdekjes ishin gjithë jetën e tyre mbajtur në skllavëri. Sepse me të vërtetë nuk u ndihmon engjëjve, po farës së Abrahamit i ndihmon. Prandaj duhej t’u ngjante në gjithçka vëllezërve, që të bëhej kryeprift i dhembshur dhe besnik në punët që kanë të bëjnë me Perëndinë, për shlyerjen e mëkateve të popullit. Sepse me atë që pësoi vetë kur u nga, mund t’u ndihmojë atyre që ngiten.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I LLUKAIT 23:32-49.

Po silleshin edhe dy keqbërës të tjerë që të vriteshin bashkë me të.
Edhe kur shkuan në vendin e quajtur Kafka, atje e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë, dhe tjetrin në të majtë. Edhe Jisui thoshte: O Atë, ndjei ata; sepse nuk dinë se ç’bëjnë.

Edhe duke ndarë rrobat e tij, hodhën short.
Edhe populli rrinte duke e vështruar. Edhe të parët e përqeshnin bashkë me ata, duke thënë: Të tjerë shpëtoi; le të shpëtojë veten e tij, nëse është ky Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë. Edhe e tallnin atë edhe ushtarët, duke iu afruar e duke i dhënë atij uthull, dhe duke thënë: Nëse je ti mbreti i Judenjve, shpëto veten tënde.
Edhe ishte shkruar mbi të edhe një mbishkrim me shkronja greke e latine e hebraike: Ky është mbreti i Judenjve.

Edhe një nga ata keqbërësit e varur, e shante atë, duke thënë: Nëse je ti Krishti, shpëto veten tënde dhe ne. Po tjetri u përgjigj dhe e qortoi atë, duke thënë: As nga Perëndia s’ke frikë ti, edhe pse je në një dënim me të? Dhe ne me të drejtë jemi dënuar; sepse po marrim atë që meritojmë për sa bëmë; po ky asnjë të keqe nuk bëri. Pastaj i thoshte Jisuit: Kujtomë, o Zot, kur të vish në mbretërinë tënde. Edhe Jisui i tha: Me të vërtetë po të them, sot do të jesh bashkë me mua në parajsë.

Edhe ishte afërsisht ora e gjashtë, dhe u bë errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë. Edhe dielli u err; dhe kurtina e tempullit u ça në mes.
Edhe Jisui thirri me zë të madh, e tha: O Atë, në duart e tua dorëzoj shpirtin tim. Edhe si tha këto, dha shpirt.
Edhe kryeqindësi, kur pa se çfarë u bë, lavdëroi Perëndinë, duke thënë: Me të vërtetë ky njeri paska qenë i drejtë.

Edhe gjithë turmat që kishin ardhur bashkë për të shikuar, kur panë se çfarë u bë, ktheheshin duke rrahur krahërorët e tyre. Edhe rrinin për së largu gjithë të njohurit e tij, si dhe gratë që së bashku e kishin ndjekur pas nga Galilea, duke shikuar këto gjëra.

 

* * * * *

ORA IX
– Jeremia 11:18-12:5, 9-11, 14-15, Hebrenjve 10:19-31, Joani 19:23-37.

NGA LIBRI I PROFETIT JEREMIA 11:18-12:5, 9-11, 14-15.

Zoti ma bëri të ditur dhe unë e mësova; atëherë ti më tregove veprimet e tyre. Unë isha si një qengj i butë që e çojnë në thertore dhe nuk dija që kurdisnin intriga kundër meje, duke thënë: “Të shkatërrojmë drurin bashkë me frytin e tij dhe ta zhdukim nga toka e të gjallëve, me qëllim që emri i tij të mos kujtohet më”. Por, o Zot i ushtrive, gjykatës i drejtë, që shqyrton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse unë të bëra të njohur çështjen time.

Prandaj kështu thotë Zoti përsa i përket njerëzve të Anathothit që kërkojnë jetën tënde, duke thënë: “Mos bëj profecira në emër të Zotit, që të mos vdesësh nga dora jonë”. Kështu, pra, thotë Zoti i ushtrive: “Ja, unë do t’i dënoj; të rinjtë do të vdesin nga shpata, bijtë e tyre dhe bijat e tyre do të vdesin nga uria. Nuk ka për të mbetur asnjë prej tyre, sepse unë do të sjell një gjëmë mbi njerëzit e Anathothit, në vitin e ndëshkimit të tyre”.

