Apostull Nathanaili.

 

Sipas traditës së Kishës, apostulli i lavdishëm Nathanaili ishte me origjinë nga Kana e Galilesë. I përshpirtshëm dhe njohës i Shkrimeve të Shenjta, ai priste ardhjen e Mesias. Kur apostull Filipi takoi Zotin, ai shkoi për t’i thënë Nathanailit, se e kishte gjetur Atë për të Cilin kishin lajmëruar Ligji dhe profetët: Jisuin e Nazaretit. Nathanaili u çudit dhe tha: “A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?”. Por, megjithatë, shkoi për ta takuar Krishtin.

Zoti, kur e pa, tha: “Ja një izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër”. Zoti i zbuloi, se e kishte parë të ulur nën një fik para se Filipi ta takonte. Nathanaili kuptoi se ky njeri zotëronte njohjen e çdo gjëje dhe thirri: “Rabi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!” (Jn. 1:45-50).

 

* * * * *

Dëshmorët Epipodi dhe Aleksandri i Lionit.

 

Në kohën e persekutimit të Mark-Aurelit (117), kur paganët besuan se ishin zhdukur tashmë gjithë të krishterët nga Lioni me martirizimin e shën Potinit dhe shokëve të tij (2 qershor), Aleksandri dhe Epipodi, që ishin shokë shumë të ngushtë që në fëmijëri, u larguan nga qyteti dhe u strehuan në një qytezë te një vejushë e krishterë. Por u zbuluan dhe i futën në burg e u çuan te gjykatësi. Kur u shpallën të krishterë, turma lëshoi të bërtitura të mëdha, gjykatësi i zemëruar dha urdhër t’i ndanin dhe Epipodin ta torturonin.

Gjatë torturës Epipodi i tha këto fjalë gjykatësit: “Jeta për të cilën më flet është një vdekje e përjetshme, dhe vdekja me të cilën më kërcënon është një kalim për në jetën që nuk do të ketë kurrë fund. Ekzekutimet tuaja na dhurojnë përjetësinë.” Pasi e goditi në gojë, gjykatësi dha urdhër t’i çanin brinjët me thonj hekuri. Papritur, populli i etur për gjak, kërkoi ta lironin këtë të krishterë, por nga frika se mos shkaktohej ndonjë revoltë, gjykatësi e ekzekutoi pa vonim shën Epipodin.

Të nesërmen Aleksandrin provuan ta trembnin duke i kujtuar vuajtjet e shokut të tij. Por ai u përgjigj: “Ti beson se do të më frikësosh me kujtimin e vuajtjeve që shumë martirë i duruan? Ta dish se po e ndez dëshirën për t’i ndjekur ata. Emrin e krishterë, që pretendon të shuash, do të bëhet me këtë më i shkëlqyer!” Gjykatësi e goditi pa mëshirë bashkë me tre xhelatë të tjerë, pastaj e dënoi me kryqëzim. Të krishterë shpresëtarë erdhën dhe morën trupat e dy martirëve dhe i fshehën në një shpellë përreth Lionit, i cili u bë i njohur për mrekullitë që kryheshin.