– Dëshmor Therini në Butrint –
Gjatë persekutimit të Decit (250), guvernatori Filip u dërgua në Butrint, në krahinën e Thesprotisë (Epiri i Vjetër), përballë ishullit të Korfuzit, për ta detyruar popullsinë t’u falej idhujve të perandorit.
Në mes të turmës, një i krishterë me emrin Terin, i shquar për virtyte dhe lëmosha, ngriti zërin, për t’u tallur me hyjnitë pagane, që nuk janë gjë tjetër veçse mashtrime demoniake. E arrestuan menjëherë dhe e çuan te guvernatori, para të cilit Therini pohoi me forcë, se ai i mbetej besnik urdhëresës e cila na thotë të adhurojmë një Perëndi të vetëm (Ligji i Përtërirë 6:13).
Filipi urdhëroi ta hidhnin në furrë, por shenjtori qëndroi në këmbë në mes të flakëve, duke psalur himne, i shoqëruar nga thirrjet admiruese të turmës. Pastaj i lëshuan shtatë bisha të egra; ato u shtrinë në këmbët e tij, si para një Adami të ri. Shenjtori mbeti i paprekur në të gjitha torturat që tirani urdhëroi t’i bënin dhe kur Perëndia e lejoi, e pranoi me gëzim vdekjen, për t’iu bashkuar korit të shenjtorëve.
* * * * *
– Dëshmor i ri Llazar Bullgari –
Shën Llazari ishte një bari bullgar, që ruante grigjën e tij në malet e krahinës së Pergamit (Azi e Vogël). Një ditë, ai shpëtoi një grua turke nga qentë që e kishin sulmuar, por ajo, mosmirënjohëse, e akuzoi tek i shoqi, se gjoja ai ishte përpjekur ta çnderonte. Turku, i tërbuar, plagosi gabimisht
një nga shokët e Llazarit dhe kjo çështje shkoi te kadiu i zonës. Agai e futi të riun e krishterë në burg dhe e torturoi për shumë ditë, me shpresë se do të merrte një shpërblim të madh po ta bënte të ndryshonte besimin. Kur e pa se nuk ia doli dot, u dha urdhër xhelatëve të vazhdonin ta torturonin
me çdo lloj mizorie të mundshme, për të mposhtur vendosmërinë e shenjtorit.
Këta të fundit, pasi u dehën, ia dogjën gjymtyrët me hekur të nxehtë dhe i vendosën mbi gjoks një gur të rëndë. Por atleti trim i Krishtit u bëri ballë torturave duke lutur martirin e madh, shën Gjergjin. Atëherë ata ia nxorën me zor gjuhën dhe ia dogjën. Pastaj ia shtrënguan tëmthat me një litar ku kishin lidhur kocka, derisa njëri prej syve i doli nga zgavra. Më vonë i vunë mbi kokë një kurorë të përvëluar bronzi. Por, nga veprimi i Hirit të Perëndisë, po atë mbrëmje, Llazari bisedoi lirshëm, sikur të mos ishte munduar fare, me një tregtar të krishterë, të cilit i kërkoi të fliste me xhelatët, që të mos ia vononin më shumë ekzekutimin.
Pasi agai pa se dështoi në tentativën për ta kthyer, dha urdhër që shenjtori të varej në litar. Llazari e kaloi vetë litarin në qafë, meqë xhelatët u trembën nga trimëria e tij. Atëherë ishte 28 vjeç. Pas ekzekutimit, një numër i madh shenjash të mrekullueshme shfaqën haptazi se hiri i Perëndisë ishte i pranishëm në trupin e tij.
* * * * *
Dëshmorët Donati