Ti je i drejtë, o Zot, si mund të diskutoj me ty? Megjithatë do të flas me ty lidhur me gjykimet e tua. Pse udha e të pabesëve shkon mbarë? Pse jetojnë të qetë ata që veprojnë me pabesi?

I ke mbjellë dhe kanë lëshuar madje rrënjë; rriten dhe mbajnë madje fryte. Ti je afër gojës së tyre, por larg zemrës së tyre. Por ti, o Zot më njeh, më shikon dhe shqyrton zemrën time në përqasje me ty. Tërhiqi në thertore si dele dhe veçoji për ditën e kërdisë! Deri kur do të mbajë zi vendi dhe do të thahet bari i çdo fushe? Nga shkaku i ligësisë së banorëve të tij, kafshët dhe zogjtë shfarosen, sepse ata thonë: “Ai nuk do ta shikojë fundin tonë”.

Në rast se ti fugon me këmbësorët dhe ata të lodhin, si mund të hysh në garë me kuajt? Në rast se e ndjen veten të sigurt vetëm në një vend paqësor, çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet? Trashëgimia ime ka qenë për mua si një shpend grabitqar lara lara; shpendët grabitqarë hidhen kundër saj nga çdo anë. Shkoni, mblidhini tërë kafshët e fushës, sillini këtu që t’i gëlltisin! Shumë barinj kanë shkretuar vreshtin tim, kanë shkelur pjesën time, e kanë katandisur pjesën time të këndshme në një shkretëtirë të mjeruar. E kanë katandisur në një shkretim; e shkretuar, të pikëllon para meje; tërë vendi është i shkretuar, por asnjeri nuk mendon për të.

Kështu thotë Zoti për të gjithë fqinjët e mi të këqij, që prekin trashëgiminë që i dhashë në zotërim popullit tim Izrael: “Ja, do t’i çrrënjos nga vendi i tyre dhe do të çrrënjos shtëpinë e Judës në mes të tyre. Por ka për të ndodhur që, pasi t’i kem çrrënjosur, do të më vijë keq përsëri për ta dhe do ta çoj përsëri secilin në trashëgiminë e tij, secilin në vendin e tij.

 

* * * * *

NGA LETRA DREJTUAR HEBRENJVE 10:19-31.

Duke pasur pra, vëllezër, guxim të hyjmë në shenjtërore me anë të gjakut të Jisuit, me anë të një udhe të re e të gjallë, të cilën e hapi për ne me anë të kurtinës, domethënë, të mishit të tij, edhe duke pasur një prift të madh mbi shtëpinë e Perëndisë, le të afrohemi me zemër të vërtetë e me besim të plotë, duke pasur zemrat tona të pastruara prej ndërgjegjeje të ligë; edhe, duke pasur trupin të larë me ujë të kulluar, le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës; sepse ai që premtoi është besnik. Edhe le të kujdesemi për njëri tjetrin, duke e nxitur në dashuri e në punë të mira. Edhe le të mos lëmë mbledhjen tonë të përbashkët, siç e kanë zakon disa, po të nxisim njëri tjetrin; edhe aq më tepër sa e shihni ditën që po afrohet.

Sepse në mëkatofshim ne me dashje, pasi morëm njohjen e së vërtetës, nuk mbetet më theror për mëkate, por një pritje gjyqi të frikshëm, edhe një afsh zjarri, i cili ka për të përpirë ata që janë kundër. Në shkeltë ndonjë ligjin e Moisiut, vritet pa mëshirë përpara dy a tre dëshmitarëve. Sa mundim më të keq ju duket juve se do të heqë ai që ka shkelur me këmbë të Birin e Perëndisë, edhe e ka numëruar si të ndyrë gjakun e dhiatës, me të cilin u shenjtërua, edhe ka fyer Frymën e hirit? Sepse e dimë atë që ka thënë: “Shpagimi është imi, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti.” Edhe përsëri: “Zoti do të gjykojë popullin e tij”. Gjë e frikshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I JOANIT 19:23-37.

