UNGJILLI – Joani 11:1-45.

Edhe ishte një i sëmurë, Llazari nga Betania, nga fshati i Marisë e i Martës, motrës së saj. Dhe Maria ishte ajo që leu Zotin me miro, edhe fshiu këmbët e tij me flokët e saj, vëllai i së cilës, Llazari, ishte sëmurë. Të motrat pra, dërguan tek ai, duke thënë: Zot, ja ai që do ti, është sëmurë.

Edhe Jisui kur dëgjoi tha: Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që të lavdërohet i Biri i Perëndisë me anë të saj.

Edhe Jisui i donte Martën dhe të motrën e saj dhe Llazarin. Kur dëgjoi pra, se është sëmurë, atëherë qëndroi dy ditë në atë vend ku ishte. Pastaj, pas kësaj u thotë nxënësve: Le të shkojmë prapë në Jude. Nxënësit i thonë: Rabbi, tani Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë, edhe përsëri po shkon atje? Jisui u përgjigj: A nuk ka dymbëdhjetë orë dita? Në ectë dikush ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. Po në ectë dikush natën, pengohet, sepse s’ka dritë në të.

Këto tha, edhe pastaj u thotë atyre: Llazari miku ynë ka fjetur. Po shkoj që ta zgjoj. Nxënësit e tij i thanë, pra: Zot, në ka fjetur, do të shpëtojë. Po Jisui kishte thënë për vdekjen e tij; kurse ata pandehën se thotë për fjetjen e gjumit. Atëherë pra Jisui u tha atyre haptas: Llazari vdiq. Edhe gëzohem për ju, që të besoni, sepse nuk qeshë atje. Por le të shkojmë tek ai. Thomai pra, që quhej binjak, u tha bashkënxënësve: Le të shkojmë edhe ne, që të vdesim bashkë me të.

Kur erdhi pra Jisui, e gjeti se kishte tashmë katër ditë në varr.

Edhe Betania ishte afër Jerusalemit rreth pesëmbëdhjetë stade. Edhe shumë prej judenjve kishin ardhur te Marta e te Maria, që t’i ngushëllonin për të vëllain e tyre. Marta pra, kur dëgjoi se po vjen Jisui, i doli përpara; edhe Maria rrinte në shtëpi.

Marta pra, i tha Jisuit: Zot, të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste. Po edhe tani e di se sa t’i kërkosh Perëndisë, do të t’i japë Perëndia. Jisui i thotë asaj: Yt vëlla do të ngjallet. I thotë atij Marta: E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit. Jisui i tha: Unë jam ngjallja dhe jeta. Ai që më beson, edhe në vdektë, do të rrojë. Edhe kushdo që rron e më beson, nuk do të vdesë për gjithë jetën. A e beson këtë? I thotë atij: Po, Zot, unë kam besuar se ti je Krishti, i Biri i Perëndisë, që vjen në botë.

Edhe si tha këto, shkoi e thërriti fshehtas Marinë, të motrën e saj, e i tha: Mësuesi është këtu dhe po të thërret. Ajo, kur dëgjoi, ngrihet shpejt dhe vjen tek ai. Jisui ende s’kishte ardhur në fshat, por ishte në atë vend ku i doli përpara Marta. Judenjtë pra, që ishin bashkë me të në shtëpi dhe e ngushëllonin, kur panë Marinë se u ngrit shpejt e doli, i shkuan prapa, duke thënë se po shkon në varr për të qarë atje.

Maria pra, si erdhi atje ku ishte Jisui, kur e pa atë, i ra ndër këmbë, duke i thënë atij: Zot, po të ishe këtu, vëllai nuk do të më vdiste. Jisui pra kur pa atë duke qarë, edhe judenjtë që kishin ardhur bashkë me të duke qarë, rënkoi thellë në shpirtin e tij, edhe u trazua. E tha: Ku e keni vënë? I thonë: Zot, eja e shih. Jisui derdhi lot. Judenjtë pra thoshin: Shih sa e donte. Po disa prej tyre thanë: Nuk mundej ky që hapi sytë e të verbrit të bënte që edhe ky të mos vdiste?

Jisui pra përsëri duke rënkuar thellë në vetvete vjen në varr. Edhe ishte një shpellë, dhe mbi të ishte vënë një gur. Jisui thotë: Ngrini gurin. Marta, e motra e të vdekurit, i thotë: Zot, vjen erë tani, sepse ka katër ditë. Jisui i thotë asaj: A nuk të thashë se në besofsh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë? Ngritën pra gurin, ku dergjej i vdekuri. Edhe Jisui ngriti sytë lart, e tha: Atë, të falënderoj se më dëgjove. Edhe unë e dija se përherë më dëgjon; po e thashë për popullin që rri përreth, që të besojnë se ti më dërgove. Edhe si tha këto, thirri me zë të madh: Llazar, dil jashtë. Edhe i vdekuri doli, lidhur këmbë e duar me rripa pëlhure; edhe fytyra e tij ishte mbështjellë me shami. Jisui u thotë atyre: Zgjidheni, edhe lëreni të shkojë.

Shumë pra prej judenjve, që kishin ardhur te Maria, dhe panë sa bëri Jisui, i besuan.