Ushtarët pra, pasi e kryqëzuan Jisuin, morën rrobat e tij, edhe i bënë katër pjesë, për secilin ushtar një pjesë, edhe këmishën; edhe këmisha ishte e paqepur, endur e tëra që së sipërmi. Thanë pra në mes tyre: Le të mos e grisim atë, po le të hedhim short për të, kujt t’i bjerë; që të përmbushet shkrimi që thotë: “Ndanë rrobat e mia në mes tyre, edhe shtinë short mbi veshjen time”. Ushtarët pra këto bënë.

Edhe pranë kryqit të Jisuit ishin duke ndenjur e ëma dhe e motra e së ëmës së tij, Maria e Klopait, edhe Maria Magdalena. Jisui pra kur pa të ëmën dhe nxënësin që donte duke ndenjur pranë, i thotë së ëmës: Grua, ja yt bir. Pastaj i thotë nxënësit: Ja jot ëmë. Edhe nxënësi që atëherë e mori në shtëpinë e tij.

Pas kësaj Jisui, duke ditur se tani mbaruan të gjitha, që të përmbushet Shkrimi, thotë: Kam etje. Edhe ishte atje një enë plot me uthull; edhe ata mbushën një sfungjer me uthull, edhe e vunë mbi një hisop, e ia prunë në gojë. Jisui pra kur mori uthullën, tha: Mbaroi, edhe uli kryet e dha shpirtin.

Judenjtë pra, për të mos mbetur trupat mbi kryq të shtunën, sepse ishte e premte, sepse ajo ditë e shtunë ishte e madhe, iu lutën Pilatit t’u thyhen kërcinjtë e këmbëve, edhe të ngrihen andej. Erdhën pra ushtarët dhe thyen kërcinjtë e të parit, edhe të tjetrit që u kryqëzua bashkë me të. Po kur erdhën tek Jisui dhe e panë se tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë. Por një nga ushtarët i shpoi brinjën me shtizë, edhe menjëherë doli gjak dhe ujë. Edhe ai që pa dëshmoi, edhe dëshmia e tij është e vërtetë, edhe ai e di se thotë të vërtetën, që të besoni edhe ju. Sepse këto u bënë që të përmbushet Shkrimi: “Eshtër nuk do t’i thyhet”. Edhe përsëri një tjetër shkrim thotë: “Do të vështrojnë në atë që shpuan”.

 

* * * * *
– Mbrëmësorja e Madhe –

* * * * *

NGA LIBRI I EKSODIT 33:11-23.

Kështu Zoti fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij; pastaj Moisiu kthehej në kamp. Por Jozueu, biri i Nunit, zbatuesi i tij i ri, nuk largohej nga çadra.

Pastaj Moisiu i tha Zotit: “Pa shiko, ti më thua: “Bëj që ky popull të ngjitet”. Por ti nuk më ke thënë cilin do të dërgosh me mua. Megjithatë ke thënë: “Unë të njoh personalisht dhe ke gjetur hir në sytë e mi”. Prandaj tani, që më ke me sy të mirë, më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të fitoj hir në sytë e tu. Merr parasysh gjithashtu se ky komb është populli yt”. Zoti u përgjigj: “Prania ime do të shkojë me ty, dhe unë do të të jap pushim”. Atëherë Moisiu i tha: “Në qoftë se prania jote nuk vjen me mua, mos na nis që këtej. Si do të mund të njihet tani që unë dhe populli yt, kemi gjetur hir në sytë e tu? Ndofta kjo ndodh sepse ti vjen me ne? Kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt që jetojnë mbi faqen e dheut”.

Zoti i tha Moisiut: “Do ta bëj edhe këtë gjë që ke kërkuar, sepse ti ke gjetur hir në sytë e mi dhe të njoh personalisht”. Atëherë Moisiu tha: “Tregomë lavdinë tënde!”. Zoti iu përgjigj: “Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj”. Dhe tha akoma: “Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë”. Pastaj Zoti tha: “Ja një vend afër meje; ti do të rrish mbi shkëmbin; dhe ndërsa do të kalojë lavdia ime, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbuloj me dorën time, deri sa të kem kaluar; pastaj do ta tërheq dorën dhe ti do të më shikosh nga kurrizi; por fytyra ime nuk mund të shihet”.

 

* * * * *

NGA LIBRI I JOVIT 42:12-17.

Zoti i bekoi vitet e fundit të Jovit më tepër se vitet e para, sepse ai pati katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarë. Pati gjithashtu shtatë bij dhe tri bija; e quajti të parën Jemimah, të dytën Ketsiah dhe të tretën Keren Hapuk. Në tërë vendin nuk kishte gra aq të bukura sa bijat e Jobit; dhe i ati u la atyre një trashëgimi midis vëllezërve të tyre. Mbas kësaj Jovi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë e tij dhe bijtë e bijve të tij për katër breza. Pastaj Jovi vdiq plak dhe i ngopur me ditë. Dhe është shkruar që do të ngjallet përsëri me ata që do të ngjalllë Zoti.
Ky tregohet prej Biblës Siriane që rrinte në dhe të Ausit në kufijtë e Idumesë dhe të Arabisë. Dhe emri i tij i parë qe Jovab dhe si mori një grua arabe i lindi një bir i quajtur Enon dhe i ati i tij qe Zahrei, biri i të bijve të Esavit dhe e ëma e tij qe Bosora, dhe qe i pesti pas Abrahamit.

 

* * * * *

NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 52:13-54:1.

Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë. Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut, kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar. Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?

Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.

Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën. U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim? Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij.

Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

Ngazëllo, o shterpë, që nuk lindje; shpërthe në britma të larta gëzimi, ti që nuk provoje dhembjet e lindjes! Sepse fëmijët e së shkretës do të jenë më të shumtë se fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti.

 

* * * * *

NGA LETRA 1 KORINTHIANËVE 1:18-2:2.

Sepse fjala e kryqit për ata që humbasin është marrëzi, po për ne që shpëtojmë është fuqi Perëndie. Sepse është shkruar: “Do të humbas diturinë e të diturve, edhe do të hedh tej mençurinë e të mençurve”.

Ku është i dituri? Ku është shkruesi? Ku është kërkimtari i kësaj jete? A nuk marrosi Perëndia diturinë e kësaj jete? Sepse pasi në diturinë e Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me anë të diturisë, i pëlqeu Perëndisë me marrëzinë e predikimit të shpëtojë ata që besojnë. Sepse edhe Judenjtë kërkojnë shenjë, edhe Grekët kërkojnë dituri. Po ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, i cili për Judenjtë është skandal, edhe për Grekët marrëzi. Po për ata që janë thirrur, Judenj e Grekë, Krishti është fuqi Perëndie dhe dituri Perëndie. Sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se dituria e njerëzve; edhe dobësia e Perëndisë është më e fortë se fuqia e njerëzve.

Sepse, o vëllezër, shikoni thirrjen tuaj, se sipas mishit nuk ka ndërmjet jush shumë të ditur, as shumë të fuqishëm, as shumë fisnikë. Po Perëndia zgjodhi marrëzitë e botës, që të turpërojë të diturit; edhe Perëndia zgjodhi dobësitë e botës, që të turpërojë të fortët; edhe Perëndia zgjodhi të ultat e botës dhe të përbuzurat, edhe ato që nuk janë, që të prishë ato që janë; që të mos mburret çdo trup përpara atij. Edhe ju jeni prej atij në Jisu Krishtin, i cili u bë për ne dituri prej Perëndie, drejtësi dhe shenjtërim dhe shpërblim, që, siç është shkruar: “Ai që mburret, në Zotin le të mburret”.

Edhe unë, o vëllezër, kur erdha tek ju, nuk erdha me lartësi fjale a diturie, që t’ju tregoj juve dëshminë e Perëndisë. Sepse e pashë të udhës të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jisu Krishtin, edhe këtë të kryqëzuar.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I MATTHEUT 27:1-38.

Edhe si u gdhi, gjithë kryepriftërinjtë edhe pleqtë e popullit morën vendim në këshillë kundër Jisuit, që ta vrasin atë. Edhe si e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan te Pont Pilati, qeveritari.

Atëherë, kur pa Juda, ai që e dorëzoi, se u dënua, u pendua, edhe ktheu të tridhjetë argjendet te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë, duke thënë: Mëkatova që dorëzova gjak të pafajshëm. Edhe ata thanë: Ç’punë kemi ne? Shikoje vetë. Edhe ai, si hodhi argjendet në tempull, iku dhe shkoi e u var.

Edhe kryepriftërinjtë si morën argjendet, thanë: Nuk është e udhës t’i vemë ato në arkën e tempullit, sepse janë çmim gjaku. Edhe si bënë këshillë, blenë me to arën e poçarit, për të varrosur të huajt. Prandaj ajo arë u quajt Arë Gjaku, deri sot. Atëherë u përmbush ç’është thënë me anë të profetit Jeremia, që thotë: “Edhe morën të tridhjetë argjendet, çmimin e atij që u çmua, siç u vlerësua nga të bijtë e Izraelit, dhe i dhanë në arën e poçarit, siç më porositi Zoti”.

Edhe Jisui ndenji përpara qeveritarit; edhe qeveritari e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe Jisui i tha: Ti po thua. Edhe kur akuzohej nga kryepriftërinjtë edhe nga pleqtë, nuk përgjigjej fare. Atëherë Pilati i thotë: Nuk dëgjon sa dëshmojnë kundër teje? Po ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, aq sa qeveritari çuditej fort.

Edhe qeveritari kishte zakon për të kremte t’i lëshonte popullit një të burgosur, atë që të donin ata. Dhe atëherë kishin një të burgosur me emër, që quhej Baraba. Ndërsa ata pra ishin mbledhur, Pilati u tha atyre: Cilin doni t’ju lëshoj juve? Barabën apo Jisuin që quhet Krisht. Sepse e dinte se e dorëzuan nga smira.

Edhe ndërsa ai po rrinte mbi fronin e gjyqit, gruaja e tij dërgoi një njeri tek ai, e i tha: Ti mos i bëj gjë atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për atë.

Edhe kryepriftërinjtë e pleqtë u mbushën mendjen turmave që të kërkojnë Barabën, edhe Jisuin ta vrasin. Edhe qeveritari u përgjigj e u tha atyre: Cilin nga të dy doni t’ju lëshoj juve? Edhe ata thanë: Barabën. Pilati u thotë atyre: Ç’ta bëj pra Jisuin që quhet Krisht? Të gjithë i thonë: Le të kryqëzohet. Edhe qeveritari tha: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata bërtitnin më tepër, duke thënë: Le të kryqëzohet. Edhe Pilati, si pa se s’ka dobi, po më tepër bëhet trazirë, mori ujë e lau duart përpara turmës, duke thënë: I pafajshëm jam nga gjaku i këtij të drejti. Ju keni për të parë. Edhe gjithë populli u përgjigj e tha: Gjaku i tij qoftë mbi ne, edhe mbi bijtë tanë.

Atëherë u lëshoi atyre Barabën. Dhe Jisuin, si e fshikulloi me shufër, e dorëzoi që të kryqëzohet.
Atëherë ushtarët e qeveritarit morën me vete Jisuin në pretore, edhe mblodhën mbi të gjithë kohortën e ushtarëve. Edhe e zhveshën, e i veshën atij një rrobë të kuqe. Edhe thurën një kurorë gjembash e ia vunë mbi krye, edhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; edhe ranë në gjunjë para tij, edhe e përqeshnin, duke thënë: Përshëndetje, o mbret i Judenjve. Edhe si e pështynë, morën kallamin e i binin kokës së tij. Edhe pasi e përqeshën, i zhveshën rrobën e kuqe, edhe i veshën rrobat e tij, edhe e çuan ta kryqëzojnë.

Edhe duke dalë, gjetën një njeri kireneas, që e kishte emrin Simon. Këtë e zunë angari që të ngrejë kryqin e atij. Edhe kur erdhën në një vend që quhet Golgota, që do të thotë Vendi i Kafkës, i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, si e provoi, nuk deshi të pinte.

Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short. Edhe duke ndenjur e ruanin atë atje. Edhe vunë të shkruar sipër kokës së tij shkakun e dënimit të tij: Ky është Jisui mbreti i Judenjve.
Atëherë kryqëzohen bashkë me të dy kusarë, një në anë të djathtë, edhe një në anë të majtë.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I LLUKAIT 23:39-43.

Edhe një nga ata keqbërësit e varur, e shante atë, duke thënë: Nëse je ti Krishti, shpëto veten tënde dhe ne. Po tjetri u përgjigj dhe e qortoi atë, duke thënë: As nga Perëndia s’ke frikë ti, edhe pse je në një dënim me të? Dhe ne me të drejtë jemi dënuar; sepse po marrim atë që meritojmë për sa bëmë; po ky asnjë të keqe nuk bëri. Pastaj i thoshte Jisuit: Kujtomë, o Zot, kur të vish në mbretërinë tënde. Edhe Jisui i tha: Me të vërtetë po të them, sot do të jesh bashkë me mua në parajsë.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I MATTHEUT 27:39-54.

Dhe kalimtarët, e shanin atë duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ti që prish tempullin, edhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten tënde. Në je i Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi. Kështu edhe kryepriftërinjtë bashkë me shkruesit e pleqtë duke e përqeshur atë thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij nuk mund ta shpëtojë. Në është mbret i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe do t’i besojmë. Kishte besim në Perëndinë; le ta shpëtojë tani, në qoftë se e do; sepse tha se jam bir Perëndie. Gjithashtu edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të, e përqeshnin.

Edhe që nga ora e gjashtë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë.
Edhe rreth orës së nëntë Jisui thirri me zë të madh, duke thënë: “Eli, Eli lama sabakthani”, që do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?” Edhe disa nga ata që ishin atje, kur dëgjuan, thanë se ky po thërret Ilian. Edhe menjëherë vrapoi një nga ata, edhe mori një sfungjer, edhe e mbushi me uthull, edhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë. Edhe të tjerët thoshin: Le të shohim, në qoftë se vjen Ilia ta shpëtojë.

Edhe Jisui si thirri përsëri me zë të madh, dha shpirtin.
Edhe ja kurtina e tempullit tek u ça më dysh prej së larti deri poshtë; edhe toka u tund; edhe gurët plasën; edhe varret u hapën, edhe shumë trupa shenjtorësh që kishin fjetur u ngjallën, edhe dolën nga varret pas ngjalljes së tij, e hynë në qytetin e shenjtë, edhe iu shfaqën shumë vetëve.

Edhe kryeqindësi dhe ata që ishin bashkë me të duke ruajtur Jisuin, kur panë tërmetin dhe ato që ndodhën, u frikësuan fort, e thoshin: Me të vërtetë ky paska qenë bir Perëndie.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I JOANIT 19:31-37.

Judenjtë pra, për të mos mbetur trupat mbi kryq të shtunën, sepse ishte e premte, sepse ajo ditë e shtunë ishte e madhe, iu lutën Pilatit t’u thyhen kërcinjtë e këmbëve, edhe të ngrihen andej. Erdhën pra ushtarët dhe thyen kërcinjtë e të parit, edhe të tjetrit që u kryqëzua bashkë me të. Po kur erdhën tek Jisui dhe e panë se tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë. Por një nga ushtarët i shpoi brinjën me shtizë, edhe menjëherë doli gjak dhe ujë. Edhe ai që pa dëshmoi, edhe dëshmia e tij është e vërtetë, edhe ai e di se thotë të vërtetën, që të besoni edhe ju. Sepse këto u bënë që të përmbushet Shkrimi: “Eshtër nuk do t’i thyhet”. Edhe përsëri një tjetër shkrim thotë: “Do të vështrojnë në atë që shpuan”.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I MATTHEUT 27:55-61.

Edhe atje ishin shumë gra duke parë prej së largu, të cilat kishin shkuar prapa Jisuit nga Galileja, duke i shërbyer atij. Në mes tyre ishte Maria Magdalena, edhe Maria, e ëma e Jakovit dhe e Josiut, edhe e ëma e bijve të Zevedheut.

Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea me emrin Josif, që edhe ai vetë kishte qenë nxënës i Jisuit. Ky shkoi tek Pilati e kërkoi trupin e Jisuit. Atëherë Pilati urdhëroi t’i jepet trupi. Edhe Josifi mori trupin, edhe e mbështolli me pëlhurë të pastër, edhe e vuri në varrin e tij të ri, që e kishte gërmuar në shkëmb, edhe si rrokullisi një gur të madh në derën e varrit, iku. Edhe atje ishte Maria Magdalena, edhe Maria tjetër, duke ndenjur përballë varrit.